Author: Momenti

  • Pas Lionel Messit, kush do ta veshë fanellën me numrin 10 të Argjentinës?

    Pas Lionel Messit, kush do ta veshë fanellën me numrin 10 të Argjentinës?

    Pas më shumë se dy dekadash, Lionel Messi i ka dhënë fund aventurës së tij me Argjentinën. Të martën mbrëma, në “Estadio Monumental” të River Plate, Messi zhvilloi paraqitjen e tij të fundit me fanellën e Argjentinës.

    Për 39-vjeçarin ishte ndeshja e 208-të me përfaqësuesen, ndërsa ai largohet si lojtari me më shumë paraqitje dhe golashënuesi më i mirë në historinë e saj, me 125 gola.

    Messi e udhëhoqi Argjentinën drejt triumfit në Kupën e Botës 2022 dhe dy titujve të Copa América, duke e mbyllur një epokë të jashtëzakonshme. Në Botërorin e vitit 2026 ai shënoi tetë gola, por Argjentina humbi finalen ndaj Spanjës.

    Tani, përzgjedhësi Lionel Scaloni duhet të ndërtojë një Argjentinë pa lojtarin që për vite të tëra ishte pika qendrore e saj.

    Dhe një prej pyetjeve më të mëdha është: kush do ta veshë fanellën me numrin 10?

    Pesha e fanellës

    Trashëgimia e Diego Maradonës dhe Lionel Messit e bën fanellën me numrin 10 ndoshta më të rëndën në futbollin argjentinas.

    Pas pensionimit të Maradonës në vitin 1994, Argjentina kaloi një periudhë të vështirë tranzicioni. Pablo Aimar, Ariel Ortega dhe Juan Román Riquelme e veshën fanellën në periudha të ndryshme, por askush nuk arriti të mbushte boshllëkun e krijuar nga legjenda e vitit 1986.

    Riquelme e mbajti fillimisht fanellën me numrin 10, ndërsa më pas ia la atë Messit. Edhe për yllin e Barcelonës nuk ishte e lehtë të fitonte menjëherë zemrat e të gjithë tifozëve argjentinas.

    Por Messi evoluoi nga një organizator i qetë në një lider të jashtëzakonshëm dhe përfundimisht e bëri numrin 10 të tijin.

    Tani, sfida është edhe më e madhe.

    Zgjedhja më e sigurt – Julián Álvarez

    Një prej kandidatëve më të natyrshëm është Julián Álvarez.

    Sulmuesi i Atlético Madridit e ka zëvendësuar Messin në disa raste gjatë ciklit të kualifikueseve të Botërorit 2026, sidomos në ndeshjet kur kapiteni ishte i kufizuar në paraqitje.

    Álvarez regjistroi shtatë kontribute në gola gjatë kualifikueseve, ndërsa një prej paraqitjeve të tij më të mira ishte në fitoren 4-1 ndaj Brazilit, ku shënoi golin e parë dhe ishte vazhdimisht kërcënim për mbrojtjen kundërshtare.

    26-vjeçari ka përvojë të madhe në nivelin më të lartë. Ai ishte pjesë e Manchester Cityt që fitoi tripletën dhe më pas u bë një prej lojtarëve kryesorë të Atlético Madridit.

    Megjithatë, Álvarez nuk ka profilin kreativ të Messit dhe nuk është një organizator tipik. Për këtë arsye, nëse do të marrë fanellën me numrin 10, duhet të dëshmojë se mund ta udhëheqë Argjentinën edhe në aspektin krijues.

    Më i ngjashmi – Nico Paz

    Në mesin e kandidatëve, Nico Paz është ai që ka profilin më të ngjashëm me Messin. 22-vjeçari është një numër 10 klasik, teknikisht i shkëlqyer, me aftësi për të ndryshuar ritmin e ndeshjes dhe me këmbën e majtë si Messi.

    Paz ka bërë emër te Como, ku është shndërruar në një prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës.

    Në Ligën e Kampionëve, ai dha dy asistime në fitoren 4-1 ndaj RB Leipzigut, ndërsa kompletoi 95 për qind të pasimeve, realizoi katër driblime të suksesshme dhe fitoi 10 duele në tokë.

