Author: Momenti

  • Edhe sot protestë në Prishtinë, pas një nate të tensionuar dhe disa të lënduarve

    Edhe sot protestë në Prishtinë, pas një nate të tensionuar dhe disa të lënduarve

    Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës edhe për sot ka thirr protestë në Prishtinë.

    OVL e UÇK-së ka bërë thirrje qytetarëve dhe kategorive të dala nga lufta e UÇK-së që qysh në orët e mëngjesit të jenë në sheshin e Prishtinës.

    “Popull i dashur,

    Kategori të dala nga lufta e UÇK-së,

    Nesër, mëngjesi duhet të na gjejë të gjithëve në sheshin e Prishtinës.

    Të bashkuar dhe me dinjitet, për të mbrojtur atë që është e jona dhe për të dëshmuar se UÇK-ja na bashkon”, thuhet në njoftimin e OVL e UÇK-së.

    Ndryshe, mbrëmë pas një nate të tensionuar në Prishtinë, Policia e Kosovës ka njoftuar rreth protestës, ku janë shënuar incidente dhe përplasje mes protestuesve dhe zyrtarëve policorë.

    Sipas Policisë, gjatë protestës disa pjesëmarrës kanë hedhur mjete piroteknike, fishekzjarre dhe mjete të forta në drejtim të objekteve të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.

    Siç thuhet në njoftim, për shkak të situatës, Policia thotë se ka ndërhyrë disa herë për të parandaluar përshkallëzimin, duke përdorur pajisjet policore, përfshirë gazin lotsjellës dhe topin e ujit për shpërndarjen e turmës.

    Policia ka bërë të ditur se tre persona janë shoqëruar në stacion policor, për shkak të mosrespektimit të thirrjeve për qetësi dhe dyshimeve për veprime në kundërshtim me ligjin.

    Sipas Policisë, ndaj tyre veprimet e mëtejshme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.

    Ndërkohë, gjashtë zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime të natyrave të ndryshme si pasojë e hedhjes së mjeteve në drejtim të institucioneve dhe, në disa raste, edhe ndaj policëve që ishin në detyrë.

    Policia ka njoftuar se të gjithë zyrtarëve të lënduar u është ofruar trajtim mjekësor.

    Edhe 11 qytetarë apo protestues kanë kërkuar ndihmë mjekësore gjatë protestës.

    Drejtori i Emergjencës, Naser Syla, ka bërë të ditur se 12 persona janë lënduar gjatë protestës. Në mesin e tyre është një pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe 11 civilë.

    Syla ka deklaruar se shumica e të lënduarve kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të pasojave nga gazi lotsjellës, ndërsa dy persona kanë pësuar lëndime prerëse në pjesë të ndryshme të trupit.

    “Janë të lënduar 12 persona, prej tyre një polic dhe 11 civilë. Shumica prej tyre janë ankuar në veprimet e gazit lotsjellës. Dy prej tyre kanë pasur lëndime prerëse në pjesë të ndryshme të trupit”, ka thënë Syla.

    Sipas tij, të gjithë të lënduarit janë trajtuar në Qendrën Emergjente dhe, pas marrjes së trajtimit mjekësor, janë liruar për në shtëpi. /Telegrafi/

  • Mëngjesi i ftohtë, gjatë ditës temperaturat deri në 25 gradë

    Mëngjesi i ftohtë, gjatë ditës temperaturat deri në 25 gradë

    Instituti Hidrometeorologjik bën të ditur se sot do të mbajë mot me diell dhe vranësira të pakta.

    IHK njofton se temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -1 dhe 2°C, ndërsa maksimalet ndërmjet 20 dhe 25°C.

    Era do të fryjë nga verilindja, me shpejtësi 1–5 m/s. /Telegrafi/

  • Moti në Shqipëri

    Moti në Shqipëri

    Moti këtë të martë, do të paraqitet kryesisht i qëndrueshëm në pjesën më të madhe të territorit të vendit.

