Blog

  • Zjarri përfshin plantacionin e mollëve në Skenderaj, dëmtohen rreth 5 hektarë

    Zjarri përfshin plantacionin e mollëve në Skenderaj, dëmtohen rreth 5 hektarë

    Një plantacion me mollë është përfshirë nga zjarri në fshatin Klinë e Poshtme të Skenderajt.

    Sipas raportit policor, rasti ka ndodhur më 7 tetor 2026, ndërsa një ankues mashkull kosovar ka raportuar se, në rrethana ende të panjohura, zjarri kishte përfshirë plantacionin e tij.

    Zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë arritur ta lokalizojnë zjarrin.

    Sipas ankuesit, nga zjarri janë dëmtuar rreth pesë hektarë me mollë.

    Policia ka bërë të ditur se rasti është duke u hetuar. /Telegrafi/

  • Rreth 400 metra kub dru zjarri u sekuestruan nga një kompani në Shkup

    Rreth 400 metra kub dru zjarri u sekuestruan nga një kompani në Shkup

    Rreth 400 metra kub dru zjarri, me një vlerë tregu të vlerësuar prej rreth 2 milionë denarësh (mbi 30 mijë euro), janë sekuestruar nga një person juridik në Shkup që merret me tregtinë e druve të zjarrit, informoi zëvendësdrejtori i NP “Pyjet Kombëtare”, Kire Mihailov.

    Sipas njoftimit të tij, aksioni po kryhet me urdhër të Prokurorisë Themelore Publike, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë Pyjore, dhe në të po marrin pjesë shërbime nga disa degë të ndërmarrjes publike.

    Mihailov deklaron se në dhjetë ditët e fundit është kryer një hetim intensiv për aktivitete të dyshimta që lidhen me drurin, gjatë të cilit po kontrollohen akuzat për transport dhe shitje të paligjshme.

    “Nga ajo që kemi deri më tani si informacion, ky është një grup i organizuar mirë që ka shumë të ngjarë të jetë angazhuar në aktivitete të paligjshme që lidhen me transportin dhe shitjen e drurit për një kohë të gjatë, nga të cilat aktivitete ndoshta kanë gjeneruar të ardhura të fshehura të paligjshme seriozisht të mëdha”, shkruan Mihailov.

    Ai theksoi se indikacionet sugjerojnë se aktivitetet mund të lidhen me zona të shumta, nga Mali i Zi i Shkupit dhe Kitka, deri te rajonet malore në Gostivar dhe Veles./Telegrafi/

  • Anita për Ramushin: Kur ka ditë me m’zgjedh mu patjetër që veshjen e çan

    Anita për Ramushin: Kur ka ditë me m’zgjedh mu patjetër që veshjen e çan

    Anita për Ramushin: Kur ka ditë me m’zgjedh mu patjetër që veshjen e çan

    Kushtrim Kelani dhe Aurora Rrusta kurorëzuan dashurinë e tyre të dielën, në një ceremoni madhështore të organizuar në Prishtinë, ku të pranishëm ishin familjarë, miq dhe figura të njohura publike.

    Në mesin e të ftuarve në dasmë ishin edhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj dhe bashkëshortja e tij, Anita Muçaj-Haradinaj.

    Çifti është bërë pjesë e atmosferës së dasmës, ndërsa në një intervistë për “Artistët Shqiptarë” kanë folur edhe për detajet e paraqitjes së tyre, përfshirë veshjet që kishin zgjedhur për këtë mbrëmje.

    E pyetur se kush ishte përkujdesur për veshjen e tyre, Anita Muçaj-Haradinaj foli me humor për bashkëshortin e saj, duke thënë se Ramushi ka shije të mirë në veshje, njësoj si në zgjedhjen e saj.

    “Ramushi vishet vetë por kur ka ditur të më zgjedh mua, patjetër që veshjen e çan”, u shpreh ajo.

    Në anën tjetër, Haradinaj tha se për të veshja që kishte zgjedhur ishte diçka e zakonshme, duke ia atribuar shijen e mirë bashkëshortes së tij.

    “Veshjen e kam të zakonshme, kjo është uniforma ime. Anita e ka shijen e mirë”, theksoi Haradinaj.