    Edhe Cesc Fabregas e ka vlerësuar talentin e tij, ndërsa Messi vetë ka folur pozitivisht për Paz, duke e përshkruar si një lojtar që e kupton shumë mirë lojën.

    Megjithatë, pritjet duhet të jenë të kontrolluara. Paz mund të mos jetë një golashënues si Messi, por mund të bëhet pjesë shumë e rëndësishme e një Argjentine më kolektive.

    Xhokeri – Franco Mastantuono

    Argjentina ka edhe një tjetër talent të madh në këmbën e majtë: Franco Mastantuono. 19-vjeçari është një prej produkteve më interesante të akademisë së River Plates dhe këtë vit kaloi te Real Madridi për 45 milionë euro.

    Fillimi i tij në Evropë nuk ishte i lehtë, pasi pati vështirësi për të siguruar një vend titullari dhe luajti 23 ndeshje në La Liga.

    Mastantuono tashmë e ka veshur edhe fanellën me numrin 10 të Argjentinës. Ai e theu rekordin e Maradonës duke u bërë lojtari më i ri argjentinas që e mbante këtë numër në një ndeshje kualifikuese të Kupës së Botës.

    Pas huazimit te Fiorentina, ku ka gjetur më shumë hapësirë dhe ritëm, talenti i tij po shfaqet përsëri.

    Ai preferon të nisë nga krahu i djathtë dhe më pas të futet në qendër, një mënyrë loje që në shumë aspekte të kujton Messin.

    Mastantuono nuk ka shpejtësinë që kishte Messi në vitet e tij të para, por kompenson me teknikën, driblimet, kombinimet dhe personalitetin.

    Befasia – Thiago Almada

    Një tjetër emër në garë është Thiago Almada. 25-vjeçari ka qenë prej kohësh një lojtar i preferuar i Scaloni dhe ishte pjesë e Argjentinës që fitoi Kupën e Botës në Katar.

    Almada mund të luajë si numër 10, numër 8 ose në krahë, duke i dhënë trajnerit disa alternativa taktike.

    Ai shkëlqeu gjatë periudhës së tij në MLS me Atlanta United, por nuk arriti të bindë plotësisht në Evropë, ku pati periudha jo shumë të suksesshme te Lyon dhe Atlético Madrid.

    Megjithatë, rikthimi në Argjentinë mund t’i japë mundësinë të rigjejë formën më të mirë dhe të rikthehet në planet e Scaloni.

    Fundi i një epoke

    Argjentina nuk do ta zëvendësojë Lionel Messin me një lojtar të vetëm. Kjo është ndoshta sfida më e madhe për Scaloni.

    Álvarez mund të udhëheqë sulmin, Paz të luajë pas tij dhe Mastantuono të marrë një rol nga krahu i djathtë. Ndërkohë, Enzo Fernández dhe Alexis Mac Allister mund të vazhdojnë të japin ekuilibrin në mesfushë.

    Në mbrojtje, Cristian Romero pritet të marrë një rol edhe më të rëndësishëm si lider i skuadrës, ndërsa Argjentina ende ka në dispozicion lojtarë si Lautaro Martínez. Por largimi i Messit nuk është i vetmi ndryshim.

    Nicolás Otamendi tashmë është pensionuar nga futbolli ndërkombëtar, ndërsa edhe lojtarë si Emiliano Martínez, Leandro Paredes dhe Nicolás Tagliafico mund të jenë pranë fundit të aventurës së tyre me përfaqësuesen.

    Rodrigo De Paul dhe Giovani Lo Celso, gjithashtu, kanë kaluar të 30-at. Prandaj, Argjentina nuk po kërkon thjesht pasardhësin e Messit. Po hyn në një epokë të re.

    Dhe ndoshta pyetja nuk është se cili lojtar do të bëhet “Messi i ri”, por nëse Argjentina mund të ndërtojë një skuadër që nuk do të ketë më nevojë për një Messi të ri. /Telegrafi/

  • Rreth 20 minatorë të Trepçës arrijnë të dalin, mbesin të ngujuar edhe mbi 40 të tjerë (VIDEO)

    Rreth 20 minatorë të Trepçës arrijnë të dalin, mbesin të ngujuar edhe mbi 40 të tjerë (VIDEO)

    Rreth 20 minatorë të Trepçës arrijnë të dalin, mbesin të ngujuar edhe mbi 40 të tjerë (VIDEO)

    Rreth 20 minatorë të Trepçës kanë arritur të dalin nga miniera.

