Blog

  • Zielinski: Duam Ligën e Kampionëve

    Zielinski: Duam Ligën e Kampionëve

    Mesfushori Piotr Zielinski, duke folur gjatë ceremonisë së çmimit “Gentleman Aëard”, ka bërë të qartë se ambiciet e “Nerazzurrëve” shkojnë përtej suksesit në kampionatin italian.

    “Ëndërrojmë të fitojmë Ligën e Kampionëve dhe do të japim gjithçka për ta arritur këtë. Jo çdo skuadër do të mund të bënte atë që bëmë ne në ‘Bernabéu’, ku morëm kontrollin e lojës, mbajtëm zotërimin e topit dhe krijuam raste”, deklaroi Zielinski.

    Polaku pranoi se humbja ndaj Real Madridit ishte zhgënjyese, por sipas tij ajo ndeshje dëshmoi edhe forcën e skuadrës italiane.

    “Fatkeqësisht e humbëm atë ndeshje, por jemi të vetëdijshëm për cilësinë që kemi. Jemi një skuadër e fortë dhe këtë e dëshmuam kundër Real Madridit. Duam të bëjmë më mirë se sezonin e kaluar në Ligën e Kampionëve”, shtoi ai.

    Sa i përket garës për titullin në Serie A dhe synimit për ta mbrojtur trofeun, Zielinski nuk dëshiron të nxitojë me parashikime.

    “Do ta shohim më vonë. Për momentin po përqendrohemi te vetja, me shpresën për të fituar sërish. Rivalët janë të zakonshmit: Roma, Juventusi, Napoli, Milani, por edhe Como”, u shpreh mesfushori.

    Interi ka treguar karakter edhe në momentet më të vështira të sezonit, me skuadrën që ka arritur disa herë të rikthehet në lojë pas disavantazheve.

    “Ka pasur mjaft përmbysje, por nuk mendoj se ka vend për shqetësim. Edhe kur kemi qenë në disavantazh prej dy golash, kemi arritur të marrim një rezultat pozitiv, përveç ndeshjes ndaj Real Madridit”, tha Zielinski.

    Në fund, ai theksoi se pikërisht ky mentalitet është një prej forcave kryesore të Interit, edhe pse skuadra synon të përmirësohet në efikasitetin para portës.

    “Kjo është një nga pikat tona të forta, edhe pse do të përpiqemi të shënojmë më herët”, përfundoi Zielinski.

    Burimi: RTKLive

  • “Kosova vend tolerant”, gazetari kroat: 93.5% popullsi myslimane, u zgjodh presidente një katolike

    “Kosova vend tolerant”, gazetari kroat: 93.5% popullsi myslimane, u zgjodh presidente një katolike

    “Kosova vend tolerant”, gazetari kroat: 93.5% popullsi myslimane, u zgjodh presidente një katolike

    Gazetari kroat, Zoran Kusaovac, ka shkruar për zgjedhjen e Justina Shiroka-Pulës si presidente e Republikës së Kosovës.

    Ai ka thënë se në Kosovë nuk u bë asnjë teori konspirative kundër islamit, për ndonjë komplot të Vatikanit apo për një Perëndim që po minon fenë e shumicës, ndonëse shefja e re e shtetit është katolike.

    “Kosova (93,5% myslimane) zgjedh katoliken Justina Shiroka-Pula si presidente. Askush nuk e vë fare në dyshim këtë, as nuk flet për teori konspirative kundër Islamit, për ndonjë komplot të Vatikanit apo për Perëndimin që po minon fenë e shumicës.A mund ta imagjinojë dikush Serbinë (81,1% ortodokse) duke zgjedhur një president mysliman? Për shembull, Suljo Ugljanin-in apo Shaip Kamberin?”, ka shkruar ai.

  • Presidentja Shiroka-Pula po zhvillon takim me kryeministrin Kurti

    Presidentja Shiroka-Pula po zhvillon takim me kryeministrin Kurti

    Presidentja Shiroka-Pula po zhvillon takim me kryeministrin Kurti

    Presidentja e re e vendit, Justina Shiroka-Pula ka nisur një takim me kryeministrin Albin Kurti.

