Author: Momenti

  • Të rinjtë nuk po duan t’i bashkohen ushtrisë në Zvicër, numri i ushtarëve pritet të bjerë nën 130 mijë

    Të rinjtë nuk po duan t’i bashkohen ushtrisë në Zvicër, numri i ushtarëve pritet të bjerë nën 130 mijë

    Ushtria zvicerane po përballet me një sfidë në rritje për sigurimin e rekrutëve të rinj. Sipas Departamentit Federal të Mbrojtjes, Mbrojtjes Civile dhe Sportit (DDPS), numri i personelit ushtarak pritet të bjerë nën 130 mijë deri në vitin 2030, ndërsa autoritetet po përgatisin masa të reja për ta frenuar këtë trend.

    Çështja e rekrutimit të ushtarëve është kthyer në një nga temat më të debatuara në politikën zvicerane të sigurisë.

    Aktualisht, ushtria ka rreth 147,017 pjesëtarë, të shpërndarë në njësi të ndryshme. Ky numër konsiderohet ende i mjaftueshëm për të ruajtur objektivin e të paktën 100 mijë personelit në rast të mobilizimit.

    Sipas regjistrimit të ri të ushtrisë, rreth 70 për qind e personave që i nënshtrohen shërbimit ushtarak janë të aftë për shërbim. Numri i tyre, për shkak të zhvillimeve demografike, po rritet në mënyrë të moderuar, shkruan Blick, transmeton Telegrafi.

    Megjithatë, problemi qëndron te numri i madh i atyre që largohen nga ushtria.

    Humbin rreth 12 mijë rekrutë çdo vit

    Nga afro 26 mijë rekrutë që regjistrohen çdo vit, ushtria humbet pothuajse 12 mijë, kryesisht për shkak të kalimit nga shërbimi ushtarak në atë civil.

    Ky trend pritet të përkeqësohet në vitet e ardhshme. Sipas parashikimeve të DDPS-së, deri në vitin 2030 numri i personelit ushtarak mund të zbresë nën 130 mijë.

    Autoritetet zvicerane po shqyrtojnë dhe zbatojnë modele më fleksibile të trajnimit dhe zhvillimit të karrierës, me synimin për ta bërë shërbimin ushtarak më tërheqës për të rinjtë.

    Qershorin e kaluar, qytetarët zviceranë votuan gjithashtu për këtë çështje, duke mbështetur ndryshime që e bëjnë më të vështirë kalimin nga shërbimi ushtarak në atë civil.

    Rritet përqindja e grave në ushtri

    Në mes të rënies së përgjithshme të rekrutimit, një zhvillim tjetër po shkon në drejtim të kundërt: përqindja e grave në ushtrinë zvicerane vazhdon të rritet.

    Sipas DDPS-së, gratë tregojnë interes të veçantë për pozitat drejtuese, të cilat zakonisht kërkojnë një periudhë më të gjatë shërbimi ushtarak.

    Për këtë arsye, autoritetet presin që pjesëmarrja e grave në ushtri të vazhdojë të rritet gradualisht.

    Një nga masat e propozuara është edhe futja e një dite të detyrueshme orientimi, e cila, sipas DDPS-së, mund të kontribuojë në rritjen e numrit të grave që zgjedhin shërbimin ushtarak.

    Këshilli Federal e miratoi këtë propozim më 9 shtator 2026, ndërsa tani çështja është në duart e Parlamentit.

    Sipas planit aktual, një referendum për këtë çështje pritet të zhvillohet në vitin 2028.

    Për autoritetet zvicerane, sfida kryesore mbetet sigurimi i një numri të mjaftueshëm të ushtarëve për të garantuar kapacitetin mbrojtës të vendit në vitet e ardhshme./Telegrafi/

  • Gjini: Kurtit i ka faj e gjithë bota – ka shëtitur nëpër Greqi e s’u marrë me çështjet kruciale

    Gjini: Kurtit i ka faj e gjithë bota – ka shëtitur nëpër Greqi e s’u marrë me çështjet kruciale

    Gjini: Kurtit i ka faj e gjithë bota – ka shëtitur nëpër Greqi e s’u marrë me çështjet kruciale

    Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për blerje kohe dhe tentim të fajësimit të krejt botës për moskonsolidimin e institucioneve.