    Ndërkaq, mbi 40 të tjerë vazhdojnë të mbeten të ngujuar në thellësi të minierës.

    Ngujimi i 63 minatorëve ka ndodhur pasi është djegur trafo kryesore i këtij horizonti./Klankosova.tv

  • Kandidatët republikanë për Kongres nuk po e duan në fushatat e tyre Trumpin

    Kandidatët republikanë për Kongres nuk po e duan në fushatat e tyre Trumpin

    Republikanët që garojnë në zgjedhje të rëndësishme në SHBA po tregohen gjithnjë e më të kujdesshëm për të bërë fushatë krah presidentit amerikan, Donald Trump, ndërsa kjo situatë duket se po e shqetëson presidentin amerikan.

    Sipas një analize të CNN, shumë pak kandidatë republikanë morën pjesë në tubimin e madh të Trumpit muajin e kaluar. Ndërkohë, edhe agjenda e udhëtimeve të presidentit po shmang disa prej shteteve ku priten gara të forta.

    Lideri amerikan ka këmbëngulur se paraqitjet e tij në tubime po ndihmojnë kandidatët republikanë dhe se mbështetja për partinë është duke u rritur. Ai ka folur vazhdimisht për turmat në aktivitetet e tij dhe për ndikimin që, sipas tij, ato kanë në zgjedhje.

    Megjithatë, disa republikanë duket se nuk duan që 80-vjeçari të jetë pjesë e fushatës së tyre. Në Texas, guvernatori Greg Abbott nuk pritet të marrë pjesë në tubimin e ardhshëm të presidentit, ndërsa në shtete të tjera kandidatët kanë mbajtur distancë nga paraqitjet e përbashkëta me të.

    Situata është veçanërisht e ndjeshme në disa gara për Senat dhe Dhomën e Përfaqësuesve. Në Iowa, për shembull, disa republikanë janë distancuar nga Trumpi për shkak të qëndrimeve të tij lidhur me luftën në Iran, shkruan cnn.

    Ai kishte premtuar se do të udhëtonte në të gjithë SHBA-në për t’u bërë fushatë kandidatëve republikanë në zonat ku gara është e ngushtë. Por, më pak se katër javë para zgjedhjeve, ai ka vizituar vetëm një numër të kufizuar të zonave kryesore.

    Sipas CNN, kjo tregon se presidenti amerikan mund të mos shihet më nga të gjithë republikanët si një avantazh elektoral. Përkundrazi, disa kandidatë duket se kanë frikë se lidhja e ngushtë me presidentin mund t’u kushtojë vota.

    Për Trumpin, kjo është veçanërisht e ndjeshme, pasi ai e ka ndërtuar ndikimin e tij mbi Partinë Republikane gjatë dekadës së fundit dhe ka insistuar vazhdimisht se është figura që mund ta mobilizojë bazën republikane.

    Nëse republikanët vazhdojnë ta mbajnë larg fushatave të tyre, kjo mund të jetë një shenjë e dobësimit të ndikimit të Trumpit brenda partisë. Zgjedhjet e ardhshme pritet të tregojnë nëse presidenti amerikan vazhdon të jetë një aset elektoral për republikanët apo është shndërruar në një barrë për kandidatët që garojnë në zona të pasigurta. /Telegrafi/

  • IHDNj kërkon shpëtimin e menjëhershëm të minatorëve në Trepçë dhe nisjen e hetimeve

    IHDNj kërkon shpëtimin e menjëhershëm të minatorëve në Trepçë dhe nisjen e hetimeve

    Instituti për Hulumtime dhe të Drejtat e Njeriut (IHDNj) ka shprehur shqetësim lidhur me situatën në minierën e Stantërgut, ku sipas tij 64 minatorë kanë mbetur të ngujuar nën tokë.

    Në një reagim të publikuar lidhur me rastin, IHDNj ka kërkuar nga institucionet dhe ekipet përgjegjëse që të angazhohen maksimalisht për shpëtimin dhe nxjerrjen e sigurt të minatorëve.