    Në fund, çifti i uroi Kushtrim Kelanit dhe Aurora Rrustës jetë të gjatë e të lumtur së bashku, duke treguar se i kanë ndjekur ata që nga pjesëmarrja e tyre në “Big Brother VIP Kosova”.

    Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

    /GazetaSinjali/

    The post Anita për Ramushin: Kur ka ditë me m’zgjedh mu patjetër që veshjen e çan appeared first on Sinjali.

    Burimi: Sinjali

  • A po kthehet Zhegrova në formacionin startues të Juventusit? Ja si e sheh “Sky Sport”

    A po kthehet Zhegrova në formacionin startues të Juventusit? Ja si e sheh “Sky Sport”

    A po kthehet Zhegrova në formacionin startues të Juventusit? Ja si e sheh “Sky Sport”

    Edon Zhegrova mund të rikthehet në formacionin titullar të Juventusit në ndeshjen e radhës në Serie A.

    Paraqitjet e tij me Kombëtaren e Kosovës gjatë ndeshjeve të fundit në UEFA Nations League duket se kanë ndikuar pozitivisht në vlerësimin për sulmuesin kosovar. Zhegrova shënoi një gol dhe regjistroi një asistim në katër ndeshjet e Kosovës gjatë kësaj pauze ndërkombëtare.

    Sipas formacionit të parashikuar nga “Sky Sport Italia”, 27-vjeçari pritet ta nisë nga minuta e parë përballjen e Juventusit me Cagliarin.

    Në këtë skenar, Zhegrova do të marrë vendin e Francisco Conceicaos, i cili pritet të mbetet në stol. Sky Sport e ka përfshirë kosovarin në formacionin e mundshëm të bardhezinjve për këtë përballje.

    Cagliari dhe Juventus do të përballen të dielën, më 11 tetor, me fillim nga ora 20:45.

    Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

    /GazetaSinjali/

    The post A po kthehet Zhegrova në formacionin startues të Juventusit? Ja si e sheh “Sky Sport” appeared first on Sinjali.

    Burimi: Sinjali

  • Trump u distancua, New York Times: Lobistët amerikanë u paguan mbi 4 milionë dollarë nga Republika Srpska

    Trump u distancua, New York Times: Lobistët amerikanë u paguan mbi 4 milionë dollarë nga Republika Srpska

    Trump u distancua, New York Times: Lobistët amerikanë u paguan mbi 4 milionë dollarë nga Republika Srpska

    The New York Times ka raportuar se dy figura të afërta me presidentin amerikan Donald Trump kanë qenë në Republika Srpska, ku kanë këshilluar qeverinë pro-ruse të këtij entiteti në Bosnje e Hercegovinë.

    Nga NYT raportohet edhe se, ‘’lobistët janë paguar më shumë se 4 milionë dollarë’’ nga Srpska.

    “Lobistëve dhe operativëve me lidhje me zotin Trump dhe aleatët e tij republikanë u janë paguar më shumë se 4 milionë dollarë nga qeveria e Republikës Srpska që nga fillimi i vitit të kaluar, sipas të dhënave të depozituara në Departamentin e Drejtësisë.”, thuhet nga NYT.

    The post Trump u distancua, New York Times: Lobistët amerikanë u paguan mbi 4 milionë dollarë nga Republika Srpska appeared first on Insajderi.

  • ASHAK-u për zgjedhjen e Shiroka-Pulës presidente: Ky është një nderim i veçantë

    ASHAK-u për zgjedhjen e Shiroka-Pulës presidente: Ky është një nderim i veçantë

    Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK), në bashkëpunim me Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Prishtinës, kanë mbajtur konferencën ndërkombëtare “Twin Transformation: Reconceptualizing Organizations and Ecosystems”, ku u diskutua për transformimin digjital, tranzicionin e gjelbër, inovacionin dhe zhvillimin e ekosistemeve sipërmarrëse, raporton Ekonomia Online.

    Në hapje të konferencës, nënkryetari i ASHAK-së, Fejzullah Krasniqi, ka vlerësuar kontributin e Presidentes së sapozgjedhur të Kosovës, Justina Shiroka-Pula, e cila deri së fundmi ka drejtuar Akademinë.