    “Kemi dëgju prej kryeministrit Kurti, i zgjedhur jashtë afatit kushtetues, duke treguar se e gjithë bota ka faj për ku kemi ardhë. Për këtë arsye duhet t’i tregoj qytetarit të Kosovës se çka ka ndodhur prej 7 qershorit, kur janë mbajtur zgjedhjet”, tha Gjini në fillim të konferencës.

    Në ndërkohë, ai bëri një përmbledhje se si që nga data 8 qershor ka qenë e qartë se cila parti i ka fituar zgjedhjet dhe sa mandate i ka fituar. Por, sipas tij, Kurti, edhe pse i vetëdijshëm për këtë, ka vazhduar të bëjë vizita sa në Greqi sa nëpër vende tjera.

    “Me datën 8 qershor ka qenë e qartë, me gabim shumë të vogël të përqindjes, se sa përqind secila parti i ka marrë. Që do të thotë, me 8 qershor, ditën e hënë, sikur të kish vullnet, partia fituese ka pasur mundësi me i nisë bisedat për konsolidim të institucioneve. Mirëpo nuk e ka bërë. Fillimisht kanë thënë po e presim certifikimin e rezultateve. Certifikimi ka ndodhur më 8 korrik, 2026, që do të thotë para hiç më pak se tre muajsh. Në ndërkohë, ky kryeministër ka kaluar kohë në Greqi, në konferenca dhe nuk është marrë fare me temën kruciale, që ka qenë zgjedhja e presidentit. Krejt vonë, pas afatit që e ka caktuar Kushtetuesja, e që është konfirmuar në aktgjykimin e fundit, edhe 3 ditë më vonë se 30 ditëshi që ia ka caktu vetes si afat, e ka thirr seancën konstituive”.

    “Në ndërkohë, më 3 shtator është dërguar në qeveri projektligji për ndryshimin e ligjit të Speciales. Nuk ka ndodhur fare kurgjo për gjithë ato ditë deri më datën 2 tetor, kur qeveria e ka aprovuar në mbledhjen e vet projektligjin për Specialen, dhe tri ditë më vonë, që do të thotë dje, duke e ditë që 3 ditë i duhen për lexim të dytë, dje e ka nxjerrë vendimin për Specialen për votim në Kuvend. Që prej datës 8 qershor kur janë kry zgjedhjet, ne e kemi pasur një parti që i ka fitu zgjedhjet e kaluara, e cila krejt kohën e ka luajtur lojën e fajësimit dhe të blerjes së kohës për të mbërri deri te këto ditë, në orët e fundit, para se vendi të shkojë në zgjedhje”, deklaroi Gjini.

  • Sërish thirret protestë për orën 21:00, Haziri: Të gjithë në shesh, pa dallime e pa përçarje

    Sërish thirret protestë për orën 21:00, Haziri: Të gjithë në shesh, pa dallime e pa përçarje

    Sërish thirret protestë për orën 21:00, Haziri: Të gjithë në shesh, pa dallime e pa përçarje

    Organizatori i protestave nga platforma “Jo në emrin tim”, Çlirim Haziri ka ftuar të gjithë në protestën e radhës.

    Ai ka thirrur të gjithë qytetarët që në orën 21:00 të bashkohen në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

    Djali i dëshmorit, që po i organizon protestat, Çlirim Haziri ka thënë se zëri i qytetarëve duhet të dëgjohet.

    “SONTE, TË GJITHË NË SHESH! Pa dallime. Pa përçarje. Për UÇK-në. Për sakrificën. Për lirinë. Zëri qytetar duhet të dëgjohet. Ora 21:00 | Sheshi “Skënderbeu”. JO NË EMRIN TIM!”, ka shkruar Haziri. /Klankosova.tv

  • A e dini pse dyert e tualeteve publike nuk prekin dyshemenë? Kjo është arsyeja e vërtetë - dhe është krejtësisht logjike

    A e dini pse dyert e tualeteve publike nuk prekin dyshemenë? Kjo është arsyeja e vërtetë – dhe është krejtësisht logjike

    A e keni vënë re se dyert në tualetet publike nuk arrijnë deri në dysheme? Pas këtij detaji fshihet një dizajn i menduar mirë që kontribuon në funksionalitetin dhe higjienën e hapësirave publike.

