Author: Momenti
-

“Nuk e kuptoj se si mund të mbijetojnë pas gjithë kësaj”, gazetari i njohur britanik
Gazetari më i fuqishëm sportiv në Britani, David Ornstein, foli për herë të parë rreth dënimit të mundshëm për Manchester Cityn, pasi ata u shpallën fajtorë për 114 akuza.
Orsntein njoftoi se nuk sheh asnjë mënyrë që Manchester City të qëndrojë në ligë pas gjithë kësaj. Largimi i forcës më dominuese në futbollin anglez në dekadën e fundit ose më shumë është gjithnjë e më i mundshëm dhe duket se është çështje ditësh.
“Nuk e kuptoj se si Manchester City mund të vazhdojë të garojë në Ligën Premier. Logjika dikton që një komision i pavarur mund të vendosë sanksione jashtëzakonisht të ashpra, megjithëse këto janë vetëm spekulime”, ka thënë fillimisht Ornstein.
“Sanksionet mund të përfshijnë gjoba të mëdha dhe pagesa kompensimi për klubet dhe lojtarët që janë privuar nga titujt dhe bonuset, së bashku me një detyrim për të mbështetur ekosistemin e futbollit, një ndalim transferimesh dhe masa kundër drejtuesve dhe anëtarëve të bordit, dhe ndoshta edhe kundër pronarëve të klubeve”, njoftoi Ornstein, i cili është njëri nga njerëzit më të përfshirë në punët e Ligës Premier dhe gjithçka që po ndodh.
Si kujtesë, vendimi i shkallës së parë thotë se City është fajtor për 114 akuza për shkelje të rënda të rregullave të Ligës Premier, duke përfshirë pagesa të paligjshme për menaxherët dhe lojtarët, kontrata të rreme, “pompim” të paligjshëm parash në klub e të tjera.
City përdori të drejtën e apelimit dhe ende pretendon se gjithçka është bërë në klub sipas rregullave, dhe afati i apelimit është 12 javë. Pas kësaj, më së voni brenda një muaji, do të merret një vendim përfundimtar që mund të ndryshojë fatin e ligës më të fortë në botë. /Telegrafi/
-

Pije dietike apo ujë? Studimi zbulon cila ndihmon më shumë në humbjen e peshës
Një studim dyvjeçar nga Universiteti i Liverpoolit ka zbuluar se pijet dietike me ëmbëlsues artificialë mund të jenë po aq efektive sa uji në një program për humbje peshe, madje pjesëmarrësit që konsumuan pije dietike humbën mesatarisht pak më shumë peshë.
Në studim morën pjesë 493 persona të moshës 18 deri në 65 vjeç, me mbipeshë ose obezitet.
Një grup konsumoi rreth gjysmë litri ujë në ditë, ndërsa grupi tjetër të njëjtën sasi pijesh me ëmbëlsues pa vlera ushqyese, për 104 javë.
Foto ilustruesePas dy vitesh, grupi që konsumoi pijet dietike humbi rreth 5 kilogramë, teksa ai që konsumoi ujë rreth 3 kilogramë.
Të dy grupet patën gjithashtu ulje të perimetrit të belit dhe ijeve dhe të masës dhjamore, pa dallime të rëndësishme mes tyre.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se rezultatet nuk nënkuptojnë se pijet dietike shkaktuan vetë rënien në peshë.
Pjesëmarrësit ishin pjesë e një programi të strukturuar që përfshinte këshillim ushqimor, mbështetje në ndryshimin e sjelljes dhe rekomandime për aktivitet fizik.
Studimi gjithashtu kishte disa kufizime, pasi u zhvillua në një lokacion të vetëm në Angli dhe vetëm 220 nga 493 pjesëmarrësit e përfunduan vlerësimin pas 104 javësh. /Telegrafi/
-

Humbja e talentëve nga Gjermania, drejtori i Bayernit përmend edhe Erblin Osmanin