    “Përshëndetja e kësaj konference ishte paraparë të bëhej nga kryetarja e deritanishme, Akademike Justina Shiroka-Pula, e cila para 2 ditësh është propozuar dhe për fat është zgjedhur presidente e Kosovës. Ky është një nderim i veçantë jo vetëm për Akademiken Justina Shiroka-Pula, por edhe për Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ku ajo, në pozitën e kryetares, është angazhuar me shumë përkushtim”, tha ai.

    Krasniqi tha se tema e konferencës është aktuale dhe me rëndësi për kërkimin shkencor, studimin ekonomik dhe transformimin e organizatave bashkëkohore.

    “Tema e kësaj konference është veçanërisht aktuale dhe me rëndësi të shumëfishtë. Për kërkimin shkencor, studimin ekonomik dhe transformimin e organizatave bashkëkohore. Transformimi digjital dhe tranzicioni i gjelbër po zhvillohen gjithnjë e më shumë si procese të ndërlidhura, të cilat ndikojnë në mënyrën se si organizatat, institucionet dhe ekosistemet ekonomike e sipërmarrëse konceptohen, organizohen dhe zhvillohen”, tha ai.

    Ai theksoi rëndësinë e kërkimit shkencor, inovacionit dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve akademike, kërkimore dhe sektorit privat.

    “Në këtë kuadër, kërkimi shkencor dhe inovacioni marrin një rol gjithnjë e më të rëndësishëm. Zhvillimet në inteligjencën artificiale dhe transformimin digjital në sipërmarrje dhe ekonomi, në tranzicionin e gjelbër, si dhe në zhvillimin e ekosistemeve sipërmarrëse kërkojnë qasje të reja shkencore, bashkëpunim ndërdisiplinar dhe ndërinstitucional, si dhe lidhje më të fuqishme ndërmjet universiteteve, institucioneve kërkimore, sektorit të biznesit dhe aktorëve të tjerë të zhvillimit. Programi i konferencës është konceptuar në atë mënyrë që pasqyron qartë këtë gjerësi tematike dhe ndërdisiplinare. Përmes prezantimeve dhe diskutimeve profesionale, konferenca do të krijojë një hapësirë të rëndësishme për paraqitjen e rezultateve shkencore, për shkëmbimin e ideve dhe për diskutimin kritik të sfidave të shoqërisë”, tha ai.

    Ndërkaq, profesori i Fakultetit Ekonomik, Besnik Krasniqi, ka folur për ndikimin e transformimit digjital në sipërmarrje dhe ekonomi, duke theksuar edhe sfidat që lidhen me aftësitë, pabarazinë, besimin dhe privatësinë.

    “Transformimi digjital, ky akses i ri në njohuri, i lidh sipërmarrësit me tregje të reja dhe krijon mundësi të reja për inovacion. Por, në të njëjtën kohë, ai ngre pyetje të rëndësishme për aftësitë, pabarazinë, besimin, privatësinë dhe rolin e ardhshëm. Siç ka thënë dikur ekonomisti Kevin Baldwin: “Kushdo që beson se rritja eksponenciale mund të vazhdojë përgjithmonë në një botë të kufizuar, është ose i çmendur ose ekonomist”. Por ky qëndrim mbart një mesazh domethënës: progresi nuk mund të matet vetëm me atë se sa shumë prodhojmë apo sa shpejt rritemi. Ai duhet të vlerësohet edhe në bazë të qëndrueshmërisë, gjithëpërfshirjes, përgjegjshmërisë dhe aftësisë për të përmirësuar jetën e njerëzve në afat të gjatë”, tha ai.

    Krasniqi tha se fokusi nuk duhet të jetë vetëm te ndryshimi, por edhe te mënyra se si ai mund të formësohet në mënyrë inovative, etike dhe të qëndrueshme.

