Author: Momenti

  • A duhet ta mbështillni pasaportën me letër alumini? Ja çfarë thotë autoriteti zviceran

    A duhet ta mbështillni pasaportën me letër alumini? Ja çfarë thotë autoriteti zviceran

    Udhëtarët i mbështjellin pasaportat me letër alumini për t’i mbrojtur nga hajdutët e të dhënave. Por a është vërtet i nevojshëm ky truk? Autoriteti zviceran për Doganat dhe Sigurinë Kufitare sqaron se sa i madh është në të vërtetë rreziku.

    Kushdo që ndjek forumet e udhëtimit apo grupet në rrjetet sociale mund të hasë këshillën për ta mbështjellë pasaportën me letër alumini. Sipas këtij truku, kjo do të parandalonte kriminelët që të lexonin fshehurazi të dhënat personale gjatë udhëtimit.

    Arsyeja lidhet me vetë pasaportat moderne, të cilat përmbajnë një çip të vogël radioje, të njohur si RFID. Ky çip përmban informacione biometrike, si fotografia e pasaportës, si dhe të dhëna të tjera personale, raporton 20minuten.

    Për të parandaluar qasjen e paautorizuar në këto të dhëna, disa udhëtarë përdorin fletë alumini si një lloj mburoje. Por sipas Zyrës Federale për Doganat dhe Sigurinë Kufitare (BAZG), kjo masë nuk është e nevojshme për pasaportat moderne.

    Leximi i pasaportës është praktikisht i pamundur pa u vënë re

    Simon Erny, përgjegjës për marrëdhëniet me median në BAZG, shpjegon se në parim një pasaportë elektronike mund të lexohet përmes ndërfaqes pa kontakt, duke përdorur një lexues të përshtatshëm.

    Megjithatë, lexuesi duhet të jetë shumë afër dokumentit të udhëtimit. Përveç kësaj, pasaportat moderne kanë disa mekanizma sigurie që mbrojnë të dhënat e ruajtura në çip nga qasja e paautorizuar.

    Një lexues duhet të ketë informacion specifik nga faqja e të dhënave të pasaportës për të qenë në gjendje të lexojë çipin, transmeton Telegrafi.

    “Leximi i thjeshtë dhe pa u vënë re i një pasaporte elektronike moderne gjatë udhëtimit të përditshëm është praktikisht i pamundur”, shpjegon Erny.

    Edhe të dhënat veçanërisht të ndjeshme, si gjurmët e gishtërinjve, nuk janë lehtësisht të arritshme për shkak të mekanizmave shtesë të sigurisë.

    Letra e aluminit mund të jetë më shumë bezdi sesa mbrojtje

    Edhe pse letra e aluminit nuk e dëmton drejtpërdrejt çipin e pasaportës, ajo nuk është veçanërisht praktike.

    Në pikat e kontrollit të sigurisë ose në kufi, pasaporta duhet të nxirret çdo herë nga mbështjellësi. Kjo kërkon kohë dhe mund ta sforcojë dokumentin.

    Gjithashtu, gjatë udhëtimit, letra e aluminit mund të përkulet ose të fërkohet me pasaportën në bagazh, duke dëmtuar zonat e ndjeshme të saj.

    Në rast se çipi dëmtohet, pasaporta mund të mos pranohet më, gjë që në skenarin më të keq mund të shkaktojë probleme gjatë hyrjes në një shtet tjetër.

    Mbështjellësit RFID si alternativë

    Për personat që duan të jenë absolutisht të sigurt, Simon Erny rekomandon përdorimin e një mbështjellësi të posaçëm bllokues RFID.

    “Kjo mund të parandalojë komunikimin radio me çipin dhe është shumë më praktike sesa fleta e aluminit kur jeni jashtë”, thotë ai.

