Blog

  • Arrestimet në Serbi pas humbjes së Vuçiqit, raportohet se Zvonko Veselinoviq është larguar në Turqi

    Arrestimet në Serbi pas humbjes së Vuçiqit, raportohet se Zvonko Veselinoviq është larguar në Turqi

    Arrestimet në Serbi pas humbjes së Vuçiqit, raportohet se Zvonko Veselinoviq është larguar në Turqi

    Në kohën kur po zhvillohen arrestime të shumta të personave të ndryshëm në Serbi, të lidhur me ish-pushtetin e Aleksandar Vuçiqit, krimineli i njohur, Zvonko Veselinoviq, raportohet se është nisur këtë mëngjes drejt Turqisë.

    Veselinoviq ka lidhje të afërta me majat e ish-pushtetit dhe me Andrej Vuçiqin, vëllain e Aleksandar Vuçiqit. Ai kishte ndikim në emërimet në policinë serbe, ndërsa kompania e tij ka përfituar miliona euro nga projektet shtetërore, siç dëshmohet nga mesazhet në aplikacionin “Sky” (Skaj), të cilat KRIK i publikoi para dy vitesh.

    Zvonko Veselinoviq është nisur me fluturimin e hershëm të mëngjesit nga Sarajeva drejt Stambollit, duke përdorur pasaportën serbe, u është thënë gazetarëve të KRIK-ut.

    Udhëtimi i tij drejt Stambollit ndodh në kohën kur po zhvillohen arrestime të biznesmenëve kontroversë dhe zyrtarëve, të cilët gjatë qeverisjes së Aleksandar Vuçiqit dhe Partisë Përparimtare Serbe (SNS) kishin një pozitë të privilegjuar, që u mundësonte të shkelnin ligjin pa pengesa dhe të pasuroheshin.

    Turqia, ndërkaq, gjatë pesë viteve të fundit është bërë një nga vendet kryesore ku strehohen pjesëtarë të grupeve të ndryshme kriminale të Ballkanit.

    Në raportet e policisë dhe të shërbimeve të sigurisë, të cilat gazetarët e KRIK-ut i kanë publikuar më herët, Veselinoviq është cilësuar si njëri prej kriminelëve kryesorë serbë në Kosovë. Në këto raporte thuhet gjithashtu se grupi i tij merret me kontrabandimin e drogës, armëve dhe naftës, fajde, si dhe pastrim parash.

    Në Serbi, ai është akuzuar disa herë për vepra të ndryshme penale, përfshirë kontrabandë droge, vjedhje kamionësh dhe gërmime të paligjshme të rërës. Megjithatë, shumica e proceseve gjyqësore ndaj tij kanë përfunduar me aktgjykime lirimi, gjatë qeverisjes së Aleksandar Vuçiqit.

    Krimi më i rëndë për të cilin dyshohet Veselinoviq është përfshirja në vrasjen e politikanit nga Kosova, Oliver Ivanoviq, në janar të vitit 2018. Prokuroria e Kosovës thotë se në këtë vrasje është i përfshirë edhe kumbari i Veselinoviqit, Milan Radoiçiq. Të dy kanë pasur mbrojtjen e ish-presidentit të Serbisë.

    Në fund të vitit 2021, Veselinoviq u përfshi edhe në listën e sanksioneve të Thesarit amerikan, për shkak të dyshimeve se kishte korruptuar politikanë për të mundësuar zhvillimin e aktiviteteve të tij të paligjshme. Një vit më vonë, sanksione ndaj tij vendosi edhe Mbretëria e Bashkuar.

    Pavarësisht të gjitha këtyre, Veselinoviq gëzonte mbrojtje në Serbi. Lidhjet e tij politike shtriheshin deri në nivelet më të larta të pushtetit dhe ai kishte afërsi me Andrej Vuçiqin, vëllain e ish-presidentit serb, për të cilën KRIK kishte shkruar para disa vitesh.

    Lidhjet politike i kanë mundësuar atij jo vetëm të jetonte i lirë, por edhe të pasurohej. Kompania e tij e ndërtimit fitonte miliona euro duke marrë pjesë në projekte shtetërore.