    “Prandaj, pyetja qendrore këtu nuk është nëse transformimi do të ndodhë, sepse ai tashmë po ndodh. Pyetja është nëse mund ta kuptojmë dhe ta formësojmë atë në mënyra që janë inovative, etike, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme. Pikërisht këtu kërkimi në fushën e menaxhimit dhe sipërmarrjes ka një rol thelbësor. Detyra jonë nuk është thjesht të përshkruajmë ndryshimet teksa ndodhin. Ne duhet të shpjegojmë faktorët që i nxisin ato, qasjen, pasojat, sfidat dhe supozimet që lidhen me to. Për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor në përgjithësi, këto çështje janë veçanërisht të rëndësishme. Ne kemi të rinj të talentuar, energji sipërmarrëse, një diasporë të fuqishme dhe potencial në rritje në fushën digjitale. Por, në të njëjtën kohë, përballemi me shumë sfida që lidhen me konkurrueshmërinë dhe aftësitë, inovacionin dhe qëndrueshmërinë. Këto sfida nuk duhet të na dekurajojnë. Ato duhet të na nxisin të kërkojmë dhe të punojmë me një qëllim më të madh dhe mbi bazën e dëshmive më të forta”, tha ai.

    Në konferencë ka folur edhe drejtoresha e Revistave Shkencore dhe e Komunikimit me Komunitetin Global në AOM, Irina Burns, e cila ka prezantuar misionin e Akademisë dhe përpjekjet për zgjerimin e qasjes së studiuesve në komunitetin shkencor ndërkombëtar.

    “E themeluar në vitin 1936, ne kemi mbi 22 mijë anëtarë në 110 vende të botës dhe tani po e zgjerojmë edhe më tej këtë shtrirje. Misioni i Akademisë është të ndërtojë një komunitet studiuesish, t’i lidhë ata dhe të eksplorojë idetë në nivel global. Vizioni ynë është të frymëzojmë kërkime dhe mësimdhënie më të mirë në fushën e menaxhimit dhe organizatave në mbarë botën”, tha ajo.

    Burns ka folur edhe për Programin për Përshpejtimin e Komunitetit (CAP), duke thënë se nisma synon të zgjerojë qasjen në kërkime dhe publikime shkencore./EO

    Burimi: Dukagjini

  • Kostoja e jetesës rëndon edhe klasën e mesme në Zvicër: Familjet po shkurtojnë shpenzimet

    Kostoja e jetesës rëndon edhe klasën e mesme në Zvicër: Familjet po shkurtojnë shpenzimet

    Pavarësisht punësimit të qëndrueshëm dhe të ardhurave të mira, gjithnjë e më shumë burra dhe gra në Zvicër po përpiqen të përballojnë jetesën. Rritja e kostove fikse, frika nga shpenzimet e papritura dhe sakrificat në aktivitetet e kohës së lirë po tregojnë se presioni financiar nuk po e kursen më as klasën e mesme.

    Në Vevey, mes tezgave shumëngjyrëshe të tregut, shqetësimi është i njëjtë: kostoja e jetesës po bëhet gjithnjë e më e rëndë.

    “Kostot po bëhen të padurueshme. Vitin tjetër, ka diçka që nuk do të jem në gjendje ta përballoj”, rrëfen një kliente.

    Një tjetër përmbledh ndjesinë e përgjithshme: “Duam të blejmë dy ose tre gjëra, është sikur po përpiqemi të blejmë ar!”

    Pensionistët ndër më të prekurit

    Pensionistët dhe personat me të ardhura shumë të ulëta janë ndër më të prekurit nga rritja e kostove, raporton RTS, transmeton Telegrafi.

    Me një pension pleqërie prej 1,700 frangash, një grua nga Vevey mori vendimin për të shitur makinën e saj.

    “Nuk mund të përballoj më parkimin, sigurimin dhe gjithçka tjetër”, shpjegon ajo.

    Por rritja e kostove nuk po godet vetëm shtresat më të prekshme. Edhe klasa e mesme, e konsideruar si motori ekonomik i vendit, po përjeton rënie të fuqisë blerëse.

    Në Lucens të kantonit Vaud, Sabrina Meriem, infermiere e kujdesit në shtëpi, dhe partneri i saj, Mathieu Rochat, peizazhist bashkiak, kanë së bashku të ardhura prej 11,200 frangash neto në muaj.

    Megjithatë, taksat, hipoteka, primet e sigurimit shëndetësor, ushqimi dhe karburanti bëjnë që shpenzimet e tyre fikse të tejkalojnë 7,000 franga në muaj.

    Rritja e çmimit të naftës për ngrohje

    Një shqetësim i veçantë për familjen është rritja e çmimit të naftës për ngrohje.