    Sipas institutit, minatorët ndodhen të shpërndarë në horizontet 11, 10, 9 dhe 8, në thellësi që arrijnë deri në rreth 645 metra.

    “Jeta dhe siguria e tyre duhet të jenë prioriteti absolut. Çdo minutë është e rëndësishme dhe operacioni i shpëtimit duhet të zhvillohet me urgjencë, profesionalizëm dhe koordinim të plotë”, thuhet në reagimin e IHDNj-së.

    Instituti ka bërë të ditur se, sipas informacioneve të deritanishme, dalja e minatorëve po realizohet përmes rrugëve emergjente, ndërsa ekipet përkatëse po punojnë për mundësimin e nxjerrjes së sigurt të tyre.

    Përveç operacionit të shpëtimit, IHDNj ka kërkuar edhe sqarimin e plotë të rrethanave të incidentit, përfshirë shkaqet dhe funksionimin e mekanizmave, pajisjeve dhe procedurave të sigurisë.

    Në këtë drejtim, instituti i ka bërë thirrje Prokurorisë kompetente që të nisë hetime të plota, të pavarura dhe të paanshme.

    “Hetimi duhet të përcaktojë nëse ka pasur shkelje të rregullave të sigurisë në punë, neglizhencë institucionale, mosfunksionim të pajisjeve apo përgjegjësi të tjera individuale dhe institucionale”, thuhet në reagim.

    IHDNj ka theksuar se përgjegjësit, nëse konstatohen, duhet të mbajnë përgjegjësi në përputhje me ligjin.

    Instituti ka rikujtuar edhe një hulumtim të mëhershëm të tij, të titulluar “Punëtorët e padukshëm të Nëntokës”, përmes të cilit, sipas tij, janë dokumentuar kushtet e vështira të punës dhe rreziqet profesionale me të cilat përballen minatorët.

    Sipas IHDNj-së, minatorët përballen gjatë punës me ekspozim ndaj pluhurit, gazrave, ngarkesave të rënda fizike dhe rreziqeve të tjera që mund të kenë pasoja për shëndetin dhe sigurinë e tyre.

    “Siguria e minatorëve nuk mund të bëhet temë vetëm kur ndodh një incident. Ajo duhet të garantohet çdo ditë, në çdo ndërrim dhe në çdo metër nën tokë”, thuhet më tej në reagim.

    IHDNj ka kërkuar që, pas përfundimit të operacionit të shpëtimit, të bëhet një vlerësim i plotë i gjendjes së minierës, pajisjeve, infrastrukturës, rrugëve emergjente dhe procedurave të sigurisë.

    Instituti ka kërkuar gjithashtu transparencë të plotë dhe marrjen e masave konkrete për të parandaluar përsëritjen e rasteve të ngjashme./Telegrafi.

  • MIRUD, nga “Djali” te “Desnudo”: Artisti shqiptar që po lidh dy botë

    MIRUD, nga “Djali” te “Desnudo”: Artisti shqiptar që po lidh dy botë

    MIRUD, nga “Djali” te “Desnudo”: Artisti shqiptar që po lidh dy botë

    Nga muzika në gjuhën shqipe te arenat e Amerikës Latine, MIRUD ka ndërtuar një karrierë që gjatë viteve ka kapërcyer gjuhë, tregje dhe kontinente, duke u shndërruar në një nga figurat shqiptare me një prej rrugëtimeve më të pazakonta në skenën ndërkombëtare.

    Një prej kapitujve që paralajmëroi këtë rrugëtim ishte albumi “Djali (Deluxe Edition)”, i publikuar në vitin 2021. Projekti në gjuhën shqipe arriti në vendin e parë në Shqipëri dhe Kosovë, ndërsa u rendit gjithashtu në Apple Music në Meksikë dhe Shtetet e Bashkuara.

    Në të njëjtën periudhë, “Nëse vdes”, kënga me të cilën MIRUD u prezantua në Festivalin e 59-të të Këngës në RTSH, arriti në vendin e parë në Top Awards të Top Channel. Kënga depërtoi edhe në klasifikimet evropiane, duke arritur vendin e pestë në Suedi, të katërtin në Holandë, të dytin në Maqedoni, të tretin në Bullgari dhe të gjashtin në Rumani.