    Mesazhet në aplikacionin “Sky”, të publikuara nga KRIK para dy vitesh, zbuluan mënyrën se si Veselinoviq siguronte këto kontrata të majme shtetërore dhe përfitonte financiarisht prej tyre.

    “Vëlla, e di sa miliona merr. Edhe kjo nuk i mjafton”, kishte shkruar njëri prej kriminelëve të grupit rival, duke përshkruar pangopësinë e Veselinoviqit.

    Mesazhet e publikuara nga KRIK tregojnë se Veselinoviq kishte ndikim edhe në emërimet në policinë serbe. Ndër të tjera, në vitin 2020 ai ishte kundër emërimit të Veselin Miliqit, në atë kohë shef i Drejtorisë së Policisë Kriminalistike (UKP), ndërsa sot i akuzuar për mosraportimin e një vrasjeje, në pozitën e drejtorit të policisë.

    Sipas mesazheve, ai i kishte thënë Andrej Vuçiqit se nuk do ta ndihmonte më SNS-në nëse Miliqi do ta merrte këtë pozitë.

    Burimi: Insajderi

  • KEK-u sqaron investimet në TC Kosova B: Investimet strategjike kërkojnë fakte, jo përplasje politike

    KEK-u sqaron investimet në TC Kosova B: Investimet strategjike kërkojnë fakte, jo përplasje politike

    Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), ka reaguar ndaj deklarimeve dhe kritikave politike lidhur me investimet në Termocentralin Kosova B, duke thënë se projektet strategjike duhet të vlerësohen mbi bazën e fakteve dhe jo të përdoren për përplasje politike.

    Në reagimin e saj, KEK-u ka sqaruar se projekti për reduktimin e emetimeve të pluhurit dhe oksideve të azotit (ESP/DeNOx) në njësitë B1 dhe B2 financohet nga Bashkimi Evropian përmes fondeve IPA, ndërsa ky i fundit është edhe autoriteti kontraktues dhe përgjegjës për menaxhimin e kontratës. KEK-u, sipas reagimit, është përfitues i këtij investimi.

    Korporata ka bërë të ditur se punimet në njësinë B1 kanë nisur më 10 prill 2026, ndërsa afati kontraktual për ndezjen e kaldajës për prodhimin e avullit është 25 nëntori 2026.

    Sipas KEK-ut, fillimi i projektit ishte shtyrë për shkak të pandemisë COVID-19, projektit të dilatimeve, falimentimit të njërit prej anëtarëve të konsorciumit kontraktues dhe rrethanave të tjera që kanë ndikuar në realizimin e tij.

    Ndërkaq, KEK-u ka sqaruar se projekti për modernizimin e turbinave është investim i vetë Korporatës, e cila është përgjegjëse për financimin, kontraktimin dhe menaxhimin e tij.

    Punimet për modernizimin e turbinave dhe komisionimi i ftohtë në njësinë B1, sipas KEK-ut, kanë përfunduar më 2 nëntor 2026. Testimet përfundimtare dhe komisionimi në kushte operimi do të bëhen pas përfundimit të projektit mjedisor dhe rikthimit të njësisë në funksion.

    KEK-u ka theksuar se bëhet fjalë për dy projekte të ndara, me burime të ndryshme financimi dhe përgjegjësi të veçanta institucionale, të cilat nuk duhet të paraqiten si një investim i vetëm i Korporatës.

    Në reagim thuhet gjithashtu se KEK-u është duke realizuar programin më të madh të modernizimit teknologjik që nga ndërtimi i njësive prodhuese, me investime të planifikuara në vlerë prej mbi 500 milionë eurosh.

    Sa u përket ndërprerjeve të energjisë elektrike, KEK-u ka theksuar se është prodhues i energjisë dhe që nga viti 2013 nuk është më operator i rrjetit të shpërndarjes. Për këtë arsye, sipas Korporatës, ndërprerjet që shkaktohen nga defektet apo punimet në rrjetin e shpërndarjes nuk mund t’i atribuohen asaj.