    Për këtë arsye, Mathieu Rochat ka vendosur të mos i mbushë plotësisht rezervuarët.

    “Me çmimin aktual, shpresoj të zgjas gjithë dimrin me atë që ka mbetur dhe të pres që çmimi të bjerë ndjeshëm”, shpjegon ai.

    Përtej shifrave, familja po përballet edhe me pasojat psikologjike të rritjes së kostove.

    “Ne ia dalim t’i paguajmë faturat, nuk ka problem. Por ne shikojmë atë që mbetet në fund, e cila po zvogëlohet. Të gjitha aktivitetet shtesë që mund të bëjmë si familje po zvogëlohen”, thotë Rochat.

    Partnerja e tij, Sabrina Meriem, e shpreh edhe më drejtpërdrejt shqetësimin.

    “Klasa e mesme po paguan faturën për të gjithë”, pohon ajo.

    “Ne jemi lopë me para. Nëse je i pasur, mund të kesh gjithçka. Nëse je i varfër, je me fat që merr përfitime. Nëse je në mes, po paguan për të gjithë në krye dhe për të gjithë në fund. Nuk është e drejtë për shoqërinë në të cilën jetojmë”, shton ajo.

    Zviceranët po shkurtojnë shpenzimet

    Sipas një studimi të Qualinsight, të kryer në janar 2026, 89 për qind e zviceranëve frëngjishtfolës tani monitorojnë shpenzimet e tyre çdo muaj.

    Më shumë se gjysma kanë reduktuar aktivitetet e kohës së lirë dhe pushimet, ndërsa 47 për qind e të anketuarve po bëjnë lëshime edhe për ushqimin.

    E njëjta situatë vërehet edhe në Poliez-Pittet, në rajonin Gros-de-Vaud.

    Aurore dhe Lionel Carrard drejtojnë një fermë familjare. Pavarësisht rreth 280,000 frangave të të ardhurave bruto vjetore, shpenzimet e tyre arrijnë rregullisht në 20,000 franga në muaj.

    “Punojmë për të paguar faturat, kaq është gjithçka”, thotë Aurore Carrard.

    “Është e trishtueshme të jetosh në një vend të pasur dhe të mos jesh në gjendje të thuash: ‘Këtë fundjavë, do të shkojmë në një restorant’”, shton ajo.

    Edhe bashkëshorti i saj, Lionel, shpreh zhgënjimin për situatën.

    “Gjyshi im e punësonte babanë tim dhe ai kishte punonjës. Jam krejt vetëm. Kam vetëm një punonjës që më mbulon një të diel në muaj… Është zhgënjyese. Ferma jonë ishte më e vogël më parë dhe mbante dy familje, ndoshta edhe më shumë… Tani, jemi të mbingarkuar me punë dhe në fund, nuk kemi asgjë më shumë”, thotë ai.

    Çfarë zgjidhjesh po propozohen?

    Në Bernë, opinionet mbi mënyrën se si duhet të përballohet kjo situatë janë të ndara.

    Këshilltari Kombëtar Socialist, Benoît Gaillard, beson se zbatimi më i rreptë i legjislacionit mund të ulë qiratë dhe të mundësojë një kontroll më të mirë të marzheve të fitimit nga karburantet.

    Në të djathtë, anëtari i UDC-së, Yvan Pahud, mbështet uljen e taksave për t’u ofruar lehtësim familjeve.

    Kjo qasje është frymëzuar nga suksesi i fundit i iniciativës kantonale “12%” të Vaud-it, e cila propozon një zbritje të përgjithshme mbi taksat kantonale mbi të ardhurat dhe pasurinë.

    Ndërkohë, perspektiva mbetet e zymtë. Qiratë, transporti publik, shërbimet postare dhe energjia vazhdojnë të rriten.

    Për shumë zviceranë, ndjenja e një lëvizjeje në rënie po bëhet gjithnjë e më e rrënjosur./Telegrafi/

  • Ngacmohet sërish për mbulesë, Alba Pollozhani me përgjigje epike

    Ngacmohet sërish për mbulesë, Alba Pollozhani me përgjigje epike

    Alba Pollozhani është përballur me një pyetje ngacmuese gjatë një interviste për “Artistët Shqiptarë”, ku u rikthye një deklaratë e saj e bërë gjatë qëndrimit në Big Brother.