    BAZG këshillon gjithashtu që të mos publikohen fotografi të pasaportës në internet. Sipas autoritetit zviceran, informacioni që shihet në një fotografi mund të lehtësojë leximin e paautorizuar të çipit./Telegrafi/

  • Kush do ta hetojë rastin e Adi Hilës?

    Kush do ta hetojë rastin e Adi Hilës?

    Kush do ta hetojë rastin e Adi Hilës?

    Është hedhur shorti në Prokurorinë e Tiranës për dosjen e video skandalit të kompozitorit Adi Hila.

    Sipas informacioneve të Top Channel, çështja do të hetohet nga prokurori Julian Xhengo, transmeton klankosova.tv.

    Sipas Hoxhës, në kuadër të kësaj çështjeje janë depozituar dy kallëzime në polici. Hila ka bërë kallëzim me pretendimin se është hakuar, ndërsa kallëzim ka bërë edhe këngëtarja Eli Fara, me pretendimin për shkelje të privatësisë.

    Mbi bazën e këtyre dy kallëzimeve, çështja lidhet me disa vepra penale, konkretisht hyrjen e paautorizuar kompjuterike, sipas kallëzimit të Hilës, si dhe përgjimin e paligjshëm të të dhënave kompjuterike dhe keqpërdorimin e pajisjeve kompjuterike, sipas kallëzimit të Eli Farës.

    Ditën e djeshme vetë aktorja Monika Lubonja ka bërë me dije se ka ngritur kallëzim penal ndaj Adi Hilës.

    Por, sipas informacioneve të bëra publike nga Top Channel, Prokuroria ka shtuar në hetim edhe një vepër tjetër penale, atë të veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

    Kjo lidhet me një veprim të kryer gjatë hetimeve paraprake. Sipas informacionit, policia ka tentuar të këqyrë hard-diskun, por pasi e ka sekuestruar, ka konstatuar se prova ishte e dëmtuar.

    Për këtë rrethanë, Hila ka deklaruar se e kishte shkatërruar vetë hard-diskun. Sipas tij, arsyeja ishte se nuk ishte i sigurt se nga vinte ndërhyrja dhe kishte frikë se mund të ndërhynin sërish dhe të merrnin të dhëna në distancë.

    Tashmë, pas hedhjes së shortit, hetimi i çështjes do të ndiqet nga prokurori Julian Xhengo në Prokurorinë e Tiranës.

  • Themelohen dy mekanizma brenda Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, i mbikëqyrjes së punës dhe integritetit

    Themelohen dy mekanizma brenda Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, i mbikëqyrjes së punës dhe integritetit

    Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi ka marrë vendim për themelimin e dy mekanizmave brenda Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit: Mekanizmi Mbikëqyrës i Punës së Prokurorit të Shtetit dhe Mekanizmi i Mbrojtjes së Integritetit të Prokurorit të Shtetit.

    Kështu bëhet e ditur në njoftimin e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.

    “Mekanizmi Mbikëqyrës i Punës së Prokurorit të Shtetit ka për detyrë të analizojë cilësinë e akteve akuzuese të hedhura me vendim gjyqësor të formës së prerë dhe të akteve akuzuese, të cilat kanë përfunduar me aktgjykime liruese apo refuzuese të formës së prerë në rastet me prioritet, veçanërisht të korrupsionit të nivelit të lartë, si dhe të analizojë aktvendimet gjyqësore të formës së prerë lidhur me kërkesat e prokurorive për çështje procedurale, duke respektuar pavarësinë institucionale dhe funksionale të Prokurorit të Shtetit.

    Prokurorët e angazhuar në këtë mekanizëm, me rastin e analizimit dhe sipas të gjeturave të tyre të rasteve që kanë epilog të formës së prerë, japin rekomandime profesionale për rastet e trajtuara dhe ia përcjellin Kryeprokurorit të Shtetit, i cili ndërmerr veprime me qëllim të vlerësimit të ligjshmërisë dhe unifikimit të praktikave institucionale, të cilat synojnë ngritjen e cilësisë së punës dhe evitimin e lëshimeve eventuale profesionale nga prokurorët e shtetit në të ardhmen”, thuhet në njoftim.