    Por kapitulli që do ta zgjeronte ndjeshëm hartën e karrierës së tij erdhi me “Whispers From The Red Dunes”.

    “Whispers From the Red Dunes”, 120 milionë transmetime dhe suksesi digjital

    Një nga periudhat me rritjen më të madhe digjitale në karrierën e MIRUD erdhi me “Whispers From the Red Dunes”, projektin me 11 këngë të publikuar më 8 maj 2025.

    Projekti arriti mbi 120 milionë transmetime në platformat digjitale, duke u kthyer në një nga sukseset më të mëdha të katalogut të tij. Vetëm në Spotify, këngë si “Escondes”, “Deep End” dhe “Come to Me” regjistruan miliona dëgjime, ndërsa projekti u shoqërua nga një periudhë intensive publikimesh vizuale.

    Në YouTube, kjo periudhë solli disa prej videove më të shikuara të MIRUD. “Dangerous” ka arritur rreth 7.5 milionë shikime, “Ride the Sin” 5.2 milionë, “Mountain Top” dhe “Chance on Me” nga 4 milionë secila, ndërsa “Back & Forth” ka kaluar 3.1 milionë shikime.

    Publikime të tjera vazhduan me shifra milionëshe, përfshirë “Dios Me Lo Quitó” me 2.3 milionë, “Cry Me a River” me 2.1 milionë, “Blind” (Live Session) me 1.7 milionë, si dhe “Mátame Lento” dhe “Bendita” me nga 1.5 milionë shikime. “People Gonna Hate”, “Sweet Tajine”, “Ninguém Como Ela” dhe “Mallkim” kanë kaluar gjithashtu pragun e një milion shikimeve. Një nga momentet më të forta të kësaj periudhe ishte publikimi i “Ride the Sin”, i cili regjistroi 2.5 million shikime ne 17 oret e para të publikimit, duke shënuar një nga debutimet digjitale më të shpejta të karrierës së tij.

    Me mbi 120 milionë transmetime të lidhura me projektin dhe një seri videoklipesh me audienca milionëshe, “Whispers From the Red Dunes” shënoi një pikë kthese në shtrirjen digjitale të MIRUD, përpara kapitullit të tij të radhës ndërkombëtar me “Desnudo”.

    “Desnudo” dhe hyrja në tregun latin

    I publikuar në janar 2026, albumi tërësisht në spanjisht u ngjit në vendin e parë të Apple Music në një sërë shtetesh, përfshirë Venezuelën, Kolumbinë dhe Republikën Dominikane, ndërsa më vonë hyri edhe në Top 10 në Shtetet e Bashkuara. Gjatë vitit, shitjet e raportuara të albumit kaluan shifrën prej 100 mijë kopjesh.

    Suksesi erdhi pas një afrimi disa-vjeçar të MIRUD me publikun latin. Në vitin 2025, “Dios Me Lo Quitó” u vlerësua në Premio Lo Nuestro për performancën vokale në bachata, ndërsa në vitin 2026 “Desnudo” solli një tjetër vlerësim në Premios Juventud, këtë herë për performancën vokale pop.

    Më pas erdhi Éter Tour.

    Turneu përfshiu 10 qytete dhe 10 arena në Amerikën Latine, me ndalesa në metropole si Mexico City, Bogotá, Caracas, Santiago de Chile dhe Buenos Aires. Të dhjetë datat u raportuan si të shitura plotësisht.

    Për një artist shqiptar, kjo nuk ishte vetëm një seri koncertesh. Ishte momenti kur suksesi digjital në tregun latin u shndërrua në mijëra njerëz përballë skenës.

    Një figurë që ka sfiduar modelin tradicional të artistit shqiptar

    Ndikimi i MIRUD nuk lidhet vetëm me klasifikimet dhe çmimet.

    Në Shqipëri dhe Kosovë, ai ka ndërtuar ndër vite një figurë publike që shpesh ka sfiduar pritshmëritë tradicionale ndaj një artisti shqiptar — përmes imazhit, performancës, modës dhe mënyrës se si ka ndërtuar botë të ndryshme artistike rreth projekteve të tij.

    Për një brez të ri që e ndjek, rëndësia e tij qëndron edhe te ideja se një artist shqiptar nuk duhet domosdoshmërisht të kufizohet në një treg apo në një gjuhë.