    Takimi është i pari i këtij niveli mes dyshes, dhe supozohet të jetë takim vetëm njoftues.

    Gazetarja e Klan Kosova, Qëndresa Bellagoshi, tha se aty pritet të diskutohen prioritetet dhe punët që i ka përpara presidentja e re, e të cilët duhet të bëhen në bashkëpunim me Kryeministrin, sikurse edhe me Kuvendin.

    Takimi ka nisur rreth orës 11:00, dhe është ende duke u zhvilluar.

    Shiroka-Pula u votua dhe betua si Presidente e vendit në orët e para të së mërkurës (7 tetor).

    Ndiqeni deklarimin e gazetares Bellagoshi:

  • Nicolás Maduro dhe bashkëshortja e tij pritet të përballen me akuza të reja “për torturimin e shtetasve amerikanë”

    Nicolás Maduro dhe bashkëshortja e tij pritet të përballen me akuza të reja “për torturimin e shtetasve amerikanë”

    Prokurorët në Nju Jork pritet të ngrenë akuza të reja kundër ish-presidentit venezuelian Nicolás Maduro dhe bashkëshortes së tij, Cilia Flores, lidhur me pretendimet për torturimin e shtetasve amerikanë që mbaheshin në paraburgim nga qeveria venezueliane vitet e fundit.

    Kjo, sipas CNN, është bërë e ditur nga disa persona të njohur me hetimin, sipas të cilëve, një njoftim mund të bëhet që të enjten.

    Akuzat e reja lidhen me atë që qeveria amerikane e ka cilësuar si ndalim të padrejtë të më shumë se një duzine shtetasish amerikanë në burgjet venezueliane, gjatë kohës kur Maduro drejtonte një regjim shtypës në Venezuelë, thanë personat e informuar mbi hetimin.

    Hetuesit kanë diskutuar gjithashtu mundësinë e ngritjes së akuzave ndaj disa personave të tjerë për rolin e tyre të pretenduar në torturimin e amerikanëve, sipas një burimi të njohur me çështjen.

    CNN thotë se ka kontaktuar avokatët e Maduros dhe Floresit.

    Maduro dhe bashkëshortja e tij u kapën gjatë një operacioni ushtarak amerikan në janar, në pallatin presidencial në Karakas.

    Ata janë deklaruar të pafajshëm për akuzat e komplotit për narkoterrorizëm dhe akuza të tjera, dhe po mbahen në paraburgim pa të drejtë lirimi me kusht në Nju Jork.

    Flores pritet të dalë në një seancë dëgjimore të enjten, ku avokati i saj do të kërkojë që ajo të kalojë në arrest shtëpie para fillimit të gjyqit.

    Avokati i Maduros po konteston ligjshmërinë e arrestimit dhe argumenton se ish-presidenti duhet të gëzojë imunitet, pasi veprimet e pretenduara kanë ndodhur ndërsa ai ishte në detyrë.

    Por qeveria venezueliane nuk po kërkon njohjen e imunitetit në emër të tij, sipas prokurorisë.

    Pretendimet për torturë

    Më shumë se një duzinë amerikanësh u ndaluan nga qeveria e Maduros, e cila u akuzua nga qeveria amerikane dhe nga aktivistë të ndryshëm se i përdorte ata si mjete për qëllime politike.

    Disa nga amerikanët kanë folur hapur për torturat të cilave u janë nënshtruar gjatë kohës që ishin të burgosur.

    Matthew Heath dhe Osman Khan, të cilët u liruan në kuadër të një shkëmbimi të burgosurish në tetor të vitit 2022, pretenduan në një padi se ishin nënshtruar ndaj metodave të torturës si mbytja e simuluar me ujë (waterboarding), goditjet me rrymë elektrike, kërcënimet për sulme seksuale, përdorimi i drogave që ndikojnë në gjendjen mendore dhe periudha izolimi të plotë.

    Heath, një veteran i Marinës së SHBA-së, tentoi të vriste veten ndërsa mbahej në paraburgim.