    Ndërsa, tutje thuhet se Mekanizmi i Mbrojtjes së Integritetit të Prokurorit të Shtetit ofron mbrojtje institucionale dhe profesionale për prokurorët e shtetit, kurdo që ndaj tyre shfaqen tendenca për ndikime të brendshme apo të jashtme të paligjshme; kur cenohet integriteti dhe pavarësia profesionale; kur zhvillohen sulme, linçime apo fushata denigruese lidhur me veprimet dhe vendimet e marra gjatë ushtrimit të funksionit dhe detyrave të tyre zyrtare.

    “Krijimi i këtyre dy mekanizmave ka qenë një nga prioritetet kryesore të Kryeprokurorit të Shtetit të paraqitura në konceptdokumentin e tij.

    Gjithashtu, Kryeprokurori i Shtetit ka caktuar prokurorin e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Veton Shabani, Koordinator Nacional për Zgjedhje, ndërsa prokurorin e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Ersan Qavolli, Koordinator Nacional për rastet e Dhunës në Familje”. /Telegrafi/

  • Turqia shkarkon Vincenzo Montellan pas rezultateve katastrofike

    Turqia shkarkon Vincenzo Montellan pas rezultateve katastrofike

    Federata Turke e Futbollit (TFF) ka vendosur t’i japë fund para kohe bashkëpunimit me përzgjedhësin e kombëtares, Vincenzo Montella, raporton mediumi i respektuar turk Milliyet.

    Vendimi i federatës erdhi pas rezultateve të dobëta të Turqisë në Ligën e Kombeve, ku kombëtarja pësoi katër humbje radhazi.

    Në ndeshjen e fundit, turqit u mposhtën 1-3 nga Italia, rezultat që shtoi kritikat ndaj Montellas nga ekspertët dhe tifozët.

    Drejtuesit e federatës kanë vlerësuar se skuadra ka nevojë për një ndryshim të menjëhershëm dhe për një qasje të re në zhvillimin e saj.

    Në ditët në vijim pritet të përfundojnë procedurat financiare për ndërprerjen e kontratës, pas së cilës TFF do të bëjë të ditur emrin e përzgjedhësit të ri.

    Montella ishte emëruar në krye të Turqisë në shtator të vitit 2023 dhe pati një ecuri mbresëlënëse në Euro 2024, duke e udhëhequr skuadrën deri në çerekfinale të turneut në Gjermani.

    Megjithatë, rënia e zgjatur në formë dhe rezultatet e fundit kanë bërë që italiani të mos vazhdojë në krye të kombëtares turke./Telegrafi/

  • Rekord pjesëmarrjeje në Friburg, nis edicioni i 14-të i "Swiss Cheese Awards"

    Rekord pjesëmarrjeje në Friburg, nis edicioni i 14-të i “Swiss Cheese Awards”

    Në Friburg ka nisur të martën edicioni i 14-të i Swiss Cheese Awards, një nga ngjarjet më të rëndësishme kombëtare të industrisë zvicerane të djathit. Konkursi do të zgjasë gjashtë ditë dhe këtë vit ka shënuar rekord pjesëmarrjeje.

    Organizatorët bëjnë të ditur se në garë janë paraqitur 1,177 lloje djathërash, numri më i madh i regjistruar ndonjëherë në këtë kompeticion kombëtar. Produktet kanë mbërritur në Friburg rreth dhjetë ditë para nisjes së vlerësimit, për t’iu nënshtruar procesit të përzgjedhjes nga juritë, raporton Swissinfo.