    Ekspertët shpjegojnë se ka disa arsye praktike pse dyert e tualeteve publike rrallë arrijnë në dysheme.

    Ndërsa shumë mund të pyesin veten pse disa vendime dizajni në tualetet publike janë ashtu siç janë – si tabela e tualetit në derë ose ndenjëset në formë U – një gjë është e sigurt: ka arsye legjitime për dizajnin e dyerve që nuk arrijnë në dysheme, shkruan LADBible.

    Një nga arsyet kryesore është siguria. Nëse dikush pëson një aksident në tualet, hapësira nën derë lejon reagim dhe ndihmë të shpejtë. Përveç kësaj, ky dizajn e bën pastrimin më të lehtë dhe më të shpejtë sepse hapësira nën derë lejon akses më të lehtë për mirëmbajtjen e higjienës, e cila shpesh kërkohet disa herë në ditë në hapësirat publike.

    Dyert më të shkurtra janë gjithashtu më ekonomike për t’u prodhuar dhe instaluar. Sipas kompanisë së qirasë së tualeteve portative WC Portables, dyert më të shkurtra janë më ekonomike nga ana e kostos.

    Tualetet publike më së shpeshti janë të ndërtuara nga elementë modularë të standardizuar, duke e bërë një sistem të tillë më të thjeshtë dhe më të lirë për t’u prodhuar dhe instaluar.

    Prodhuesit gjithashtu deklarojnë se hapja në fund e bën më të lehtë instalimin e ndarjeve në dysheme që kanë një pjerrësi të lehtë drejt kulluesit.

    Hapësirat në fund të derës kanë avantazhin shtesë të lejimit të përdoruesve të vlerësojnë shpejt numrin e personave në kabinë. Sigurisht, diskrecioni është i dëshirueshëm, kështu që shpesh mjafton të mbështeteni te hija jashtë kabinës për të shmangur situata të pakëndshme.

    Dyert e shkurtra gjithashtu inkurajojnë përdorimin më të shpejtë të tualetit. Ndjenja e privatësisë së reduktuar mund t’i shtyjë përdoruesit të nxitojnë në tualetin e tyre dhe t’ia lënë hapësirën personit tjetër në radhë.

    Është interesante se ky dizajn mendohet gjithashtu se ndikon në sjelljen e përdoruesit duke zvogëluar mundësinë e sjelljes antisociale. Kur përdoruesit janë të vetëdijshëm se mund të dallohen lehtësisht, ata kanë më shumë gjasa të ndjekin rregullat themelore të pastërtisë dhe sjelljes.

    Ka edhe ventilim. Hapësira e hapur në fund lejon që ajri të qarkullojë më lehtë midis kabinave dhe pjesës tjetër të tualetit. Kjo është veçanërisht praktike në tualetet publike të mëdha dhe të ngarkuara.

  • A do të startojë Kylian Mbappe në vikend? Real Madridi ka përgjigjen për gjendjen e yllit francez

    A do të startojë Kylian Mbappe në vikend? Real Madridi ka përgjigjen për gjendjen e yllit francez

    Real Madridi është i bindur se Kylian Mbappe do të jetë mjaftueshëm i gatshëm për të startuar ndaj Villarrealit këtë fundjavë, pavarësisht frikës për një lëndim gjatë ndeshjes së Francës kundër Turqisë.

    Lëndimi i sulmuesit më vonë u vlerësua si jo serioz, duke qetësuar shqetësimet për gjendjen e tij. Megjithatë, kishte ende dyshime nëse ai do të rikuperohej në kohë për të qenë titullar ndaj Villarrealit.

    Sipas Marca, Real Madridi tani pret që reprezentuesi francez të ndjekë planin e rikuperimit dhe të jetë i gatshëm pak para përballjes së fundjavës.