    “Prandaj, krahas respektimit të afateve, rëndësi thelbësore kanë cilësia e punimeve, siguria teknike, përmbushja e standardeve mjedisore dhe qëndrueshmëria afatgjatë e investimeve. KEK-u nuk është dhe nuk duhet të bëhet arenë e përplasjeve politike. Investimet strategjike duhet të vlerësohen mbi bazën e fakteve, rezultateve dhe përgjegjësive reale institucionale, jo të përdoren si instrument për interesa politike”, thuhet nga KEK-u.

    KEK-u ka bërë thirrje që investimet strategjike të trajtohen me profesionalizëm dhe transparencë, duke kërkuar që përgjegjësitë institucionale të dallohen qartë dhe procesi i modernizimit të mos politizohet.

    Burimi: Dukagjini

  • Drejtësia 'kurrkah' hiç, Gërvalla sheh diçka pozitive: Përparim nuk është shënuar, por as hapa mbrapa

    Drejtësia ‘kurrkah’ hiç, Gërvalla sheh diçka pozitive: Përparim nuk është shënuar, por as hapa mbrapa

    Drejtësia 'kurrkah' hiç, Gërvalla sheh diçka pozitive: Përparim nuk është shënuar, por as hapa mbrapa

    Raporti i Progresit për vitin 2026 e rendit drejtësinë ndër fushat më të dobëta në Kosovë.

    Në vlerësimin për funksionimin e gjyqësorit, Komisioni Evropian ka konstatuar se, në përgjithësi, nuk është shënuar përparim.

    Megjithatë, ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, duket se nuk e sheh këtë vlerësim si shqetësues në tërësi, transmeton Klankosova.tv

    Në Kuvend, ku po mbahet seanca për Raportin e Progresit, ajo tha se raporti ka evidentuar mungesën e përparimit, por jo edhe ndonjë regres në funksionimin e gjyqësorit.

    “Për funksionimin e gjyqësorit në tërësi, në përgjithësi nuk ka shënuar përparim, mirëpo jo që ka bërë hapa mbrapa”, tha Gërvalla.

    Ndërkaq, në raport theksohet se ndikimet e papërshtatshme nga interesat politike, ekonomike dhe faktorë të tjerë vazhdojnë të pengojnë pavarësinë dhe paanshmërinë e sistemit të drejtësisë.

    Po ashtu, bëhet e ditur se paketa e ligjeve për reformimin e drejtësisë ende nuk është miratuar./Klankosova.tv

  • Musliu-Shoshi kritikon ekzekutivin: Kosova e fundit në listën e vendeve për anëtarësim në BE

    Musliu-Shoshi kritikon ekzekutivin: Kosova e fundit në listën e vendeve për anëtarësim në BE

    Musliu-Shoshi kritikon ekzekutivin: Kosova e fundit në listën e vendeve për anëtarësim në BE

    Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu Shoshi ka thënë se Kosova është e fundit në listën e vendeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

    Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit ku po diskutohet për raportin e BE-së për Kosovën, ajo ka kritikuar ekzekutivin e vendit për ngecje në shumë fusha sa i përket procesit të integrimeve.

    “Jemi shteti i vetëm që ka qenë nën sanksione nga BE-ja për më shumë se 1 vit. Janë bërë rreth 10 vjet që nga hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociim dhe është marrëveshja e vetme kontraktuale që Kosova e ka me BE-në dhe LVV-ja e ka kundërshtuar ashpër. Janë bërë 4 vjet që kur Kosova e ka dorëzuar kërkesën për anëtarësim në BE dhe ajo ka mbetur në sirtarë.”, ka thënë ajo.

    Deputeja Musliu Shoshi ka shtuar se orientimi evropianë për qytetarët e shoqërinë është i qartë, por sipas saj, mbetet e paqartë ajo se çfarë po bën Qeveria në këtë drejtim. /Klankosova.tv

  • Mickoski: Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do ta falimentonin shtetin

    Mickoski: Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do ta falimentonin shtetin

    Nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare sepse vendi do të falimentojë, dhe zgjedhjet nuk rekomandohen as nga bashkësia ndërkombëtare. Edhe nëse partneri qeveritar ZNAM, udhëheqësi i të cilit është Maksim Dimitrievski, largohet nga qeveria, nuk do të ketë zgjedhje sepse qeveria ka shumicën në Kuvend edhe pa deputetët e kësaj partie.