    Mes produkteve që konkurrojnë janë Gruyère AOP, Emmentaler AOP, Appenzeller, Raclette, si dhe djathëra të freskët, të butë dhe kategori të tjera. Në total, 203 anëtarë të jurisë nga Zvicra dhe vende të tjera do të vlerësojnë djathërat në 32 kategori.

    Përzgjedhja e kampionëve zviceranë

    Të enjten, një super-juri do të përzgjedhë kampionët e Zvicrës në katër kategori kryesore: djathërat ekstra të fortë dhe të fortë, djathërat gjysmë të fortë, djathërat e butë dhe djathërat e freskët.

    Konkursi organizohet nga Fromarte, organizata ombrellë e artizanëve zviceranë të djathit, e cila e konsideron këtë aktivitet një mundësi të rëndësishme për promovimin e sektorit, transmeton Telegrafi.

    Ceremonia e ndarjes së çmimeve do të zhvillohet të premten në mbrëmje, gjatë eventit “Awards Night”. Aty do të shpallen fituesit e kategorive, tre kampionët zviceranë, si dhe fituesi i konkursit për pjatën e djathit, i cili do të zhvillohet në ambientet e L’Atelier.

    Sipas drejtorit të Fromarte, Paul Meier, Swiss Cheese Awards shkon përtej një gare për të përcaktuar djathërat më të mirë zviceranë. Sipas tij, aktiviteti pasqyron në mënyrë të veçantë vlerat e industrisë së djathit në Zvicër: cilësinë, diversitetin dhe mjeshtërinë artizanale.

    Prodhuesit dhe publiku, në qendër të vëmendjes

    Krahas konkurrimit, Swiss Cheese Awards synon të krijojë një hapësirë për shkëmbim dhe bashkëpunim mes prodhuesve, ndërsa publikut i jepet mundësia të takohet drejtpërdrejt me njerëzit që qëndrojnë pas prodhimit të djathërave.

    Aktiviteti zhvillohet çdo dy vjet dhe ka rëndësi edhe përtej industrisë së djathit. Organizatorët e konsiderojnë atë një vitrinë të rëndësishme për djathërat zviceranë, si brenda vendit ashtu edhe në tregjet ndërkombëtare.

    Një vëmendje e veçantë i kushtohet gjithashtu promovimit të produkteve pjesëmarrëse, me synim rritjen e konsumit dhe njohjes së tyre nga publiku.

    Pas përfundimit të vlerësimit, djathërat e mbetur do t’u ofrohen prodhuesve pjesëmarrës si pjesë e bufesë gjatë mbrëmjes gala ose do t’u dhurohen organizatave bamirëse.

    Si qytet pritës, Friburgu ka përgatitur gjithashtu një program të gjerë aktivitetesh, në bashkëpunim me partnerë lokalë dhe rajonalë.

    Swiss Cheese Awards 2026 do të vijojë deri të dielën në Friburg./Telegrafi/

  • Kur Prishtina kishte vetëm tri restorante!

    Kur Prishtina kishte vetëm tri restorante!

    “Ishin të pakta restorantet në rininë time, por megjithatë ekzistonte një respekt shumë i madh për shoqërinë”, thotë Justina Shiroka-Pula, pedagoge në Fakultetin Ekonomik. Zonja Justinë me keqardhje përmend faktin se respekti i dikurshëm për shoqërinë tashti mungon tmerrësisht.

    Nga: Antigona Uka (Shtojca “Jeta”, rubrika “Studentët dikur e tash”, Javorja “Zëri”, 2002)