    Dita do të nisë me kthjellime, ndërsa gjatë mesditës dhe pasdites do të ketë vranësira të përkohshme, të cilat nuk pritet të sjellin ndryshime të rëndësishme në kushtet atmosferike.

    Në Tiranë, temperaturat minimale gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit do të luhaten nga 13 deri në 14 gradë Celsius. Gjatë ditës temperaturat do të rriten, ndërsa vlerat maksimale pritet të arrijnë në 26-27 gradë Celsius.

    Në të gjithë vendin do të vijojë moti i qëndrueshëm. Temperaturat minimale do të zbresin deri në rreth 7 gradë Celsius në zonat malore, ndërsa në zonat e ulëta dhe bregdetare do të regjistrohen temperatura më të larta.

    Era do të jetë e lehtë deri mesatare dhe nuk pritet të shkaktojë problematika. Edhe në det kushtet do të jenë të qeta, me dallgëzim të ulët, në nivelin 1 deri në 2 ballë.

  • Specialja dhe presidenti përplasin partitë, mbeten pak orë deri në mbyllje të afatit kushtetues

    Specialja dhe presidenti përplasin partitë, mbeten pak orë deri në mbyllje të afatit kushtetues

    Kuvendi i Kosovës ka miratuar të hënën me 91 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, në lexim të parë, Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

    Ndryshimet megjithatë nuk parashohin shpërbërjen e Gjykatës Speciale dhe nuk ndalin procedurat e apelit për ish-krerët e UÇK-së të dënuar në shkallën e parë.

    Pas votimit, PDK-ja kërkoi që leximi i dytë të zhvillohej po të hënën në orën 17:30.

    Kjo u kundërshtua nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila kërkoi fillimisht pajtueshmëri për zgjedhjen e presidentit, duke theksuar se zgjedhja e kreut të shtetit është çështje urgjente. Seanca përfundoi pa u zhvilluar votimi i dytë.

    Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, tha se partia e saj nuk negocion për ligjin dhe kërkoi që deputetët të rikthehen në Kuvend për ta miratuar atë në lexim të dytë.

    Ndërkohë, protesta para Kuvendit, e cila po mbahet prej ditësh në mbështetje të ndryshimeve ligjore, u tensionua gjatë mbrëmjes.

    Protestuesit hodhën mjete piroteknike në drejtim të Kuvendit dhe Policisë, ndërsa Policia përdori gaz lotsjellës për t’i shpërndarë turmat. Në disa sheshe të Prishtinës pati përplasje dhe bllokim të rrugëve përreth Kuvendit.

    Protestuesit kërkuan që ndryshimet të miratohen edhe në lexim të dytë dhe deklaruan se nuk do të largohen pa përfunduar procesi.

    Protesta shumëorëshe pranë Kuvendit ka përfunduar rreth gjysmë ore para mesnatës të hënën.

    Policia: Gjashtë zyrtarë të lënduar dhe tre protestues të shoqëruar pas përplasjeve në Prishtinë

    Policia e Kosovës ka njoftuar për zhvillimet gjatë protestës së zhvilluar të hënën në mbrëmje pranë institucioneve shtetërore në Prishtinë, ku, sipas saj, janë shënuar incidente dhe përplasje mes protestuesve dhe zyrtarëve policorë.

    Sipas Policisë, gjatë protestës disa pjesëmarrës kanë hedhur mjete piroteknike, fishekzjarre dhe mjete të forta në drejtim të objekteve të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.

    Për shkak të situatës, Policia thotë se ka ndërhyrë disa herë për të parandaluar përshkallëzimin, duke përdorur pajisjet policore, përfshirë gazin lotsjellës dhe topin e ujit për shpërndarjen e turmës.

    “Policia e Kosovës, me qëllim të vënies së situatës nën kontroll dhe parandalimit të eskalimit të mëtejmë të situatës, është detyruar disa herë të veprojë ndaj protestuesve që kanë shfaqur dhunë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

    Për shkak të situatës së krijuar, në intervale të ndryshme kohore është ndaluar edhe qarkullimi i automjeteve në disa rrugë përreth qendrës së Prishtinës.