    “CITGO 6” – një grup prej gjashtë drejtuesish amerikanë të industrisë së naftës, të cilët u joshën për të shkuar në Venezuelë në vitin 2017 dhe u mbajtën në paraburgim për gati pesë vjet – gjithashtu deklarojnë se janë trajtuar në mënyrë brutale gjatë kohës që mbaheshin të burgosur në Venezuelë.

    Në paditë e ngritura kundër punëdhënësit të tyre, kompanisë Citgo, Tomeu Vadell, Alirio Jose Zambrano dhe Jose Luis Zambrano thanë se ishin nënshtruar ndaj torturës gjatë burgosjes.

    Të gjithë ata ishin mbajtur në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Kundërzbulimit Ushtarak (DGCIM) – një institucion famëkeq që, sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara, ishte “përgjegjës për arrestime arbitrare, keqtrajtime dhe tortura ndaj kundërshtarëve politikë dhe familjarëve të tyre”.

    Raporti në fjalë konstatoi se DGCIM-ja “përdorte rregullisht” praktika torture – “duke përfshirë goditjet me rrymë, mbytjen me qese plastike, simulimin e mbytjes në ujë (waterboarding), rrahjet, dhunën seksuale, privimin nga uji dhe ushqimi, mbajtjen në pozicione trupore torturuese dhe ekspozimin ndaj temperaturave ekstreme” – me qëllim që “të nxirrte informacione dhe rrëfime, si dhe për të frikësuar e ndëshkuar të arrestuarit”. /Telegrafi/

  • Një në tre persona mbi 60 vjeç ndihet i vetmuar në Zvicër

    Një në tre persona mbi 60 vjeç ndihet i vetmuar në Zvicër

    Gati 800,000 të moshuar në Zvicër dëshirojnë të kenë më shumë shoqëri. Kjo është sipas një ankete përfaqësuese të kryer nga instituti kërkimor GFS Cyrih në emër të Pro Senectute.

    Vetmia tenton të rritet me moshën. Ndërsa shumica e të moshuarve mbeten të integruar mirë shoqërisht, fenomeni është larg të qenit margjinal, thekson Peter Burri Follath, zëdhënës i Pro Senectute Zvicër. “Disa qindra mijëra njerëz vuajnë vërtet prej saj. Dhe shumë prej tyre kanë vështirësi të flasin për të ose të dalin nga kjo situatë”, shpjegon ai, raporton RTS, transmeton Telegrafi.

    Kur vetmia ndikon negativisht në shëndet

    Studimi tregon në mënyrë të veçantë se të moshuarit pa partner janë më të ekspozuar ndaj rrezikut të vetmisë. Kjo ndjenjë izolimi nuk është pa pasoja: mund të ndikojë negativisht në cilësinë e jetës dhe, në fund të fundit, në shëndet.

    Peter Burri Follath përshkruan efektet shumë konkrete që vetmia mund të ketë në jetën e përditshme: “Nuk dal më jashtë. Kam vështirësi në integrimin shoqëror. Mund të jem në depresion ose edhe të bie në depresion, nuk lëviz mjaftueshëm, mund të ha keq ose shumë pak ose në një mënyrë të pabalancuar. Kjo do të thotë se jam më i prekshëm ndaj shumë sëmundjeve.”

    Mënyrat për të kapërcyer vetminë

    Prandaj është e rëndësishme të ndërmerren veprime. Kur të moshuarit bëhen të vetëdijshëm për izolimin e tyre, ata ndonjëherë mund të rindërtojnë vetë lidhjet shoqërore. Vullnetarizmi mund të jetë një mundësi, me kusht që ata të jenë ende në gjendje shëndetësore mjaft të mirë, thotë Peter Burri Follath. “Ju automatikisht vini në kontakt me njerëz të tjerë dhe gjithashtu gjeni një detyrë për të kryer. Këta janë të gjithë faktorë të rëndësishëm.”

    Ndjekja e kurseve, bashkimi me një grup ecjeje ose pjesëmarrja në takime për të moshuarit janë mënyra të tjera për të thyer izolimin./Telegrafi/

  • “Shumë krenare”, Adrola Dushi mbështet vendimin e Capital T për pauzën nga koncertet

    “Shumë krenare”, Adrola Dushi mbështet vendimin e Capital T për pauzën nga koncertet

    Modelja e njohur, Adrola Dushi, njëherësh partnerja e reperit Capital T, ka mbështetur vendimin e këtij të fundit për t’u tërhequr përkohësisht nga koncertet gjatë këtij viti.