    Gjeneratat e mëhershme të studentëve, ato të viteve të gjashtëdhjeta e më vonë, argëtoheshin ndryshe nga studentët e sodit. Në argëtimin e tyre kishte diçka të pashpjegueshme e që linte mbresa të pashlyeshme. Ishte kjo dashuria dhe respekti që ushqenin ndaj njëri-tjetrit, ndaj shokut, mikut, të dashurit/ës, apo kishte diçka tjetër?! Së paku kështu mendojnë ata. Ndoshta vërtet ishin kohë më të mira, apo ata të kaluarën e shohin nën dritën roze të nostalgjisë për rininë e tyre. Megjithatë, të rinjtë e shekullit të ri duket se janë të vetëdijshëm se megjithatë u mungon diçka nga vlerat e gjeneratave të mëhershme kosovare. Se si e kalonin kohën e lirë kur ishin studentë apo si e kalojnë ata të sotmit – për “Jetën” flasin breza të ndryshëm studentorë …

    Numri i pakufishëm i lokaleve vetëm në kryeqytet, është pothuajse e vetmja mënyrë argëtimi për të rinjtë, derisa për gjeneratat e mëhershme lokalet numëroheshin në gishtat e njërës dorë, fillimisht përmenden vetëm tri të tilla e pastaj numri i tyre filloi të rritej shumë ngadalë.

    “Ishin të pakta restorantet në rininë time, por megjithatë ekzistonte një respekt shumë i madh për shoqërinë”, thotë Justina Shiroka-Pula, pedagoge në Fakultetin Ekonomik.

    Zonja Justinë me keqardhje përmend faktin se respekti i dikurshëm për shoqërinë tashti mungon tmerrësisht. “Është e pamundshme të dalësh sot në ndonjë lokal e të mos hasësh në të rinj që konsumojnë alkool, dehen e pastaj çdo gjë kalon në ekstrem”.

    Vendet ku rinia, sidomos adoleshenca i kalon ditët e sotme, janë diskotekat, të cilat i vizitojnë edhe studentët.

    Teatri – artistëve!

    Ardiana Musa, studente nga Peja, është një nga të rejat kosovare që argëtimin kryesor e gjen në diskotekën “Diabllo”. Ardiana nuk e viziton teatrin e pothuajse as kinon, me përjashtim kur ka ndonjë film shumë të mirë për medimin e saj. Ardiana, si shumë bashkëmoshatarë të saj, është viktimë e kohës në të cilën po jetojmë. As ajo s’mund të ndryshojë diçka nga rrjedha e jetës, apo të organizojë diçka individualisht.

    Organizimet brenda universitetit tonë mungojnë. Po ashtu mungon edhe respekti i shoqërisë, ngase, sipas saj, shumica e studentëve ndahen në grupe sipas regjioneve prej nga vijnë.

    Derisa gjeneratat para nesh argëtoheshin më shumë në teatër, në kino, por edhe në ballo që ata i organizonin me vetiniciativë, të rinjve të sotëm ballot u duken si shumë ‘demode’, ndërsa arsyen pse nuk e vizitojnë teatrin nuk dinë ta shpjegojnë as vetë.

    “Pse një student të mos e vizitojë teatrin?” – pyet Nuhi Kuqinja, ish-student në vitet e ‘80-ta.

    “Mendoj se njëri prej institucioneve, i cili ndikon në ngritjen e nivelit të kulturës, është teatri. Aty ne mësonim dhe merrnim mesazhe të ndryshme të cilat nuk do t`i harrojmë kurrë”, thotë ai.

    Kafiteritë monotone

    Por, disa të rinj kanë përgjigje edhe për këtë mungesë të tyre në teatër.

    “Teatri nuk është ndonjë vend i cili tërheq. Aty më tepër ka artistë në skenë sesa publik në sallë”, thotë Xhelal Çollaku, student i vitit të katërt në Fakultetin e Kimisë.

    Xhelali hamandet të japë ndonjë shpjegim për mos vizitë të teatrit, duke harruar se në karriget e sallës duhet të ulet ai me shokët e tij e jo aktorët.

    Edhe pse secili nga të rinjtë e anketuar i konsideron si monotone mbrëmjet e kaluara në kafiteritë e kryeqytetit, megjithatë asnjëri prej tyre s’mund të heqë dorë nga vizita e tyre. Ata i gjen sërish aty, ditën, natën, vikendeve, aty në njërën nga kafiteritë e preferuara.