Drejtori i zhvillimit të talentëve te Bayern Munich, Jochen Sauer, ka folur për problemin e talenteve që mund të zgjedhin të përfaqësojnë kombëtare të tjera, duke përmendur edhe yllin kosovar të klubit bavarez, Erblin Osmanin.
Në një intervistë për “GOAL”, Sauer ka diskutuar për zhvillimin e futbollistëve të rinj në Gjermani dhe sfidat me të cilat përballet Federata Gjermane e Futbollit, në ruajtjen e talenteve të saj.
Sipas tij, Gjermania po përballet me një konkurrencë gjithnjë e më të madhe nga federatat e tjera, pasi shumë futbollistë të lindur në Gjermani kanë zgjedhur ose mund të zgjedhin të luajnë për vendet e prejardhjes së tyre, transmeton Klankosova.tv.
“Ka shumë lojtarë të lindur në Gjermani të cilët Jürgen Klopp nuk mund t’i ftojë në Kombëtare”, ka thënë Sauer, duke përmendur emra si Kenan Yildiz, Can Uzun, Josip Stanishiq, Paul Wanner dhe Malik Tillman, të cilët kanë lidhje me kombëtare të ndryshme.
Në këtë kontekst, ai ka veçuar edhe Erblin Osmanin, talentin e Bayern Munichut me prejardhje nga Kosova.
“Ne e shohim nga afër se sa shumë thirrje nga federata të ndryshme kombëtare vijnë për lojtarë të caktuar. Erblin Osmani, i lindur në Mynih, aktualisht është me Kombëtaren A të Kosovës”, ka deklaruar Sauer.
Osmani, i cili është zhvilluar në akademinë e Bayern Munichut që nga mosha e vogël, tashmë ka bërë edhe debutimin me ekipin e parë të gjigantit bavarez.
17-vjeçari debutoi në Bundesligë në mars të këtij viti, në fitoren 4-0 ndaj Union Berlinit, kur u inkuadrua në minutën e 87-të në vend të Leon Goretzkas. Me këtë paraqitje, ai u bë lojtari i tretë më i ri në historinë e Bayern Munichut që debuton me ekipin e parë, në moshën 16-vjeçare, 10 muaj dhe dy ditë.
Në korrik, Bayern Munich e shpërbleu talentin kosovar me një kontratë afatgjatë, duke e konsideruar atë një prej produkteve të rëndësishme të akademisë së klubit.
Osmani ka përfaqësuar më herët Gjermaninë në grupmoshat e reja, por tashmë ka zgjedhur Kosovën dhe është grumbulluar me Kombëtaren A të “Dardanëve”.
Pikërisht rasti i tij ilustron shqetësimin e Sauer për të ardhmen e futbollit gjerman dhe konkurrencën që po u bëjnë federatat e tjera talenteve të rritur në Gjermani.
Sauer vlerëson se Gjermania duhet t’u krijojë më shumë mundësi të rinjve për të kaluar nga futbolli i moshave në atë profesionist, pasi vetëm përmes minutave në futbollin e të rriturve lojtarët mund të zhvillohen dhe të bëhen kandidatë për Kombëtaren gjermane.
-

Aksident në Shqipëri, lëndohen shtatë persona, prej tyre pesë të së njëjtës familje

Një aksident i rëndë ka ndodhur gjatë natës së mbrëmshme në aksin nacional Maqellarë–Peshkopi, në vendin e quajtur Dovalan në Shqipëri.
Si pasojë e aksidentit, 7 persona kanë mbetur të lënduar.
Ata kanë marrë ndihmën e parë mjekësore në Spitalin e Peshkopisë dhe më pas janë nisur drejt Tiranës për trajtim më të specializuar, me 6 ambulanca të Spitalit të Peshkopisë.
Sipas të dhënave paraprake, 5 prej të plagosurve janë pjesëtarë të së njëjtës familje.
Mes tyre ka edhe fëmijë, ndërsa raportohet se disa prej të lënduarve ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore.
Policia ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e këtij aksidenti.
-