    Gjatë ditës së djeshme, reperi bëri të ditur se këtë vit kishte vendosur të merrte një pauzë nga koncertet, ndërsa “Wine & Stories of Berat” ishte koncerti i vetëm i tij gjatë këtij viti.

    Në një shkrim të publikuar në rrjetet sociale, Capital T tha se kjo shkëputje ishte e nevojshme për të, jo vetëm për arsye profesionale, por edhe personale. Në të njëjtën kohë, ai konfirmoi rikthimin e tij të fuqishëm në skenën muzikore.

    Foto: Adrola Dushi / Instagram

    Një prej arsyeve që ndikuan në këtë vendim lidhej edhe me situatën dhe realitetin që po përjeton shoqëria. Reperi theksoi se muzika dhe festa nuk mund të ekzistojnë krejtësisht të shkëputura nga realiteti që na rrethon.

    Vendimin e partnerit të saj e ka mbështetur edhe Adrola Dushi, e cila publikoi në “story” disa prej shkrimeve të Capital T dhe i shoqëroi me një mesazh të veçantë.

    “Ky është partneri im. Shumë krenare!”, shkroi modelja.

  • Forumi i biznesit britanik, Kosova synon thellimin e bashkëpunimit ekonomik me Mbretërinë e Bashkuar

    Forumi i biznesit britanik, Kosova synon thellimin e bashkëpunimit ekonomik me Mbretërinë e Bashkuar

    Forumi i Biznesit Britanik në Prishtinë nisi me mesazhe përmbajtjesore për forcimin e miqësisë në aspektin ekonomik mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova synon ta zgjerojë partneritetin me Mbretërinë e Bashkuar përtej marrëdhënieve politike dhe diplomatike, duke e vënë theksin te forcimi i lidhjeve ekonomike.

    Kurti, në Forumin e Biznesit Britanik në Kosovë 2026, tha se lidhjet ekonomike mund të krijojnë marrëdhënie të qëndrueshme ndërmjet dy popujve, ndërsa bizneset, sipas tij, krijojnë mundësi konkrete përmes vendeve të punës, hapjes së tregjeve dhe qarkullimit të ideve.

    “Një ngjarje që synon ta zgjerojë partneritetin tonë me Mbretërinë e Bashkuar përtej marrëdhënieve të shkëlqyera politike dhe diplomatike që kemi. Ndërsa miqësia jonë e kahershme dhe marrëdhëniet diplomatike i kanë afruar dy vendet tona, janë lidhjet ekonomike ato që do të krijojnë lidhje të qëndrueshme ndërmjet popujve tanë. Bizneset bëjnë diçka që qeveritë e vetme nuk mund ta bëjnë. Ato krijojnë mundësi konkrete për njerëzit, duke hapur vende pune, duke hapur tregje dhe duke mundësuar që idetë të kapërcejnë kufijtë. Kosova dhe Mbretëria e Bashkuar kanë ndërtuar një aleancë të fortë dhe të qëndrueshme që nga viti 1999… Përkushtimi i Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës dëshmohet gjithashtu përmes kontributit të saj në KFOR dhe mbështetjes për sigurinë dhe paqen tonë. Prandaj, është e natyrshme që bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve tona ka qenë veçanërisht i fortë në fushën e mbrojtjes”, tha Kurti.

    Ai ka përmendur edhe bashkëpunimin e dy vendeve në fushën e sigurisë, duke theksuar se Kosova dhe Mbretëria e Bashkuar kanë ndërtuar një aleancë të fortë dhe të qëndrueshme që nga viti 1999.

    Kurti ka kujtuar edhe hyrjen e trupave të para të NATO-s në Kosovë, të udhëhequra nga komandanti i atëhershëm i KFOR-it, gjenerali britanik Michael Jackson.