    Policia ka bërë të ditur se tre persona janë shoqëruar në stacion policor, për shkak të mosrespektimit të thirrjeve për qetësi dhe dyshimeve për veprime në kundërshtim me ligjin.

    Takimi i dështuar Kurti-Hamza

    Një takim mes kryeministrit të Kosovës dhe liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka përfunduar pa rezultat.

    Palët nuk kanë arritur pajtueshmëri për çështjen e ndryshimeve në ligjin për Specialen dhe për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës.

    LVV kërkon që para se të shkohet me lexim të dytë, Kuvendi ta zgjedhë presidentin e ri të vendit, duke ditur se afati kushtetues për këtë mbaron nesër më 6 tetor.

    PDK-ja ngul këmbë që, fillimisht, të kalojnë ndryshimet në këtë ligj dhe pastaj të zgjidhetNë anën tjetër, çështja e presidentit mbetet e lidhur me afatin kushtetues të 6 tetorit. Nëse Kuvendi nuk arrin ta zgjedhë presidentin deri atëherë, pritet shpërndarja e Kuvendit dhe mbajtja e zgjedhjeve të reja.

    LVV kthen sytë nga LDK për Presidentin

    Kryetari i Partisë Guxo, Faton Peci, i ka bërë thirrje Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për reflektim dhe angazhim të përbashkët, me qëllim të tejkalimit të situatës aktuale politike.

    Peci, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se kanë mbetur vetëm 24 orë për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.

    “Duke parë ngjarjet aktuale dhe duke pasur parasysh se kemi vetëm edhe 24 orë për ta zgjedhur Presidentin/-en e Kosovës, si Kryetar i Partisë Guxo i bëj thirrje LDK-së për reflektim e angazhim të përbashkët me qëllim të tejkalimit të kësaj situate”, ka shkruar Peci.

    Sipas tij, zgjedhja e presidentit do të kontribuonte në kompletimin e institucioneve të larta të vendit dhe në krijimin e stabilitetit institucional./Telegrafi/

  • Pamje nga protesta: Policia shihet duke ushtruar dhunë ndaj një protestuesi

    Pamje nga protesta: Policia shihet duke ushtruar dhunë ndaj një protestuesi

    Tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës shihen duke ushtruar dhunë ndaj një protestuesi gjatë protestës së zhvilluar në Prishtinë.

    Në pamjet zyrtarët policorë godasin qytetarin në një zonë të pandriçuar, ndërsa incidenti ngre pikëpyetje mbi mënyrën dhe nivelin e forcës së përdorur.

    Pamjet janë publikuar pas përplasjeve të shënuara gjatë protestës, ku Policia e Kosovës përdori gaz lotsjellës dhe topin e ujit për shpërndarjen e turmës.

    Policia ka deklaruar më herët se ka ndërhyrë ndaj protestuesve që, sipas saj, kanë shfaqur dhunë ndaj institucioneve dhe zyrtarëve policorë.

    Për incidentin e paraqitur në këto pamje, deri më tani nuk janë bërë të ditura detaje të tjera zyrtare nga Policia e Kosovës apo Inspektorati Policor i Kosovës.

  • Dellova dhe Krasniqi lënë pas emrat e mëdhenj, dyshja e Kosovës në krye të Ligës së Kombeve

    Dellova dhe Krasniqi lënë pas emrat e mëdhenj, dyshja e Kosovës në krye të Ligës së Kombeve

    Lumbardh Dellova dhe Ilir Krasniqi po shkëlqejnë në këtë edicion të Ligës së Kombeve, me dy mbrojtësit e Kosovës që kanë regjistruar numrin më të madh të topave të rikuperuar në katër ndeshjet e para të garës.