    Kjo mund të konkludohet nga takimi i kryeministrit Hristijan Mickoski me gazetarët pas shkëmbimit të reagimeve të ashpra midis VLEN-it dhe ZNAM-it për mosmarrëveshjen se në cilën gjuhë duhet të jepet provimi i jurisprudencës. Dimitrievski njoftoi një largim të mundshëm nga Qeveria nëse provimi zhvillohet edhe në gjuhën shqipe.

    Mickoski tashmë e ka diskutuar këtë me Dimitrievskin, por nuk zbuloi nëse kreu i ZNAM-it ka mbetur në qëndrimin për t’u larguar nga Qeveria.

    Pas takimit në pasdite midis Kryeministrit dhe bashkëkryetarëve të VLEN-it, Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami, duhet të përcaktohen edhe propozimet për disa zëvendësministra nga ky partner qeveritar, duke përfunduar kështu rikonstruimin e shallonit të dytë qeveritar.

    “Për momentin është e papërgjegjshme. Nëse e shohim politikisht, na shkon të shkojmë në zgjedhje të parakohshme, por nëse e shohim në thelb, duhet të jemi të qartë se në dy vitet e ardhshme duhet të gjejmë pesë miliardë euro. Vitin tjetër duhet të gjejmë 2.3 miliardë euro. Gjashtë muaj të një qeverie teknike do ta çojnë vendin drejtpërdrejt në falimentim. Dhe ajo qeveri teknike do të jetë në kulmin e dimrit më të ashpër në janar dhe ndoshta pjesërisht në shkurt”, tha Mickoski./Telegrafi/

  • Beyonce u shfaq në kopertinën e revistës iD e veshur vetëm me lesh, duke pozuar pa bluzë

    Beyonce u shfaq në kopertinën e revistës iD e veshur vetëm me lesh, duke pozuar pa bluzë

    Pas 20 vitesh, Beyonce është rikthyer në kopertinën e revistës britanike iD, në të cilën pozon e mbuluar vetëm me lesh të bardhë, dhe në foto të tjera mban veshur xhinse, një këmishë transparente dhe bizhuteri të mëdha, dhe gjithashtu pozon pa bluzë.

    Fotosesioni u realizua për një edicion special të revistës kushtuar markës së saj të kujdesit për flokët Cécred, e cila do të lançohet në Mbretërinë e Bashkuar këtë vjeshtë. iD publikoi sot serinë e plotë të fotove dhe intervistës në faqen e saj të internetit. Fotot janë nga Blair Caldwell, me stilim nga Shiona Turini, grim nga Francesca Tolot dhe flokë nga Neal Farinah.

    Kopertina paraqet Beyoncen duke qëndruar në një sfond gri, të mbuluar me lesh të bardhë që i bie deri në gjunjë. Ajo e kompletoi pamjen me një gjerdan me perla dhe këpucë të bardha. Sipër saj është logoja e madhe jeshile e revistës.

    Këngëtarja mban flokë të gjatë, të lagur dhe kaçurrela gjatë gjithë fotosesionit, pasi fokusi është te marka e kujdesit për flokët. Në foton bardhë e zi, ajo pozon me një bluzë të bardhë transparente që e ngre me dorë, së bashku me xhinse, vathë të mëdhenj, byzylykë dhe një gjerdan me mbishkrimin Cécred. Në disa foto, ajo mban edhe bizhuteri për dhëmbët.

    Në foton pa bluzë, ajo vesh vetëm xhinse dhe mbulon gjoksin me duar, dhe në një foto tjetër bardhë e zi, ajo është fotografuar nga pas, ndërsa dikush i kreh flokët me një krehër të gjerë. Me një bluzë të bardhë pa mëngë, me unaza dhe vathë të mëdhenj, ajo pozoi gjithashtu nga afër.