Ish-burri i Sofia Vergarës zbulon se çfarë përjetoi gjatë martesës së tyre: “Ishte e vështirë”
Aktori Joe Manganiello (49) ka bërë akuza të rënda kundër ish-gruas së tij Sofia Vergara (54) në një libër të ri kujtimesh. Ai pretendon se aktorja nuk i ofroi mbështetje emocionale ndërsa ai luftonte me një sëmundje të rëndë autoimune për shtatë vjet dhe se ajo as nuk e përqafoi kur ai ishte në gjendjen e tij më të keqe.
Manganiello dhe Vergara u ndanë në korrik 2023 dhe pas divorcit, ata dhanë arsye të ndryshme pse martesa e tyre mori fund. Ndërsa Vergara pretendoi se dëshira e tij për të pasur fëmijë ishte faktori vendimtar, Manganiello vazhdon ta mohojë këtë.
Humbi 27 kilogramë për shkak të sëmundjes
Në kujtimet e tij “Bloodlines”, i cili del më 13 tetor, aktori foli hapur për kohërat e vështira që kaloi gjatë martesës së tij. Sipas fragmenteve të publikuara nga revista People, Manganiello pohon se marrëdhënia e tyre u ftoh gradualisht ndërsa ai luftoi me një sëmundje që përfundimisht kërkoi ndërhyrje kirurgjikale.
Problemet e tij shëndetësore filluan menjëherë pas dasmës së tij në vitin 2015. Ai vuante nga dhimbje stomaku aq të forta saqë ndonjëherë nuk mund të ecte as në këmbë, të shkaktuara nga ulçera në sistemin e tij tretës. Ai gjithashtu kishte ethe të larta, skuqje me flluska, dhimbje koke, lodhje kronike dhe gjakderdhje nga pjesa e fundit e zorrëve.
Për shkak të sëmundjes, ai humbi deri në 27 kilogramë dhe në vitin 2016 iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale urgjente, gjatë së cilës iu hoq një pjesë e zorrës dhe iu krijua një stomë.
Ai pretendon se Sofia as nuk donte ta përqafonte.
Manganiello zbuloi gjithashtu se sa shumë sëmundja ka ndikuar në gjendjen e tij mendore. Ai pretendon se dhimbja u bë aq e padurueshme në vitin 2019 saqë e gjeti veten në prag të rraskapitjes.
Ai thotë se adoptimi i një qeni Chihuahua me emrin Bubbles e ndihmoi të kalonte atë kohë, duke i dhënë një arsye të re për të jetuar. Sipas tij, Vergara tallte lidhjen e tij me qenin. “Më duhej ta lija armën mënjanë dhe pastaj erdhi qeni. Nga një pacient u shndërrova në dikë që kujdesej për dikë tjetër”, shkroi ai në kujtimet e tij.
Aktori pohon se, ndërsa po përpiqej të rikuperohej, ai u distancua gjithnjë e më shumë nga gruaja e tij. Ai e përshkroi marrëdhënien e tyre si të ftohtë dhe pa intimitet, dhe gjithashtu pohon se Vergara nuk donte ta përqafonte edhe kur ai i lutej.
Sofia pretendoi se ata u divorcuan për shkak të fëmijëve.
Në libër, Manganiello rishikoi gjithashtu pretendimet e ish-gruas së tij se martesa e tyre përfundoi sepse ai donte fëmijë dhe ajo jo.
Vergara i tha gazetës spanjolle El País në janar 2024 se nuk donte të bëhej përsëri nënë në moshën e saj. “Nuk doja të isha një nënë e moshuar. Mendoj se nuk është e drejtë për fëmijën. I respektoj këdo që e bën këtë, por nuk është më për mua”, tha ajo në atë kohë, duke shtuar se ishte gati të bëhej gjyshe, por jo përsëri nënë.
Megjithatë, Manganiello pohon se për shkak të një sëmundjeje të rëndë, ai hoqi dorë nga planet për fëmijë pas përpjekjeve të pasuksesshme për riprodhim të asistuar mjekësor.
Ai thotë se ata menduan të përdornin vezë të dhuruara, por nuk donte të rrezikonte vdekjen dhe ta linte Vergarën vetëm me një fëmijë me të cilin nuk kishte lidhje biologjike. Ai e kundërshtoi publikisht versionin e saj të historisë në korrik 2024 në një intervistë me Men’s Journal.
“Është shkruar shumë për mua që dua një familje. Kjo thjesht nuk është e vërtetë”, tha ai në atë kohë, duke shpjeguar se ai dhe Vergara kishin tentuar të kishin një fëmijë gjatë vitit e gjysmë të parë të martesës së tyre.
Sot ai është i fejuar dhe po mendon përsëri për fëmijët.
Manganiello tani është i fejuar me 37-vjeçaren Caitlin O’Connor dhe thotë se pas gjithçkaje që ka kaluar, është i hapur për mundësinë që të bëhet përsëri baba.
“Nëse është e thënë të ndodhë. Për shtatë vjet mendova se do të vdisja javën tjetër. Bota më është hapur përsëri”, shkroi ai.
-