    Sipas statistikave të UEFA-s, Dellova kryeson me 34 topa të rikuperuar, ndërsa menjëherë pas tij renditet Ilir Krasniqi me 33. Dyshja kosovare gjendet kështu në dy pozitat e para të kësaj statistike, duke lënë pas disa emra të njohur të futbollit evropian.

    Në vendin e tretë, me nga 32 rikuperime, janë Renato Veiga i Portugalisë, mbrojtësi i Villarrealit, Neco Williams i Uellsit, pjesë e Nottingham Forestit, si dhe Joachim Andersen i Danimarkës, mbrojtësi i Fulhamit.

    Lumbardh Dellova

    Pra, Dellova dhe Krasniqi kanë lënë pas në këtë statistikë lojtarë me përvojë në nivelet më të larta të futbollit evropian.

    Veiga është reprezentues i Portugalisë dhe pjesë e Villarrealit, Williams është një prej mbrojtësve kryesorë të Uellsit dhe Nottingham Forestit, ndërsa Andersen është një prej emrave të rëndësishëm të Danimarkës dhe Fulhamit.

    Ajo që e bën edhe më domethënëse paraqitjen e dyshes kosovare është vazhdimësia. Dellova dhe Krasniqi i kanë zhvilluar të katër ndeshjet nga 90 minuta, duke kompletuar nga 360 minuta lojë në këtë edicion të Ligës së Kombeve.

    Ilir Krasniqi

    Paraqitjet e tyre kanë qenë ndër pikat më të forta të Kosovës në këtë cikël.

    Në total, dyshja ka regjistruar 67 topa të rikuperuar, duke treguar jo vetëm qëndrueshmëri, por edhe ndikimin e madh në fazën defensive. Dellova dhe Krasniqi kanë qenë të rëndësishëm në rikthimin e posedimit dhe në stabilitetin e repartit defensiv të Kosovës.

    Për Kosovën, kjo është një tjetër statistikë që dëshmon rritjen individuale të futbollistëve.

    Dellova dhe Krasniqi, dyshja e fortë e Kosovës

    Dy mbrojtësit kosovarë në krye të një renditjeje të Ligës së Kombeve, përpara emrave si Renato Veiga, Neco Williams dhe Joachim Andersen, është padyshim një nga statistikat më interesante të këtij cikli. /Telegrafi/

  • Kush i kontrollon rezervat e naftës së Evropës dhe kur mund të çlirohen?

    Kush i kontrollon rezervat e naftës së Evropës dhe kur mund të çlirohen?

    Pas Evropës fshihet një rezervë e madhe energjetike: miliona tonë naftë bruto, dizel dhe karburante të tjera, të ruajtura për raste krizash të mëdha të furnizimi

    Por, ndërsa qeveritë po përgatiten t’i përdorin sërish këto rezerva emergjente, kush e ka në të vërtetë çelësin?

    A mundet Brukseli të urdhërojë nxjerrjen e naftës në treg, apo vendimi u takon kryeqyteteve kombëtare?

    Përgjigjja përfshin një kombinim kompleks të rregullave të BE-së, sovranitetit kombëtar dhe koordinimit ndërkombëtar.

    Komisioni Evropian përcakton rregullat dhe monitoron nëse vendet anëtare mbajnë rezerva të mjaftueshme nafte.

    Megjithatë, vetë rezervat mbeten nën kontrollin e shteteve kombëtare, ndërsa çlirimet e mëdha të koordinuara ndërkombëtarisht menaxhohen përmes Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), me seli në Paris.

    “Vendimi për çlirimin e rezervave dhe mënyra e organizimit të tij i takojnë IEA-së. Ne jemi të gatshëm të mbledhim grupin e koordinimit për naftën ose, nëse është e nevojshme, grupin e punës së BE-së për sigurinë energjetike, për të koordinuar më tej dhe për të vlerësuar situatën”, deklaroi të hënën një zëdhënës i Komisionit Evropian.