    “Dhe nuk mund ta harrojmë kurrë qershorin e vitit 1999, kur trupat e para të NATO-s që hynë në vendin tonë ishin trupat britanike, të udhëhequra nga komandanti i atëhershëm i KFOR-it, gjenerali Michael Jackson. Pra, për një periudhë në Kosovë, Michael Jackson ishte më i famshëm si gjeneral i ushtrisë britanike sesa si Mbreti i Pop-it. Dhe ndoshta, nga ana jonë, ne iu përgjigjëm me mbretëreshën tonë të përbashkët të pop-it, Dua Lipën. Sot, krenohemi me faktin se Kosova nuk ka qenë thjesht përfituese e një mbështetjeje të tillë, por ka marrë gjithashtu një rol aktiv në kontributin për sigurinë ndërkombëtare”, tha Kurti.

    Ndërkaq, ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves derisa ka uruar Kosovën për zgjedhjen e presidentes, tha se marrëdhëniet mes dy vendeve nuk mund të mbështeten vetëm në historinë e përbashkët, por duhet të zhvillohen përmes bashkëpunimit ekonomik.

    Hargreaves tha se kapitulli i ardhshëm i marrëdhënieve Kosovë-Mbretëri e Bashkuar duhet të përqendrohet gjithnjë e më shumë në biznes, investime, inovacion dhe prosperitet të përbashkët.

    “Dhe më lejoni ta nis, Kryeministër, duke e uruar Kosovën për zgjedhjen e presidentes së re. Jo vetëm për faktin se, me sa di unë, kjo është presidentja e tretë ose, sipas disa përllogaritjeve, e katërt grua që ka pasur Kosova. Pra, me sa di unë, ky është një rekord. Dhe kjo është gjithashtu një shembull fantastik për pjesën tjetër të botës. Por është edhe një mundësi e jashtëzakonshme për një fillim të ri, një epokë të re në zhvillimin e Kosovës, e lidhur edhe më vendosmërisht në aspektin ekonomik, politik dhe të sigurisë me fqinjët tuaj evropianë dhe me institucionet euroatlantike”, tha ai.

    Ai u shpreh optimist se kapitulli i ardhshëm i marrëdhënieve ndërmjet Mbretërisë së Bashkuar dhe Kosovës duhet dhe do të jetë gjithnjë e më shumë për biznesin.

    “Kur njerëzit mendojnë për marrëdhëniet ndërmjet Mbretërisë së Bashkuar dhe Kosovës, guxoj të them se shpesh mendojnë fillimisht për sigurinë, politikën apo diplomacinë. Dhe kjo është e kuptueshme, sepse ne në Mbretërinë e Bashkuar jemi krenarë që kemi qëndruar përkrah Kosovës në momentet më të rëndësishme të historisë së saj. Dhe shumë kosovarë, përfshirë padyshim shumë prej jush që jeni këtu sot, kanë kujtime familjare nga ajo mbështetje dhe partneritet ndër vite. Shumë diplomatë, ushtarë dhe punonjës britanikë të ndihmës kanë kushtuar vite të jetës së tyre për ta ndihmuar Kosovën të ndërtojë të ardhmen e saj. Por, siç e dimë të gjithë, marrëdhëniet e mira nuk mund të mbështeten vetëm në histori. Ato vazhdojnë të zhvillohen dhe ushqehen nga e ardhmja. Dhe mendoj se jemi këtu sot sepse besojmë se kapitulli i ardhshëm i marrëdhënieve ndërmjet Mbretërisë së Bashkuar dhe Kosovës duhet dhe do të jetë gjithnjë e më shumë për biznesin, investimet, inovacionin dhe prosperitetin e përbashkët të popujve tanë”, tha ai.

    Ai theksoi se optimizmi për të ardhmen e Kosovës duhet të shoqërohet me ndershmëri dhe me përmirësimin e kushteve për investitorët.