    Herën e fundit që ajo ishte në revistën i-D ishte në vitin 2006, kur promovoi albumin “B’Day”. Për 20-vjetorin e atij albumi, ajo zbuloi në një intervistë, se nxori arkivat e linjës së modës House of Deréon dhe veshi përsëri disa nga veshjet që ajo dhe nëna e saj kishin dizenjuar në atë kohë.

    E pyetur se cili ishte fustani i saj i preferuar i dizenjuar nga nëna e saj Tina Knowles, Beyonce veçoi fustanin e nusërisë, të cilin e tha se ishte “bukur i thjeshtë dhe i punuar me dashurinë e saj”.

    “Bëmë një dasmë shumë të vogël në shtëpinë tonë. U thamë të ftuarve se do të bënim një festë dhe askush përveç prindërve tanë dhe disa miqve nuk e dinte se ata do të vinin në dasmën tonë. Ishte shumë e rëndësishme për mua të vishja një fustan të dizenjuar nga ajo, më e rëndësishme se çdo fustan tjetër firme”, tha ajo.

  • Kurti meets with European Union Special Representative Sörensen

    In the parliament of the Peace Forum in Paris, Republika Kosovo Prime Minister Albin Kurti met with European Union Special Representative for Kosovo-Serbia Dialogue Peter Sörensen.

    At the meeting, full institutional stability was discussed after the President’s election, Kosovo’s path towards membership in the European Union and the full normalisation of relations with Serbia, with mutual recognition in the centre.

    Source Layer: RTKLive

  • Kurti takohet me Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian, Sørensen

    Kurti takohet me Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian, Sørensen

    Në margjina të Forumit të Paqes në Paris, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u takua me Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sørensen.

    Në takim u diskutua për stabilitetin e plotë institucional pas zgjedhjes së Presidentes, rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë, me njohjen e ndërsjellë në qendër.

    Burimi: RTKLive

  • Mund të vini re shenja të kolesterolit të lartë në duar, këmbë dhe sy

    Mund të vini re shenja të kolesterolit të lartë në duar, këmbë dhe sy

    Kolesteroli i lartë është një nga faktorët e rëndësishëm të rrezikut për atakun në zemër dhe goditjen në tru, dhe ajo që është veçanërisht e rrezikshme është se shpesh nuk shkakton asnjë simptomë. Megjithatë, ndryshime të caktuara në sy, duar dhe këmbë mund të paralajmërojnë për nivele jashtëzakonisht të larta të kolesterolit në gjak. Mjekët theksojnë se është e rëndësishme t’i njihni këto shenja dhe të kontrolloni shëndetin tuaj në kohë.

    Fondacioni Britanik i Zemrës (BHF) paralajmëron për disa shenja të dukshme që mund të shfaqen veçanërisht tek njerëzit me kolesterol të lartë të trashëguar, shkruan Mirror .

    Ënjtje dhe gunga në nyje dhe tendona

    Një nga shenjat e mundshme të kolesterolit të lartë janë ksantomat, ose depozitat yndyrore që mund të shfaqen në pjesë të ndryshme të trupit.

    Sipas Fondacionit Britanik të Zemrës, ksantomat e tendinave mund të shfaqen si ënjtje në kyçe të duarve, gjunjë ose në tendinin e Akilit, në pjesën e prapme të kyçit të këmbës.

    Një rast interesant u përshkrua në një punim mjekësor të botuar në vitin 2013. Në atë kohë, një burrë 42-vjeçar kërkoi ndihmë mjekësore për shkak të vështirësisë në lëvizjen e gishtit unazor dhe gishtit të vogël të dorës së majtë. Testet treguan se ai kishte kolesterol të lartë dhe një biopsi zbuloi praninë e qelizave ksantoma, të shoqëruara me akumulimin e yndyrës përgjatë tendinave.

    Depozita të verdha rreth syve

    Gungat e vogla, të verdha që shfaqen në qepalla, veçanërisht pranë qosheve të brendshme të syve, quhen ksantelazma.

    Këto janë depozita yndyrore nën lëkurë që mund të shoqërohen me nivele të larta të kolesterolit. Megjithatë, ksantelazmat mund të ndodhin edhe tek njerëzit me nivele normale të lipideve në gjak, kështu që prania e tyre vetëm nuk është e mjaftueshme për një diagnozë.