    Në Amerikën Latine, historia merr një tjetër dimension. Nga paraqitja në Viña del Mar dhe Gaviota de Plata, te muzika në spanjisht, Premio Lo Nuestro, Premios Juventud dhe më pas Éter Tour, MIRUD ka krijuar një lidhje me një publik që tradicionalisht ka pasur shumë pak ekspozim ndaj artistëve me prejardhje shqiptare.

    Pikërisht për këtë arsye, rrugëtimi i tij është parë nga një pjesë e publikut si një shembull i thyerjes së barrierave: jo duke fshehur prejardhjen shqiptare për t’u bërë ndërkombëtar, por duke e marrë atë me vete në skena të reja.

    Nga Shqipëria dhe Kosova në Amerikën Latine

    Sot, dy anët e karrierës së MIRUD ekzistojnë paralelisht.

    “Djali” dhe “Nëse vdes” treguan se muzika në shqip mund të udhëtojë përtej tregut shqiptar. “Desnudo” dëshmoi se i njëjti artist mund të ndërtojë një kapitull të tërë në një tjetër gjuhë dhe kulturë.

    Nga vendi i parë në Shqipëri dhe Kosovë, te klasifikimet evropiane, sukseset në Amerikën Latine dhe 10 arenat e Éter Tour, MIRUD ka ndërtuar një karrierë ku identiteti shqiptar dhe ambicia ndërkombëtare nuk përjashtojnë njëra-tjetrën.

    Në një industri ku artistët shpesh përcaktohen nga një treg, një gjuhë apo një imazh i vetëm, MIRUD ka zgjedhur një rrugë tjetër: të mos i përkasë vetëm një bote.

  • Cakolli: Procedura e zgjedhjes së presidentes ishte në vijë me rendin kushtetues (VIDEO)

    Cakolli: Procedura e zgjedhjes së presidentes ishte në vijë me rendin kushtetues (VIDEO)

    Cakolli: Procedura e zgjedhjes së presidentes ishte në vijë me rendin kushtetues (VIDEO)

    Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka deklaruar se beson se procedura e zgjedhjes së presidentes së re të Kosovës, Justina Shiroka Pula ishte në vijë me rendin kushtetues.

    Në Edicionin Special në Klan Kosova, Cakolli tha se ‘e mira e asaj procedure’ ishte se nuk pati nevojë për rund të dytë dhe sipas tij, rundi i parë i votave të deputetëve kishte filluar para mesnatës, transmeton klankosova.tv.

    “Besoj që me shumë gjasë bazuar në praktikën dhe jurispodencën krahasimore evropiane, por edhe interpretimin pozitiv që duhet t’i bëhet normës, jo kështu të tentojmë që secilën normë ta masim edhe me sekonda do ta përligjte një vendim të tillë të Kuvendit që në vlerësimin tim do të shpallej kushtetues si i tillë. E mira në këtë situatë është se nuk ka pasur nevojë për raund të dytë për shkak se raundi i parë ai që ka filluar në afat kohor dhe votat e deputetëve janë futur deri në mesnatë të gjitha në kuti është faktor që padyshim do kishte ndikim”, tha ai.

  • Arsenali s’e ka harruar Julian Alvarezin, gati oferta marramendëse për janar

    Arsenali s’e ka harruar Julian Alvarezin, gati oferta marramendëse për janar

    Arsenali është gati të rikthehet në garë për Julian Alvarez, me sulmuesin argjentinas që raportohet se po shqyrton mundësinë e largimit nga Atletico Madridi në afatin kalimtar të janarit.

    Sipas raportimeve nga Anglia, Alvarez mbetet i pakënaqur me situatën e tij në Madrid dhe tashmë është më i hapur ndaj një transferimi te Arsenali. Gjatë verës, dëshira e tij kryesore ishte Barcelona, por Atletico Madridi refuzoi mundësinë e transferimit të tij në Camp Nou.

    Arsenali kishte tentuar më herët të siguronte shërbimet e 26-vjeçarit dhe ishte i gatshëm të ofronte mbi 100 milionë euro. Tash, klubi anglez pritet të bëjë një tjetër përpjekje në janar.