    Komentet erdhën pas njoftimit të G7 se pritet të hidhen në treg rreth 100 milionë fuçi naftë gjatë katër muajve të ardhshëm.

    Rezervat e dizelit do të përdoren më herët, me synimin për të frenuar rritjen e çmimeve dhe për të zbutur frikën për ndërprerje të furnizimit.

    Ende nuk është bërë e qartë se sa naftë bruto dhe sa dizel do të çlirohen.

    Para njoftimit zyrtar, diplomatë të BE-së i thanë Euronews se sasia pritej të ndahej në mënyrë të barabartë mes naftës bruto dhe dizelit.

    Në mars, vendet evropiane kontribuuan me 107.5 milionë fuçi në një çlirim emergjent prej 400 milionë fuçish të koordinuar nga IEA, pasi lufta SHBA-Izrael kundër Iranit shkaktoi tronditje në tregjet globale.

    Kontributi evropian përbënte rreth një të katërtën e totalit.

    Nga këto 107.5 milionë fuçi, 32.7 milionë erdhën nga rezervat emergjente shtetërore, ndërsa pjesa tjetër nga rezervat e detyrueshme që mbahen nga industria.

    Amerikat kontribuuan me 195.8 milionë fuçi, ndërsa rajoni Azi-Paqësor me 108.6 milionë fuçi.

    “Mburoja” 90-ditore

    Sa naftë mban realisht Evropa në rezervë për raste emergjente?

    Sipas rregullave të BE-së, çdo shtet anëtar duhet të mbajë rezerva emergjente të barabarta me të paktën 90 ditë importe neto ose 61 ditë konsum të brendshëm.

    Por nuk ekziston ndonjë rezervuar gjigant evropian i naftës që kontrollohet nga Brukseli.

    Rezervat mbahen në nivel kombëtar: drejtpërdrejt nga qeveritë, përmes agjencive të specializuara kombëtare të rezervave ose si rezerva të detyrueshme të mbajtura nga kompanitë private të industrisë.

    Shpërndarja e tyre krijon gjithashtu disa qendra të rëndësishme.

    Nga rreth 39 milionë tonë metrikë rezerva emergjente të dizelit dhe gazolit në BE – ekuivalente me rreth 290 milionë fuçi – Franca dhe Gjermania së bashku mbajnë rreth 35%.

    Edhe vende më të vogla, si Belgjika dhe Malta, mbajnë një pjesë të rezervave të tyre emergjente në Francë dhe Gjermani.

    Kjo ngre një tjetër pyetje: nëse nafta ruhet në një shtet, por i përket një shteti tjetër, kush vendos kur duhet të hapen rezervuarët?

    Në fund, vendimet kryesore mbeten në duart e qeverive kombëtare.

    Brukseli mund të përcaktojë rregullat, të monitorojë rezervat dhe të koordinojë qeveritë, por Komisioni Evropian nuk mund të urdhërojë thjesht nxjerrjen në treg të miliona fuçive naftë.

    Rezervat mbeten nën kontrollin kombëtar. Kjo do të thotë se qeveritë vendosin kur do të përdoren rezervat dhe në çfarë forme do të bëhet kontributi i secilit shtet.

    Roli i IEA-së

    Për një ndërhyrje të madhe ndërkombëtare, megjithatë, hyn në lojë një tjetër aktor: Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë.

    Një shtet i vetëm që nxjerr naftë nga rezervat e tij mund të ketë ndikim të kufizuar në një krizë globale furnizimi.

    Pikërisht këtu hyn IEA.

    Agjencia me seli në Paris koordinon çlirimin e rezervave emergjente mes vendeve anëtare, duke u mundësuar qeverive të nxjerrin sasi të mëdha nafte në treg në të njëjtën periudhë.

    “Është IEA ajo që menaxhon aspektin e ndikimit në çmime, ndërsa shtetet anëtare që marrin pjesë në një çlirim të mundshëm përcaktojnë nivelin e transparencës lidhur me produktet konkrete që do të nxirren në treg”, tha zëdhënësi i Komisionit Evropian.