    “Është mirë të jesh optimist dhe mendoj se sot të gjithë ndihemi veçanërisht optimistë për të ardhmen e Kosovës. Por, natyrisht, testi i vërtetë i optimizmit është nëse ato rrënjë, pjesa “radikale”, janë të thella dhe të mbjella fort. Prandaj, optimizmi duhet të shoqërohet me ndershmëri. E di se investitorët shohin mundësi në Kosovë dhe tërheqja e investitorëve është, natyrisht, e rëndësishme. Por mbajtja e tyre të kënaqur është edhe më e rëndësishme…Ata kanë nevojë për përgjigje të shpejta, udhëzime të qarta dhe institucione me të cilat është e lehtë dhe e shpejtë të bësh biznes…Marrëdhënia jonë politike mbetet më e fortë se marrëdhënia jonë ekonomike, ndërsa lidhjet mes njerëzve tanë mbeten më të forta se lidhjet tona ekonomike”, tha ai.

    Në anën tjetër, drejtori ekzekutiv i Këshillit Evropian të Investitorëve, Emrush Ujkani, tha se angazhimi për bashkëpunim ekonomik duhet të shndërrohet në hapa konkretë.

    Sipas tij, investimet kërkojnë besim në qëndrueshmërinë e rregullave, në institucionet që i zbatojnë ato dhe në aftësinë e partnerëve për t’i përmbushur zotimet.

    “Detyra jonë sot është që angazhimin ta shndërrojmë në hapa konkretë përmes këtij forumi. Partneritetet ekonomike zhvillohen atëherë kur bizneset mund të identifikojnë një mundësi të besueshme dhe të kuptojnë kushtet në të cilat do ta ndjekin atë…Investimet kërkojnë besim në qëndrueshmërinë e rregullave, në institucionet që i zbatojnë ato dhe në aftësinë e partnerëve për t’i përmbushur zotimet e tyre. Për një vend që synon zhvillim të qëndrueshëm, këto konsiderata janë thelbësore. Kapitali mund të financojë projekte, por cilësia e qeverisjes dhe zbatimit përcakton nëse një projekt mund të krijojë vlerë afatgjatë”, tha Ujkani. /Kp/

  • ‘Sherr’ brenda dhe jashtë Kuvendit - Garda rrethon foltoren, protestuesit përplasen fizikisht me efektivët, Policia përgjigjet me sprej lotsjellës

    ‘Sherr’ brenda dhe jashtë Kuvendit – Garda rrethon foltoren, protestuesit përplasen fizikisht me efektivët, Policia përgjigjet me sprej lotsjellës

    Ndërsa brenda Kuvendi i Shqipërisë nisi seancën plenare, jashtë godinës situata është tensionuar mes protestuesve dhe forcave të policisë.

    Tubuesit janë përplasur fizikisht me efektivët, duke shtyrë kordonin e policisë dhe duke tentuar të shembin barrierat e vendosura përreth perimetrit të Kuvendit.

    Situata është përshkallëzuar më tej, teksa policia ka përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit dhe për të rikthyer kontrollin në zonën përpara godinës së Kuvendit.

    Protesta zhvillohet në kohën kur brenda Kuvendit po mbahet seanca, ku po diskutohet edhe çështja e territoriales e cila pritet të votohet. /Tch/

  • Le Pen: Nëse Ukraina anëtarësohet në BE, Franca do të jetë e para që do të pësojë

    Le Pen: Nëse Ukraina anëtarësohet në BE, Franca do të jetë e para që do të pësojë

    Kandidatja e ekstremit të djathtë për presidente të Francës, Marine Le Pen, ka paralajmëruar se bujqësia franceze do të pësonte pasoja të mëdha nëse Ukraina do të anëtarësohej në Bashkimin Evropian.

    Le Pen tha se Franca do të ishte vendi i parë që do të vuante nga anëtarësimi i Ukrainës në BE, duke përmendur dy arsye kryesore, transmeton Telegrafi.

    “Së pari, do të përballeshim me një konkurrencë të ashpër dhe të padrejtë. Së dyti, pjesa e buxhetit të Politikës së Përbashkët Bujqësore që i akordohet bujqësisë franceze do të zvogëlohej ndjeshëm”, shpjegoi ajo në një postim në X.

    Deklaratat e Le Pen vijnë pasi Komisioni Evropian ka propozuar që, në rastin e Ukrainës, të shqyrtohen masa të posaçme për produktet bujqësore të ndjeshme, për shkak të madhësisë dhe produktivitetit të lartë të sektorit bujqësor ukrainas. Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, tha se kushtet specifike për Ukrainën do të diskutohen gjatë negociatave të anëtarësimit.