    Mbappe po rikuperohet mirë dhe iu lejua të udhëtonte nëpër Evropë, në vend se të vazhdonte rikuperimin në Valdebebas. Sulmuesi të dielën publikoi edhe një video duke bërë biçikletë, para se të rikthehej në qendrën stërvitore të Real Madridit.

    Ai nuk ka marrë pjesë në stërvitjet e përbashkëta me pjesën tjetër të skuadrës, por sipas Marca ka vazhduar të punojë individualisht.

    Real Madridi dëshiron ta ketë Mbappen në dispozicion, pasi synon të mbajë hapin me Barcelonën në krye të tabelës. Pavarësisht se nuk ka qenë në formën e tij më të mirë, francezi mbetet golashënuesi më i mirë i madrilenëve këtë sezon, me tetë gola në të gjitha garat.

    Edhe krijimtaria në repartin ofensiv ka qenë problem për Real Madridin, me Vinicius Juniorin dhe Yan Diomanden që ende nuk kanë arritur të gjejnë ritmin e duhur./Telegrafi/

  • Suedia dërgon sisteme Patriot dhe aeroplanë Gripen në Poloni

    Suedia dërgon sisteme Patriot dhe aeroplanë Gripen në Poloni

    Suedia do të vendosë sisteme të mbrojtjes ajrore Patriot dhe aeroplanë luftarakë Gripen në Poloni, në kuadër të përpjekjeve për forcimin e sigurisë së një prej rrugëve kryesore të furnizimit të Ukrainës.

    Kryeministri suedez, Ulf Kristersson njoftoi se sistemet Patriot dhe aeroplanët Gripen do të angazhohen për mbrojtjen e një qendre logjistike të NATO-s në Poloni.

    Përmes kësaj qendre transportohen armë dhe ndihma të tjera nga vendet aleate drejt Ukrainës. Për këtë arsye, mbrojtja e saj konsiderohet e rëndësishme për vazhdimësinë e furnizimeve ushtarake për Kievin.

    Vendosja e kapaciteteve suedeze synon të rrisë mbrojtjen ajrore të zonës dhe të sigurojë infrastrukturën përmes së cilës kalon një pjesë e rëndësishme e ndihmës ndërkombëtare për Ukrainën.

    Kristersson e lidhi gjithashtu forcimin e angazhimit suedez në NATO me ndryshimin e politikës së sigurisë së vendit pas pushtimit rus të Ukrainës.

    Ai rikujtoi se vendimi i Suedisë për t’u anëtarësuar në NATO ishte një pasojë e drejtpërdrejtë e pushtimit të Ukrainës nga Rusia. /Telegrafi/

  • Gazetarja Hoda sjell më të rejat nga sheshi: Shtohet edhe numri i protestuesve, edhe i policëve

    Gazetarja Hoda sjell më të rejat nga sheshi: Shtohet edhe numri i protestuesve, edhe i policëve

    Gazetarja Hoda sjell më të rejat nga sheshi: Shtohet edhe numri i protestuesve, edhe i policëve

    Gazetarja e Klan Kosova, Vesa Hoda ka bërë me dije se numri i protestuesve ka nisur të rritet para ndërtesave institucionale të vendit në shesh.

    Sipas saj, pos protestuesve, edhe numri i forcave policore tashmë ka nisur të shtohet.

    “Protesta vazhdon të jetë e qetë gjatë ditës së sotme. Aktualisht numri i protestuesve ka nisur të rritet, sikurse edhe numri i zyrtarëve policorë. Kanë ardhur dhe po vazhdojnë të vijnë përforcime policore. Protestuesit na kanë thënë se sot mund të jetë edhe më rrezik se dje, andaj nga OVL kanë shpërndarë edhe maska”, tha gazetarja Hoda.

    Ajo theksoi se zyrtarët policorë po përgatiten me mjetet e tyre mbrojtëse.

     Ndiqeni deklarimin e saj:

  • Çitaku s’i ndalë thirrjet: Albin eja në Kuvend, kanë mbetur edhe pak orë

    Çitaku s’i ndalë thirrjet: Albin eja në Kuvend, kanë mbetur edhe pak orë

    Çitaku s’i ndalë thirrjet: Albin eja në Kuvend, kanë mbetur edhe pak orë

    Deputetja nga radhët e Partisë Demokratikë të Kosovës, Vlora Çitaku, sërish ka bërë thirrje për mbajtjen e seancës së Kuvendit, për t’u votuar ndryshimet e Ligjit për Specialen.