    Nëse një krizë furnizimi është mjaftueshëm serioze, bordi drejtues i IEA-së mund të miratojë një veprim kolektiv të koordinuar.

    Në këtë rast, 32 shtetet anëtare të agjencisë kontribuojnë në reagimin emergjent.

    Ky mekanizëm është aktivizuar tashmë dy herë që nga sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit më 28 shkurt, duke i vendosur rezervat emergjente të naftës – zakonisht një pjesë pak e dukshme e politikës energjetike – në qendër të përpjekjeve të qeverive për të kufizuar pasojat e konfliktit.

    Tani pyetja kryesore është se si do ta realizojë Evropa pjesën e saj të kontributit.

    Një takim mes Komisionit Evropian, qeverive të BE-së dhe përfaqësuesve të industrisë së naftës, i cili fillimisht ishte planifikuar për 15 tetor, pritet të zhvillohet “me shumë gjasë në fillim të javës së ardhshme”, tha një zyrtar i BE-së në kushte anonimiteti.

    Qëllimi i takimit është të vlerësohet se si vendet e BE-së planifikojnë të përmbushin angazhimet e tyre ndaj IEA-së për nxjerrjen e rezervave të dizelit brenda 20 ditëve të ardhshme, si dhe planet për katër muajt në vijim.

    Me pak fjalë

    Brukseli vendos rregullat, por nuk kontrollon rezervat.

    Rezervat e naftës janë nën kontrollin e shteteve anëtare. Qeveritë kombëtare vendosin kur dhe si t’i përdorin ato, ndërsa IEA koordinon çlirimet e mëdha ndërkombëtare për të frenuar pasojat e një krize globale të furnizimit dhe për të stabilizuar tregjet. /Telegrafi/

  • Ramadani kërkon hetim për veprimet e Policisë gjatë protestës

    Ramadani kërkon hetim për veprimet e Policisë gjatë protestës

    Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka kërkuar nisjen e hetimeve për veprimet e Policisë së Kosovës gjatë protestës së zhvilluar në Prishtinë, ku qytetarët kërkuan miratimin e ndryshimeve të Ligjit për Dhomat e Specializuara.

    Ramadani ka vlerësuar se sjellja e Policisë gjatë protestës ka qenë joproporcionale, ndërsa ka kërkuar që Inspektorati Policor i Kosovës të hetojë veprimet e zyrtarëve policorë.

    Ai ka publikuar edhe fotografi të llojit të gazit lotsjellës që, sipas tij, është përdorur nga Policia gjatë ndërhyrjes ndaj protestuesve.

    Ramadani ka kërkuar që të shqyrtohet Plani Operativ i Policisë, pajisjet e përdorura dhe niveli i forcës së aplikuar gjatë protestës.

    “Duhet ta shohin me detaje Planin Operativ, nëse ka qenë i përgatitur mirë, pajisjet dhe nivelin e forcës së përdorur”, ka shkruar Ramadani.

    Ai ka bërë të ditur se, në cilësinë e anëtarit të Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, do të kërkojë raportim urgjent nga drejtori i Policisë për masat e ndërmarra gjatë protestës.

    Po ashtu, Ramadani ka thënë se do të kërkojë edhe raportim nga kryeshefi i Inspektoratit Policor të Kosovës për aktivizimin dhe hetimet lidhur me veprimet e policisë.

    “Nëse s’ka tash Parlament, pas zgjedhjeve gjithsesi askush të mos mendojë se i ikën përgjegjësisë! Nuk harrohen gabimet! Nuk mund të falen ato!”, ka deklaruar ai./Telegrafi.

  • U komentua për fustanin në dasmën e Kushtrimit dhe Aurorës, flet Benita Zena

    U komentua për fustanin në dasmën e Kushtrimit dhe Aurorës, flet Benita Zena

    Një mbrëmje e veçantë ka qenë ajo e djeshmja për Kushtrim Kelanin dhe Aurora Rrustën, dy ish-banorët e Big Brother VIP Kosova, të cilët i dhanë fund beqarisë duke kurorëzuar dashurinë e tyre me martesë.