    Mungojnë aktivitetet e lira, mungon marrja me ndonjë hobi, siç bënin më parë gjeneratat para nesh. E vetmja gjë me të cilën ata mund të krenohen para baballarëve të tyre, para gjeneratave të vjetra, është se janë më të bukur se ata, sepse raca shqiptare po përmirësohet dita-ditës?! E, me këtë konkludim të fëmijëve të tyre, prindërve s’mund t`u ndodhë gjë tjetër veçse t`i mbërthejë vaji. /Telegrafi/

  • Turisti gjendet i vdekur në një “kult seksual” në Sicili

    Turisti gjendet i vdekur në një “kult seksual” në Sicili

    Turisti gjendet i vdekur në një “kult seksual” në Sicili

    Një turist britanik 35-vjeçar është gjetur i vdekur në një tendë të improvizuar pranë një ferme në afërsi të Canicattini Bagni, në provincën e Sirakuzës, Sicili.

    Benjamin Braithwaite, nga Leeds, kishte marrë pjesë në një takim të grupit të njohur si “Radical Faeries”, një komunitet që zhvillon rituale alternative dhe, sipas raportimeve, edhe përdorim të drogës.

    Sipas një ish-anëtari të grupit, i cili ka folur në mënyrë anonime, Braithwaite mund të ketë qenë viktimë e një sulmi seksual nën ndikimin e drogës, por kjo mbetet vetëm një pretendim dhe nuk është konfirmuar nga autoritetet, shkruan Metro, transmeton Klankosova.tv.

    Në vendin ku u gjet trupi, hetuesit kanë zbuluar disa lëndime, si dhe drogë dhe objekte të lidhura me rituale. Një prej tyre përshkruhet si një figurë gjysmë njeri e gjysmë cjap.

    Takimi ku kishte marrë pjesë Braithwaite ishte përshkruar nga organizatorët si një tubim gjithëpërfshirës i personave queer për të shënuar ekuinoksin e vjeshtës.

    Karabinierët italianë po hetojnë vdekjen dhe, deri tani, nuk e kanë cilësuar atë si vrasje. Shkaqet dhe rrethanat e vdekjes mbeten nën hetim.

  • Ismaili pasi e uroi Shiroka-Pulën, ia vendosi emblemën e UÇK-së në xhaketë

    Ismaili pasi e uroi Shiroka-Pulën, ia vendosi emblemën e UÇK-së në xhaketë

    Ismaili pasi e uroi Shiroka-Pulën, ia vendosi emblemën e UÇK-së në xhaketë

    Nënkryetari i PDK-së, deputeti Uran Ismaili, pasi e ka uruar mbrëmë ish-bashkëpartiaken Justina Shiroka-Pulën, menjëherë pas zgjedhjes së saj presidente, ia vendosi edhe emblemën e UÇK-së në xhaketë.

    Ky gjest simbolik përmbylli një natë me dy vendime të rëndësishme për vendin: miratimin e ligjit që mbron UÇK-në dhe zgjedhjen e presidentes së re.

    “PDK-ja ka insistuar në miratimin e këtij ligji, duke e konsideruar mbrojtjen e UÇK-së dhe të çlirimtarëve prioritet shtetëror dhe obligim ndaj historisë së Kosovës”, thuhet në njoftim.

    Pula-Shiroka ka qenë për një kohë të gjatë pjesë e PDK-së, duke shërbyer si deputete dhe ministre. Së fundmi, ajo ka mbajtur detyrën e kryetares së Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës./Klankosova.tv

  • Jorge Jesus për kërkesat e Ronaldos: Do ta lexoj deklaratën tani, nuk kam asgjë për të thënë

    Jorge Jesus për kërkesat e Ronaldos: Do ta lexoj deklaratën tani, nuk kam asgjë për të thënë

    Trajneri i ekipit kombëtar të Portugalisë, Jorge Jesus ka thënë se ende nuk ka pasur mundësinë ta lexojë deklaratën e sulmuesit Cristiano Ronaldo, por ishte në dijeni të publikimit të saj.