    Kos ka theksuar se Ukraina do të jetë pjesë e Politikës së Përbashkët Bujqësore të BE-së, por mund të vendosen rregulla të veçanta për produkte të caktuara, me synimin për të mbrojtur fermerët evropianë dhe njëkohësisht për t’i ndihmuar Ukrainës të rikthejë qasjen në tregjet tradicionale jashtë BE-së.

    Çështja është bërë veçanërisht e ndjeshme për shkak të peshës së madhe të sektorit bujqësor ukrainas dhe frikës së disa vendeve anëtare se eksportet e mëdha ukrainase mund të krijojnë presion mbi fermerët dhe tregjet e tyre.

    Nga ana tjetër, Kievi ka kundërshtuar çdo model që do të nënkuptonte kufizime të përhershme për shitjen e produkteve të tij ushqimore në tregun e përbashkët evropian. Ukraina është shprehur e gatshme të pranojë mekanizma kalimtarë, përfshirë kuota ose masa mbrojtëse për produkte të ndjeshme, por vetëm nëse ato janë të arsyeshme, proporcionale dhe me afat të përcaktuar.

    Debati pritet të intensifikohet ndërsa BE-ja përgatitet të diskutojë hapjen e Kapitullit 5 të negociatave, i cili lidhet me bujqësinë dhe zhvillimin rural të Ukrainës. Komisioni Evropian pritet të japë më shumë detaje për qasjen e propozuar në javët e ardhshme. /Telegrafi/

  • Konsumimi i këtyre ushqimeve mund ta vështirësojë humbjen e dhjamit në bark - zgjidhni alternativa më të shëndetshme

    Konsumimi i këtyre ushqimeve mund ta vështirësojë humbjen e dhjamit në bark – zgjidhni alternativa më të shëndetshme

    Nëse po përpiqeni të humbni peshë dhe të reduktoni dhjamin në bark, nuk është e nevojshme të hiqni plotësisht karbohidratet nga dieta.

    Më e rëndësishme është të tregoni kujdes me ushqimet që përmbajnë shumë sheqer të shtuar, yndyra, përbërës të rafinuar dhe kalori.

    Patatinat janë ndër ushqimet që mund të pengojnë kontrollin e peshës, pasi kanë shumë yndyrë dhe kripë dhe mund të konsumohen lehtësisht në sasi të mëdha.

    Foto ilustruese

    Si alternativa më të mira mund të zgjidhni kokoshka me pak yndyrë, qiqra të pjekura ose arra.

    Edhe jogurtët me fruta dhe aromatizues mund të përmbajnë më shumë sheqer nga sa mendohet, sidomos kur kanë shtesa si çokollatë, biskota apo karamele.

    Në vend të tyre, mund të zgjidhni variante me më pak sheqer.

    Pijet e gazuara me sheqer janë një tjetër problem, pasi sjellin shumë kalori dhe nuk japin të njëjtën ndjesi ngopjeje si ushqimet e ngurta.

    Uji, uji mineral dhe pijet pa sheqer janë alternativa më të përshtatshme.

    Gjithashtu, disa lloje drithërash për mëngjes kanë shumë sheqer të shtuar dhe pak fibra.

    Për këtë arsye, rekomandohet të kontrolloni etiketën dhe të zgjidhni produkte me më shumë fibra dhe më pak sheqer.

    Buka e bardhë, për shkak të miellit të rafinuar dhe përmbajtjes më të ulët të fibrave, tretet më shpejt dhe mund t’ju bëjë të ndiheni të uritur më herët.

    Një alternativë është buka integrale ose ajo me drithëra të plota.

    Ndërsa patatet e skuqura kanë më shumë yndyrë dhe kalori për shkak të mënyrës së përgatitjes.

    Patatet e pjekura në furrë, me një sasi të moderuar vaji, mund të jenë zgjedhje më e mirë.

    Në përgjithësi, për të humbur peshë nuk është e domosdoshme të hiqni karbohidratet, por të kufizoni ushqimet me vlera të ulëta ushqyese dhe përmbajtje të lartë sheqeri, yndyre ose kalorish. /Telegrafi/