    Çifti mblodhi në një prej ditëve më të rëndësishme të tyre familjarë, miq dhe emra të njohur të ekranit, mes të cilëve edhe disa prej ish-banorëve të BBVK-së.

    Një prej personazheve që tërhoqi vëmendje ishte Benita Zena, e cila mbërriti në dasmë me një Rolls-Royce, duke u komentuar që në momentet e para të mbrëmjes.

    Foto: YouTube

    Në qendër të vëmendjes ishte edhe veshja e saj.

    E pyetur nga “Prive by Liberta Spahiu” nëse kishte zgjedhur ngjyrën e duhur për një dasmë, Benita sqaroi se fustani i saj ishte në nuancën “baby blue” (kaltër), duke thënë se nuk mendon se ka shkelur ndonjë rregull me paraqitjen.

    Por intervista mori një tjetër drejtim kur Benita u pyet për Klodin, me të cilin kishte pasur raport gjatë qëndrimit në Big Brother VIP Kosova.

    Ish-banorja zgjodhi të mos komentojë për të dhe me humor deklaroi se ka harruar shumicën e ish-banorëve të formatit. /Telegrafi/

    – YouTube www.youtube.com

  • Pse kortizoli në gjak matet në orën 9 të mëngjesit? Si të përgatiteni pa stres për këtë analizë

    Pse kortizoli në gjak matet në orën 9 të mëngjesit? Si të përgatiteni pa stres për këtë analizë

    Kortizoli është zakonisht më i lartë në orët e para të ditës, prandaj analiza e mëngjesit ndihmon në vlerësimin më të saktë të funksionit të gjëndrave mbiveshkore. Stresi, mungesa e gjumit dhe disa barna mund të ndikojnë në rezultat

    Analiza e kortizolit në gjak në orën 9 të mëngjesit përdoret më së shpeshti për të vlerësuar funksionin e gjëndrave mbiveshkore. Arsyeja është e thjeshtë: kortizoli nuk qëndron në të njëjtin nivel gjatë gjithë ditës, por ndjek një ritëm të qartë ditor. Zakonisht është më i lartë në orët e para të mëngjesit dhe më pas bie gradualisht gjatë ditës, duke arritur vlerat më të ulëta rreth mesnatës.

    Pikërisht për këtë arsye, mostrat për këtë hormon merren zakonisht mes orës 8 dhe 9 të mëngjesit. Në atë periudhë kortizoli është afër kulmit të tij natyror, ndaj rezultati jep një pamje më të dobishme për të kuptuar nëse organizmi po e prodhon këtë hormon siç duhet.

    Kortizoli nuk është vetëm “hormoni i stresit”

    Kortizoli shpesh njihet si “hormoni i stresit”, por roli i tij është shumë më i gjerë. Ai prodhohet nga gjëndrat mbiveshkore dhe ndihmon në rregullimin e nivelit të sheqerit në gjak, tensionit të gjakut, proceseve inflamatore dhe ciklit gjumë-zgjim. Pra, është hormon thelbësor për funksionimin normal të organizmit.

    Për shkak të këtij roli të rëndësishëm, matja e tij mund të ndihmojë në diagnostikimin e disa çrregullimeve serioze hormonale.

    Pse është e rëndësishme pikërisht ora 9?

    Ora 9 nuk është zgjedhur rastësisht. Në këtë kohë, kortizoli zakonisht ka arritur nivelin më të lartë ose është ende shumë pranë tij. Kjo e bën analizën më të vlefshme, sidomos kur mjeku dyshon për funksion të ulët të gjëndrave mbiveshkore.