    Sipas raportimeve, drejtuesit e Arsenalit kanë diskutuar edhe mundësinë e përfshirjes së futbollistëve si Viktor Gyokeres, Ethan Nwaneri apo Noni Madueke në një marrëveshje të mundshme.

    Alvarez ka kontratë me Atlético Madridin deri në vitin 2030, ndërsa klubi spanjoll gjatë verës kishte refuzuar edhe një ofertë prej 150 milionë eurosh nga Real Madridi.

    Tash mbetet të shihet nëse Arsenali do ta konkretizojë interesimin në janar dhe nëse Alvarez do të vendosë përfundimisht të largohet nga Madridi./Telegrafi/

  • Vdes 87-vjeçarja spanjolle, dëbimi i së cilës nxiti protesta mbarëkombëtare për krizën e banesave

    Vdes 87-vjeçarja spanjolle, dëbimi i së cilës nxiti protesta mbarëkombëtare për krizën e banesave

    Një 87-vjeçare në Spanjë, dëbimi i së cilës nga banesa nxiti protesta mbarëkombëtare për krizën e strehimit dhe përplasjes politike që çoi në zgjedhje të parakohshme, ka vdekur, njoftoi Unioni i Qiramarrësve të Madridit.

    Maricarmen Abascal u nxor me forcë nga banesa e saj më 23 shtator, e shtrirë në barelë, pasi nuk kishte mundësi të përballonte rritjen e qirasë. Ajo kishte jetuar në atë apartament për më shumë se 70 vjet.

    Kompania që zotëronte banesën më vonë i ofroi mundësinë që të kthehej me një qira më të ulët. Megjithatë, Abascal nuk mundi ta nënshkruante marrëveshjen, pasi ishte shtruar në spital.

    “Me keqardhje njoftojmë se Maricarmen ka vdekur sot”, tha Unioni i Qiramarrësve të Madridit në një deklaratë, duke e cilësuar rastin e saj si “një pikë kthese në historinë e këtij vendi”.

    Zëdhënësja e unionit, Alicia del Río, tha se “spekulimi kushton jetë” dhe se “sot rentierizmi ka vrarë përfundimisht kolegen tonë Maricarmen”, duke shtuar se “kujtesa e saj do të jetojë me ne”.

    Abascal u bë simbol i krizës së banesave në Spanjë pas dëbimit të saj.

    Babai i saj kishte marrë me qira apartamentin në vitin 1956 dhe, pas vdekjes së prindërve, ajo kishte vazhduar të jetonte aty si qiramarrëse. Për një periudhë të gjatë, qiraja ishte e kufizuar me ligj.

    Megjithatë, kompania Urbagestión, e cila e bleu pronën në vitin 2018, e rriti qiranë nga 500 euro në muaj në 2,650 euro.

    Më vonë, kompania i ofroi uljen e qirasë në 1,650 euro në muaj, por edhe kjo shumë ishte 300 euro më e lartë se pensioni mujor i Abascalit, raporton BBC.

    Gjykatat kishin bllokuar tri përpjekje të mëparshme për dëbimin e saj, ndërsa rasti mori gjithnjë e më shumë vëmendje mediatike.

    Zemërimi publik për rastin u rrit, duke çuar në protesta dhe duke shtuar presionin ndaj qeverisë së koalicionit për miratimin e legjislacionit emergjent për strehimin. Megjithatë, projektligji u rrëzua në Kongres javën e kaluar.

    Pas kësaj, protestat u zgjeruan edhe më tej. Dhjetëra mijëra njerëz dolën në rrugët e qyteteve të ndryshme të Spanjës gjatë fundjavës, duke protestuar kundër krizës së banesave dhe rritjes së qirave.

    Burimi: Dukagjini

  • Doli “mburojë” para nxënësve protestues, kryebashkiaku francez goditet me gaz lotsjellës

    Doli “mburojë” para nxënësve protestues, kryebashkiaku francez goditet me gaz lotsjellës

    Kryetari i bashkisë së Saint-Denis, Bally Bagayoko, u godit me gaz lotsjellës nga policia, teksa po përpiqej të qëndronte para protestuesve si “mburojë” për t’i mbrojtur ata.