AfD-ja kërkon t’i jepet fund mbështetjes gjermane për Ukrainën
Partia e ekstremit të djathtë në Gjermani, Alternativa për Gjermaninë (AfD), do të paraqesë së bashku me partinë e vogël të së majtës, BSW, një mocion në parlamentin rajonal të Saksonisë-Anhaltit, për ndërprerjen e mbështetjes ushtarake gjermane për Ukrainën.
Mocioni pritet të debatohet javën e ardhshme në parlamentin e këtij landi, megjithëse nuk do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në politikën e jashtme të Gjermanisë, pasi kjo fushë është ekskluzivisht në kompetencë të qeverisë federale në Berlin.
Megjithatë, iniciativa tregon presionin e fortë të AfD-së për t’i dhënë fund mbështetjes gjermane për Ukrainën dhe për të rivendosur marrëdhëniet me Rusinë, të cilat janë shkëputur në masë të madhe që nga pushtimi i plotë rus i Ukrainës në shkurt 2022.
“Ky mocion simbolizon dëshirën për ndryshim”, deklaroi Ulrich Siegmund, kreu i AfD-së në Saksoninë-Anhalt.
Siegmund udhëhoqi AfD-në drejt rezultatit më të mirë elektoral në historinë e saj muajin e kaluar, duke dalë e para në zgjedhjet e landit, por pa arritur shumicën e nevojshme për të formuar qeverinë e parë të AfD-së në Gjermani.
Që prej atëherë, ai ka shqyrtuar mundësinë e bashkëpunimit politik me BSW-në, e cila, ashtu si AfD-ja, prej kohësh kundërshton mbështetjen gjermane për Ukrainën.
Siegmund tha se partia e tij do të shfrytëzojë çdo mundësi për t’i bërë presion qeverisë së kancelarit Friedrich Merz, që “më në fund të angazhohet për përfundimin e luftës dhe jo për zgjatjen e saj”.
Ai argumentoi gjithashtu se paratë që shpenzohen për Ukrainën duhet të përdoren “për njerëzit në vendin tonë”.
Edhe themeluesja e BSW-së, Sahra Wagenknecht, mbështeti nismën, transmeton Telegrafi.
Në një postim në platformën X, ajo tha se Gjermanisë i nevojitet “një qeveri federale që më në fund të bëjë përpjekje për të rifilluar dialogun me Moskën”.
Mocioni vjen rreth dy javë pasi ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, zhvilloi një takim me homologun e tij rus, Sergei Lavrov, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
Takimi nuk solli shenja përparimi në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës. Lavrov u tregua kritik ndaj takimit gjatë një konference për media pas bisedimeve, ndërsa Ministria e Jashtme gjermane tha se ai kishte forcuar bindjen e Berlinit se Moska nuk është e gatshme të negociojë as për një armëpushim dhe as për përfundimin e luftës në Ukrainë.
Ndërkohë, kancelari Friedrich Merz vizitoi Kievin gjatë fundjavës, ku rikonfirmoi mbështetjen e Gjermanisë për Ukrainën.
Autoritetet gjermane kanë akuzuar gjithashtu Rusinë për një seri sulmesh hibride dhe sulmesh me dronë në territorin gjerman, akuza që Moska i ka mohuar.
Megjithëse mocioni i AfD-së dhe BSW-së në parlamentin e Saksonisë-Anhalt nuk mund të ndryshojë politikën e jashtme të Gjermanisë, ai pasqyron përplasjen në rritje brenda vendit për të ardhmen e mbështetjes ndaj Ukrainës dhe marrëdhëniet me Rusinë. /Telegrafi/