    Një unazë e ndritshme rreth irisit të syrit

    Një tjetër shenjë e mundshme është një unazë e zbehtë e bardhë ose gri që shfaqet përgjatë skajit të kornesë, rreth irisit të syrit. Ky fenomen quhet hark korneal.

    Është relativisht e zakonshme tek të moshuarit dhe zakonisht nuk është shkak për shqetësim. Megjithatë, nëse shfaqet në një moshë më të re, mund të tregojë një çrregullim të metabolizmit të yndyrnave dhe të jetë një arsye për të kontrolluar kolesterolin.

    Kolesteroli i trashëguar mund të rritet që nga lindja.

    Ndryshimet e lartpërmendura mund të ndodhin tek njerëzit me hiperkolesterolemi familjare, një çrregullim i trashëguar që shkakton nivele jashtëzakonisht të larta të kolesterolit LDL në gjak.

    Njerëzit me këtë gjendje mund të kenë kolesterol të lartë që nga lindja, gjë që rrit rrezikun e zhvillimit të parakohshëm të sëmundjeve të zemrës dhe të enëve të gjakut. Rreziku është veçanërisht i rëndësishëm për njerëzit me një histori familjare të kolesterolit shumë të lartë ose sulmeve në zemër në moshë të re.

    Megjithatë, kolesteroli i lartë nuk është domosdoshmërisht i trashëgueshëm; nivelet e tij mund të ndikohen edhe nga një dietë e pasur me yndyrna të ngopura, aktiviteti fizik i pamjaftueshëm, pesha e tepërt trupore, pirja e duhanit dhe konsumimi i tepërt i alkoolit.

    Rreziku rritet gjithashtu me moshën, dhe disa sëmundje, siç është diabeti, gjithashtu mund të ndikojnë në nivelet e kolesterolit.

    Pse kolesteroli i lartë është kaq i rrezikshëm?

    Kolesteroli është një substancë yndyrore që trupi ka nevojë për të funksionuar normalisht. Ai ndihmon në ndërtimin e membranave qelizore, krijimin e hormoneve dhe prodhimin e vitaminës D dhe acideve biliare të nevojshme për tretjen e yndyrnave.

    Edhe pse e marrim edhe nga ushqimi, pjesa më e madhe e kolesterolit që i nevojitet trupit tonë prodhohet nga mëlçia. Problemi lind kur nivelet e kolesterolit në gjak bëhen shumë të larta, veçanërisht kolesteroli LDL.

    LDL, i njohur si kolesterol i keq, mund të grumbullohet në muret e enëve të gjakut dhe të kontribuojë në formimin e pllakave aterosklerotike. Me kalimin e kohës, arteriet mund të ngushtohen, duke e bërë më të vështirë rrjedhjen e gjakut dhe duke rritur rrezikun e atakut në zemër dhe goditjes në tru.

    Nga ana tjetër, HDL, ose kolesteroli i mirë, ndihmon në largimin e kolesterolit të tepërt nga indet dhe transportimin e tij në mëlçi. Nivelet më të larta të HDL shpesh shoqërohen me një rrezik më të ulët të sëmundjeve të zemrës, megjithëse ato në vetvete nuk garantojnë mbrojtje.

    Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme të monitorohen nivelet e kolesterolit dhe të mos mbështetemi vetëm në shfaqjen e mundshme të simptomave.

    Si të ulni kolesterolin e keq?

    Kolesteroli i lartë LDL mund të ulet duke ndryshuar dietën dhe stilin e jetës, megjithëse disa njerëz mund të kenë nevojë edhe për ilaçe. Ekspertët e Harvardit rekomandojnë bollgurin sepse përmban fibra të tretshme, të cilat ndihmojnë në uljen e niveleve të kolesterolit në gjak.

    Organizata britanike Heart UK këshillon uljen e konsumit të yndyrnave të ngopura, siç janë gjalpi, mishrat e yndyrshëm dhe djathrat me yndyrë të plotë, dhe zëvendësimin e tyre me vaj ulliri, arra dhe fara. Është e dobishme të hani më shumë fruta, perime, bishtajore dhe drithëra të plota, si dhe të ushtroheni rregullisht.