    Në një video që po qarkullon në rrjetet sociale, Bagayoko shihet duke iu afruar forcave të policisë dhe duke u kërkuar të ndalojnë përdorimin e dhunës ndaj studentëve dhe nxënësve.

    Protestat janë zhvilluar në disa qytete të Francës, ku mësues, prindër dhe nxënës kanë dalë në rrugë për të kundërshtuar mungesën e stafit dhe fondeve në shkolla.

    – YouTube www.youtube.com

    Policia përdori gaz lotsjellës dhe autobotë me ujë në qytete si Parisi, Strasburgu, Rennesi dhe Tuluzë. Sipas Ministrisë së Brendshme, në protesta morën pjesë më shumë se 250 mijë persona në dhjetëra qytete, ndërsa organizatorët pretendojnë se numri ishte rreth 450 mijë.

    Protestat kanë qenë të dhunshme, me të paktën 215 adoleshentë dhe 85 anëtarë të stafit të shkollave të plagosur. Një 15-vjeçar humbi krahun pasi u godit nga një granatë tymuese.

    Kryeministri francez, Sébastien Lecornu, i ka cilësuar protestat si ndër më të dhunshmet e studentëve në dekadat e fundit. Zyra e tij njoftoi se janë plagosur edhe më shumë se 700 pjesëtarë të policisë.

    Protestuesit kërkojnë më shumë personel dhe financim për sistemin arsimor, duke kundërshtuar mungesën e mësuesve dhe burimeve në shkollat franceze. /Telegrafi/

  • 10 mijë franga shpërblim kush e gjen Damir Koçanin, i zhdukur qe tri vite në Cyrih të Zvicrës

    10 mijë franga shpërblim kush e gjen Damir Koçanin, i zhdukur qe tri vite në Cyrih të Zvicrës

    Policia kantonale e Cyrihut ka bërë thirrje për ndihmë në zbardhjen e zhdukjes së 46-vjeçarit Damir Kocan, i cili u zhduk pa gjurmë në korrik të vitit 2023.

    Hetimet tashmë kanë çuar në dyshimin se ai mund të ketë qenë viktimë e një krimi të dhunshëm, shkruan 20Minuten, transmeton Telegrafi.

    Kocan ishte parë për herë të fundit më 27 korrik 2023, kur ndodhej në lokalin Neugasshof, në lagjen Kreis 5 të Cyrihut. Pas orës 19:00, ai u largua nga qyteti me një BMë 530d, me targa ZH 581’847, në drejtim të Oltenit.

    Që nga ajo mbrëmje, për të nuk ka më asnjë gjurmë.

    Dyshimet për një krim të dhunshëm

    Pas më shumë se tre vitesh hetime, policia tashmë konsideron se 46-vjeçari mund të jetë viktimë e një krimi të dhunshëm.

    Sipas hetimeve, automjeti në të cilin udhëtoi Kocan atë mbrëmje mund të jetë drejtuar nga një i njohur i tij, Aydin Mece, i cili në atë kohë ishte 39 vjeç.

    Mece u largua nga Zvicra në fillim të gushtit 2023 dhe, sipas policisë, mund të ndodhet jashtë vendit, ndoshta në Turqi. Ai konsiderohet një nga personat e fundit që e ka parë Kocanin gjallë.

    Policia kërkon dëshmitarë

    Rasti u prezantua edhe në emisionin televiziv gjerman “Aktenzeichen XY International”, me shpresën se publikimi do të sjellë informacione të reja.

    Policia kërkon nga të gjithë ata që mund të kenë parë Kocanin, automjetin e tij ose persona të përfshirë në zhdukje që të kontaktojnë autoritetet.

    Për informacionet që mund të ndihmojnë në zbardhjen e rastit, policia ka vendosur një shpërblim prej 10 mijë frangash.

    Si dukej kur u zhduk?

    Damir Kocan është rreth 1.75 metra i gjatë, me trup të dobët dhe flokë të shkurtër e të zinj.

    Në momentin e zhdukjes dyshohet se kishte veshur një bluzë të bardhë, xhinse të zeza dhe atlete të bardha. Ai mbante në dorë një orë Rolex Submariner prej ari dhe kishte me vete një tufë çelësash.

    Policia e Cyrihut vazhdon hetimet për të zbardhur se çfarë ka ndodhur me të dhe ku ndodhet sot.