    Gazetari i tha me humor: “Prisja të vije me shami”, duke iu referuar deklaratës së mëparshme të Albës se do të mbulohej dhe do t’i përkushtohej më shumë fesë islame.

    Pollozhani iu përgjigj me të njëjtën frymë, duke bërë edhe një batutë për veshjen e saj.

    Foto: YouTube

    “Pse, a nuk është shami kjo? Blici e bën efektin e vet, se kështu më e mbuluar duket”, tha ajo.

    Deklarata e saj në Big Brother, ku foli për vendimin për t’u mbuluar, kishte tërhequr vëmendje të madhe dhe vazhdon të komentohet edhe sot.

    Me përgjigjen e fundit, Alba zgjodhi ta trajtojë situatën me humor, pasi nuk e mbajti premtimin.

    E njëjta ka dhënë më pas edhe arsyet, duke bërë të ditur se kjo gjë do të ndodhë në të ardhmen. /Telegrafi/

    – YouTube www.youtube.com

  • Kishin mbetur 63 minatorë të bllokuar, Sindikata e Trepçës: Nuk duhet pritur të ndodhë ndonjë tragjedi për të reaguar, ky rast është alarm për sigurinë

    Kishin mbetur 63 minatorë të bllokuar, Sindikata e Trepçës: Nuk duhet pritur të ndodhë ndonjë tragjedi për të reaguar, ky rast është alarm për sigurinë

    Pas avarisë në Trepçë ku kishin mbetur të bllokuar për disa orë 63 minatorë, ka reaguar sot Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës.

    Sindikata ka shprehur shqetësim të thellë për rastin, ndërsa theksojnë se nuk duhet pritur të ndodhë ndonjë tragjedi e pastaj të reagohet.

    “Ne si Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës shpreh shqetësimin e tonë të thellë për situatën e krijuar në minierë, ku minatorët mbetën të bllokuar në thellësi të nëntokës. Ky rast është një alarm serioz për gjendjen e sigurisë në Trepçë dhe nuk guxon të kalojë në heshtje.

    Sindikata ka ngritur vazhdimisht shqetësimet për kushtet e punës, pajisjet e vjetruara, rrugët e emergjente, rreziqet profesionale dhe mungesën e investimeve në sigurinë dhe shëndetin e minatorëve”, thuhet në reagim.

    Tutje, Sindikata thekson se minatorët nuk mund të vazhdojnë të punojnë çdo ditë me frikën se një defekt teknik mund t’u rrezikojë jetën.

    “Kërkojmë nga institucionet përgjegjëse hetim të plotë dhe transparent të rastit, përcaktimin e përgjegjësive dhe vlerësim urgjent të gjendjes së pajisjeve, infrastrukturës, rrugëve të emergjencës dhe sistemeve të sigurisë në minierë.

    Kërkojmë gjithashtu investime urgjente nga shteti në sigurinë e minatorëve. Nuk mjaftojnë deklaratat dhe reagimet vetëm pas incidenteve.

    Mediat po e pasqyrojnë me përgjegjësi zërin e minatorëve, por nuk mund të jetë vetëm media ajo që reagon. Institucionet duhet të veprojnë”, thuhet tutje.

    Po ashtu, Sindikata thekson se Trepça mund të jetë pasuri strategjike e Kosovës, por mbi çdo pasuri qëndron jeta dhe shëndeti i minatorit.

    “Mos të presim që një incident i radhës të kthehet në tragjedi. Tani është momenti për veprim! Faleminderit për të gjithë që bashkndjet me ne minatorët!”, thuhet në reagim. /Telegrafi/

  • Në dorë të presidentes së re ulësja e fundit e KQZ-së – Kujt do t’ia emërojë anëtarin, VV-së apo PDK-së?

    Në dorë të presidentes së re ulësja e fundit e KQZ-së – Kujt do t’ia emërojë anëtarin, VV-së apo PDK-së?

    Në dorë të presidentes së re ulësja e fundit e KQZ-së – Kujt do t’ia emërojë anëtarin, VV-së apo PDK-së?