    Nëse analiza bëhet më vonë gjatë ditës, interpretimi bëhet më i vështirë, sepse vlerat bien natyrshëm. Një rezultat që duket i ulët pasdite mund të jetë krejt normal për atë orar, ndërsa një vlerë e mëngjesit që duket “në kufi” mund të tregojë se prodhimi i kortizolit nuk është i mjaftueshëm, transmeton Telegrafi.

    Foto: Pexels

    Çfarë sëmundjesh mund të vlerësohen me këtë analizë?

    Mjekët kërkojnë matjen e kortizolit në mëngjes sidomos kur dyshojnë për sëmundje si sëmundja e Addisonit dhe sindroma e Cushingut.

    Sëmundja e Addisonit ndodh kur gjëndrat mbiveshkore nuk prodhojnë mjaftueshëm kortizol, e shpesh edhe aldosteron. Kjo është një gjendje e rrallë, por serioze. Shenjat mund të përfshijnë lodhje të theksuar, humbje peshe, tension të ulët, dobësi muskulore, marramendje, dëshirë të shtuar për ushqime të kripura dhe errësim të lëkurës.

    Në anën tjetër është sindroma e Cushingut, që lidhet me ekspozim të zgjatur ndaj niveleve të larta të kortizolit. Simptomat mund të përfshijnë shtim në peshë, sidomos në bark dhe fytyrë, strija vjollcë, mavijosje të lehta, rritje të sheqerit në gjak, tension të lartë dhe ndryshime të humorit.

    Megjithatë, një rezultat i vetëm i rritur ose i ulët nuk mjafton për diagnozë. Ai interpretohet gjithmonë së bashku me simptomat, historinë mjekësore dhe, kur duhet, me analiza të tjera shtesë.

    Çfarë mund të ndikojë në rezultat?

    Kortizoli është shumë i ndjeshëm ndaj faktorëve të jashtëm. Përveç sëmundjeve, në nivelin e tij mund të ndikojnë:

    • stresi akut;
    • frika nga gjilpëra ose nga marrja e gjakut;
    • mungesa e gjumit;
    • infeksionet apo sëmundjet akute;
    • aktiviteti fizik i rëndë;
    • shtatzënia;
    • disa barna, sidomos kortikosteroidet dhe pilulat kontraceptive.

    Për këtë arsye, mjeku e vlerëson gjithmonë rezultatin në kontekst dhe jo si numër të izoluar.

    Si të përgatiteni për analizën?

    Përgatitja e duhur është shumë e rëndësishme që rezultati të jetë sa më i besueshëm. Shpesh rekomandohet agjërim për 8 deri në 12 orë para analizës, ndërsa uji zakonisht lejohet. Duhet të shmangni aktivitetin fizik intensiv një ditë më parë, sepse mund ta rrisë përkohësisht kortizolin.

    Po ashtu, përpiquni të flini mirë natën para analizës, sepse mungesa e gjumit mund të ndikojë në prodhimin e hormonit. Është shumë e rëndësishme t’i tregoni mjekut ose laboratorit për të gjitha barnat dhe suplementet që merrni. Disa prej tyre mund të ndikojnë në rezultat, por terapinë nuk duhet ta ndërprisni kurrë vetë pa udhëzimin e mjekut.

    Si ta ulni stresin ditën e analizës?

    Meqë stresi mund ta rrisë kortizolin, është mirë të shkoni pak më herët në laborator që të mos nxitoheni. Gjatë pritjes, provoni frymëmarrje të ngadaltë dhe të thellë. Nëse keni frikë nga gjaku ose ndiheni shumë të tensionuar, njoftojeni personelin shëndetësor. Ndonjëherë mjaftojnë disa minuta qetësim para marrjes së mostrës që rezultati të jetë më real.

    Në fund, duhet pasur parasysh se një analizë e vetme e kortizolit është vetëm një pjesë e vlerësimit. Ajo ka vlerë të madhe, por kuptimi i saj i plotë varet nga simptomat, historia mjekësore dhe gjykimi i mjekut. /Telegrafi/