    Kur duhet të vizitoni një mjek?

    Kolesteroli i lartë shpesh nuk ka simptoma, kështu që analizat e rregullta të gjakut janë mënyra më e mirë për ta zbuluar atë. Sipas Shërbimit Shëndetësor Kombëtar (NHS) të Mbretërisë së Bashkuar, analizat janë veçanërisht të rëndësishme për njerëzit me faktorë shtesë rreziku, siç janë presioni i lartë i gjakut, diabeti ose mbipesha.

    Nëse vini re depozita të verdha rreth syve, gunga në tendona ose një unazë të lehtë rreth irisit, konsultohuni me mjekun tuaj. Zbulimi dhe trajtimi i hershëm i kolesterolit të lartë mund të zvogëlojë ndjeshëm rrezikun e atakut në zemër dhe goditjes në tru.

  • “Kur hyn në dhomë, të gjithë e ndiejnë”, Courtois zbulon fuqinë e Mourinhos në zhveshtore

    “Kur hyn në dhomë, të gjithë e ndiejnë”, Courtois zbulon fuqinë e Mourinhos në zhveshtore

    Real Madridi po kalon një periudhë pozitive nën drejtimin e Jose Mourinhos, ndërsa portieri Thibaut Courtois beson se trajneri portugez ishte pikërisht personaliteti që i nevojitej skuadrës madrilene.

    Mourinho u emërua trajner i Real Madridit gjatë verës, duke zëvendësuar Alvaro Arbeloan, i cili kishte marrë drejtimin e ekipit në janar, pas shkarkimit të Xabi Alonsos.

    Ky është edicioni i dytë i Mourinhos në stolin e Los Blancos, pasi ai e kishte drejtuar klubin edhe nga viti 2010 deri në vitin 2013.

    Real Madridi aktualisht renditet në vendin e dytë në La Liga, me tri pikë më pak se Barcelona, kampione në fuqi për dy sezone radhazi, të cilën e mposhti në El Clasicon e muajit të kaluar.

    Skuadra e Mourinhos ka fituar të gjitha ndeshjet që nga humbja ndaj Atletico Madridit më 20 shtator. Courtois beson se 63-vjeçari ishte zgjedhja e duhur për një ekip që kishte kaluar dy sezone jo të suksesshme.

    “Ishte vërtet emocionuese ta kishim sërish në klub. Ai e mbush dhomën me praninë e tij. Kur hyn brenda dhe ai është aty, menjëherë e ndien praninë e tij. Mendoj se kjo ishte diçka për të cilën kishim nevojë”.

    Portieri belg vlerësoi gjithashtu se Mourinho është bërë më i pjekur me kalimin e viteve, duke krahasuar karakterin e tij aktual me atë që kishte gjatë periudhës së mëparshme në Chelsea.

    “Besoj se edhe ai vetë thotë se është bërë më i pjekur. Me përvojën që ka fituar, ndonjëherë është pak më i qetë. Te Chelsea e mbaj mend si dikë më të ashpër në zhveshtore, më intensiv. Edhe tani është i tillë, por mendoj se është pak më i qetë krahasuar me atë që mbaj mend para 12 vitesh. Megjithatë, personaliteti dhe prania e tij mbeten të njëjta”.

    Mourinho tashmë ka regjistruar 97 fitore në La Liga si trajner i Real Madridit, duke përfshirë dy periudhat e tij në krye të klubit.

    Vetëm tre trajnerë në historinë e madrilenëve kanë arritur të regjistrojnë të paktën 100 fitore në elitën e futbollit spanjoll.

    Portugezi e ka udhëhequr Real Madridin në 126 ndeshje të La Ligës, me një përqindje fitoresh prej 77 për qind, shifra më e lartë për çdo trajner që ka drejtuar të paktën 100 ndeshje në këtë garë.

    “Në fillim patëm dy humbje, por tani gjithçka po shkon mirë dhe shpresojmë ta vazhdojmë këtë ecuri”, përfundoi Courtois./Telegrafi/