    Ajo e ka ftuar kryeministrin Kurti që të vijë në Kuvend, pasi sipas saj, Kosova është mbi të gjitha interesat e tjera.

    “Eja në Kuvend. Ndali lojërat. Kosova është më e madhe dhe më e rëndësishme se kalkulimet politike ditore”, tha ndër tjerash ajo, në një shkrimi në Facebook.

  • Zvicra frikësohet për protesta të mundshme si në Francë, policia del me paralajmërim për të rinjtë

    Zvicra frikësohet për protesta të mundshme si në Francë, policia del me paralajmërim për të rinjtë

    Protestat studentore që kanë nisur në Francë, fillimisht si reagim ndaj mungesës së mësuesve dhe gjendjes së dobët të shkollave, janë shoqëruar me episode të dhunshme.

    E këto protesta po shkaktojnë shqetësim edhe në Zvicër, pasi, mund të organizohen edhe në këtë shtet.

    Ky alarmim ka nxitur policia kantonale të Valais, që të paralajmërojnë të rinjtë, se nëse mendojnë të bëjnë thirrje për protesta të tilla nëpër rrjetet sociale, pasojat do jenë të mëdha për ta.

    Kjo pasi, pamje të dhunës gjatë protestave janë shpërndarë gjerësisht në mediat sociale, duke mbledhur miliona shikime.

    Në disa prej tyre shihen objekte shkollore të dëmtuara, automjete zjarrfikëse të përfshira nga flakët dhe përleshje të dhunshme.

    Sipas raportimeve, gjatë protestave janë regjistruar edhe sulme ndaj pjesëtarëve të stafit arsimor dhe policisë. Në një rast, një praktikante policie është goditur rëndë dhe ka pasur nevojë për trajtim spitalor. Në një tjetër incident, një drejtoreshë shkolle është spërkatur me benzinë, ndërsa në Tuluzë një mësues është sulmuar nga disa adoleshentë.

    Prandaj, policia zvicerane është veçanërisht e shqetësuar për mënyrën se si këto pamje dhe thirrje po qarkullojnë në internet, shkruan Blick, transmeton Telegrafi.

    “Postimet po qarkullojnë në mediat sociale duke bërë thirrje për bllokimin e shkollave, veçanërisht në lidhje me lëvizjet e vërejtura jashtë vendit”, thuhet në paralajmërimin e policisë kantonale të Valais.

    Sipas policisë, përfshirja në veprime të tilla mund të ketë pasoja edhe në botën reale. Bllokimi i shkollave, dëmtimi i pronës dhe thirrjet për aktivitete të paligjshme mund të çojnë në masa disiplinore apo procedura ligjore.

    Autoritetet theksojnë se përgjegjësia nuk kufizohet vetëm te personat që janë fizikisht të pranishëm në protesta. Edhe përhapja apo mbështetja online e veprimeve të paligjshme mund të ketë pasoja, në varësi të rrethanave.

    Policia paralajmëron gjithashtu të rinjtë se gjurmët e lëna në internet mund të ndikojnë në të ardhmen e tyre profesionale.

    “Ajo që ndani sot shpesh mbetet e dukshme për një kohë të gjatë dhe mund të dëmtojë reputacionin tuaj”, thuhet në paralajmërim.

    Kjo, sipas autoriteteve, mund të krijojë probleme gjatë aplikimeve për vende pune, trajnime apo stazhe.

    Protestat prekin edhe zonën pranë Gjenevës

    Efektet e protestave franceze tashmë janë vërejtur edhe pranë kufirit me Zvicrën.

    Sipas raportimeve të mediave zvicerane, disa studentë të Lycée Madame de Staël në Saint-Julien-en-Genevois, pranë Gjenevës, janë kontrolluar nga policia në një stacion treni.

    Një studente ka deklaruar se policia u kishte konfiskuar parfumet, çakmakët dhe deodorantët.