    Pasi nuk doli në fushë kundër Norvegjisë, 41-vjeçari Ronaldo i vendosi një sërë kushtesh Jesusit duke u larguar fillimisht nga grumbullimi.

    Vetë Cristiano më vonë dha një përshkrim të detajuar të versionit të tij të ngjarjeve të fundit midis tij dhe trajnerit të Portugalisë.

    Ai gjithashtu shprehu gatishmërinë e tij për të vazhduar të luajë për ekipin kombëtar.

    Tani ka reaguar edhe trajneri Jesus, i cili ka thënë se ende nuk e ka lexuar deklaratën e sulmuesit.

    “Isha në Leiria, duke parë ndeshjen e ekipit kombëtar U21 . Do ta lexoj deklaratën tani, nuk kam asgjë për të thënë”, u përgjigj shkurt trajneri. /Telegrafi/

  • VATRA nga diaspora shqiptare në SHBA uron Justina Shiroka-Pulën për zgjedhjen presidente të Kosovës

    VATRA nga diaspora shqiptare në SHBA uron Justina Shiroka-Pulën për zgjedhjen presidente të Kosovës

    Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “VATRA” ka uruar akademiken Prof. Dr. Justina Shiroka-Pula për zgjedhjen e saj në detyrën e Presidentes së Republikës së Kosovës.

    Në një telegram urimi, kryetari i VATRËS, Dr. Elmi Berisha, në emër të Federatës, gazetës “Dielli” dhe familjes së tij, i ka përcjellë Shiroka-Pulës urimet më të përzemërta me rastin e zgjedhjes së saj në krye të shtetit.

    “Zgjedhja e një personaliteti të shquar të botës akademike në krye të shtetit përbën një moment me rëndësi të veçantë për Kosovën, Shqipërinë dhe shqiptarët kudo në botë”, thuhet në telegramin e VATRËS, transmeton Telegrafi.

    VATRA ka vlerësuar formimin akademik dhe përvojën e gjatë universitare e publike të presidentes së re, duke theksuar, siç thuhet në telegram, edhe vlerat e dinjitetit, integritetit, përgjegjësisë dhe përkushtimit ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës.

    Në telegramin e urimit thuhet se zgjedhja e Shiroka-Pulës është dëshmi e rëndësisë që Kosova u kushton institucioneve të saj, kulturës demokratike dhe përgjegjësisë shtetërore.

    VATRA ka shprehur bindjen se përvoja dhe autoriteti akademik i presidentes së re do t’i shërbejnë forcimit të kulturës institucionale, dialogut, unitetit qytetar dhe përfaqësimit të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

    Federata Pan-Shqiptare e Amerikës ka vlerësuar gjithashtu deputetët e Kuvendit të Kosovës që morën pjesë në procesin e zgjedhjes së presidentes, si dhe gatishmërinë për të arritur kompromis institucional në funksion të Republikës së Kosovës dhe interesit të qytetarëve.

    Në telegram, VATRA e ka cilësuar Shiroka-Pulën si “mike të veçantë” të Federatës dhe ka shprehur gatishmërinë për të ofruar kapacitetet dhe mundësitë e saj institucionale në mbështetje të Institucionit të Presidentit të Republikës së Kosovës.

    “Ju urojmë shëndet, urtësi, mbarësi dhe suksese në shërbim të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj”, thuhet në fund të telegramit të urimit të nënshkruar nga kryetari i VATRËS, Dr. Elmi Berisha.

    VATRA e ka përmbyllur urimin me mesazhin: “Urime, Presidente e Republikës së Kosovës! Urime Republikës së Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj!”.