    Presidentja e re e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, pritet të përballet me një nga vendimet e para me peshë institucionale menjëherë pas marrjes së detyrës: plotësimin e ulëses së mbetur në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

    Kjo çështje ka mbetur pezull edhe gjatë mandateve të ish-presidentëve Vjosa Osmani dhe Albulena Haxhiu, ndërsa tani vendimi i takon shefes së re të shtetit.

    Bëhet fjalë për anëtarin e fundit të paemëruar të KQZ-së, një pozitë për të cilën interesim kanë shfaqur Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) – dy subjektet politike që mbështetën zgjedhjen e Shiroka-Pulës në postin e presidentes.

    Çështja merr rëndësi të veçantë për shkak të mënyrës se si Kushtetuta e përcakton përfaqësimin në KQZ. Përbërja e këtij institucioni lidhet drejtpërdrejt me subjektet politike të përfaqësuara në Kuvend, ndërsa vendimi për ulësen e mbetur pritet të shihet edhe në kontekstin e raporteve politike.

    Kështu, një nga pyetjet kryesore që do ta shoqërojë këtë proces është se kujt do t’ia japë presidentja e re këtë ulëse: PDK-së apo LVV-së?

    Vendimi i Shiroka-Pulës mund të jetë edhe një prej testeve të para të mandatit të saj, pasi mënyra se si do të bëhet emërimi pritet të japë sinjale për raportin e saj me partitë politike dhe institucionet e vendit.

    KQZ-ja nuk është një institucion me rol thjesht formal. Ajo është përgjegjëse për administrimin e proceseve zgjedhore, ndaj mënyra e plotësimit të përbërjes së saj mund të ndikojë edhe në perceptimin për paanshmërinë dhe besueshmërinë e këtij institucioni.

    Çfarë përcakton Kushtetuta?

    Pas zgjedhjeve të 7 qershorit 2026, në Kuvend kanë hyrë katër subjekte politike shqiptare: LVV, PDK, LDK dhe AAK.

    LVV-ja, e cila mori mbi 47.13 për qind të votave, ka kërkuar që përfaqësimi në KQZ të reflektojë peshën e saj në Kuvend, duke pretenduar edhe ulëse shtesë në mesin e vendeve që u takojnë subjekteve politike shqiptare.

    Kushtetuta përcakton se gjashtë ulëse në KQZ u takojnë gjashtë grupeve më të mëdha parlamentare, ndërsa katër ulëse të tjera janë të rezervuara për komunitetet.

    “Gjashtë (6) anëtarë emërohen nga pjesëtarët e gjashtë grupeve më të mëdha parlamentare të përfaqësuara në Kuvend, të cilët nuk kanë të drejtë të marrin pjesë në ndarjen e vendeve të rezervuara”, thuhet në paragrafin 6 të nenit 139.

    Meqë pas zgjedhjeve të 7 qershorit janë vetëm katër grupe parlamentare nga subjektet shqiptare, secila prej tyre duhet të marrë nga një ulëse në KQZ. Dy vendet e mbetura përcaktohen përmes mekanizmit të emërimit të anëtarëve shtesë.

    Edhe për këtë situatë Kushtetuta parasheh zgjidhje.

    “Nëse në Kuvend janë të përfaqësuara më pak grupe, grupi a grupet më të mëdha mund të emërojnë anëtarë shtesë”, thuhet në vazhdim të të njëjtit paragraf.

    Në rrethanat aktuale, kjo nënkupton se katër ulëset e para u takojnë LVV-së, PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, ndërsa dy vendet e mbetura duhet të plotësohen përmes këtij mekanizmi nga grupet më të mëdha parlamentare, në këtë rast LVV-ja dhe PDK-ja.

    Pikërisht këtu qëndron edhe çështja që pritet të jetë ndër vendimet e para të presidentes së re: përcaktimi i anëtarit të fundit të KQZ-së dhe mënyra se si do të zgjidhet kjo çështje institucionale.

    Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

    /GazetaSinjali/

    The post Në dorë të presidentes së re ulësja e fundit e KQZ-së – Kujt do t’ia emërojë anëtarin, VV-së apo PDK-së? appeared first on Sinjali.

    Burimi: Sinjali