    Edhe pranë shkollës situata është tensionuar. Në ditët e fundit, në zonë është parë policia e trazirave, ndërsa hyrja në ndërtesën e shkollës ishte bllokuar me kosha mbeturinash, transmeton Telegrafi.

    Më vonë, sipas pamjeve të publikuara në internet, disa prej tyre janë dëmtuar.

    Policia zvicerane druhet se përhapja e videove dhe sfidave në rrjetet sociale mund t’i japë një dimension të ri protestave, duke i shtyrë të rinjtë në veprime të dhunshme ose të rrezikshme edhe jashtë Francës./Telegrafi/

  • Kërçeli: Oferta e Kurtit është mundësia e fundit për të shmangur zgjedhjet

    Kërçeli: Oferta e Kurtit është mundësia e fundit për të shmangur zgjedhjet

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, ka thënë se ende nuk ka njoftim për mbajtjen e seancës për zgjedhjen e presidentit, ndërsa ka deklaruar se oferta e bërë nga kryeministri Albin Kurti ndaj PDK-së synon të shmangë zgjedhjet e reja.

    Kërçeli, në “FIVE” në Dukagjin, ka theksuar se nga konferenca e Kurtit është bërë një ofertë që, sipas tij, paraqet mundësinë e fundit për tejkalimin e krizës institucionale.

    “Për seancë për president ende nuk kemi ndonjë njoftim por ne kishim një mbledhje të Grupit Parlamentar dhe për atë arsye gjendem në ambientet e Kuvendit të Kosovës. Pak a shumë ishin ato dakordime që janë diskutuar në kryesi dhe Grup Parlamentar të VV-së. Nga konferenca e kryeministrit ishte edhe një ofertë përfundimtare se si të dalim nga kjo krizë institucionale dhe si të shpëtojmë nga një palë zgjedhje të reja të panevojshme për qytetarët e Republikës së Kosovës”, u shpreh Kërçeli.

    Duke komentuar qëndrimin e PDK-së për pjesëmarrjen në seancën për presidentin, Kërçeli ka thënë se nëse deputetët e kësaj partie nuk qëndrojnë në sallë, atëherë vendi do të shkojë në zgjedhje.

    Sa i përket Ligjit për Dhomat e Specializuara, deputeti i VV-së ka mbrojtur qëndrimin e partisë së tij për procedurën e miratimit në dy lexime, duke iu referuar edhe një vendimi të Gjykatës Kushtetuese pas një rasti të vitit 2024.

    Kërçeli ka thënë se nuk sheh ndonjë dallim nëse votimi i dytë i ligjit bëhet të enjten, duke argumentuar se deri atëherë nuk pritet të ndryshojë gjendja e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

    Tutje, ai ka thënë se votimi në lexim të dytë pa kaluar 72 orë, sipas tij, do t’i jepte Listës Serbe mundësinë e dërgimit të tij në Gjykatën Kushtetuese.

    “Ndërsa sa i përket ligjit për Dhomat e Specializuara dje ishte pika e parë dhe votuam të gjithë për plotësimin ndryshimin e këtij ligji. Mirëpo, duhet ta bëjmë të qartë se ishte pikërisht Partia Demokratike e Kosovës e cila në vitin 2024 në seancën e 5 dhjetorit me ligjet që kaluan në atë datë shkuan në Gjykatën Kushtetuese ku na u bë e qartë se shmangia e procedurave nuk mund të ndodh më herët se 72 orë dhe duhet t’ju jepet kohë deputetëve për të lexuar materialet dhe nëse do të vepronim në bazë të emocioneve dhe ta kalojmë në lexim të dytë do t’i jepnim mundësi Listës Serbe që këtë ligj ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese dhe ta rrëzojë gjithë mundi i deputetëve të shkojë poshtë – nuk e di se ku është dallimi nëse të enjten votohet në lexim të dytë dhe nuk besoj se deri të enjten do të kishte diçka që e ndryshojë gjendjen e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. Fillimisht do të duhej që deri të enjten të votojmë presidentin e të enjten ta votojmë ligjin në lexim të dytë dhe pastaj Presidenti i ri ta dekretojë”, u shpreh Kërçeli.