Blog

  • Kush e kap, e kap!

    Kush e kap, e kap!

    Nëse prej kohësh po mendoni ta nisni stërvitjen apo t’i riktheheni aktivitetit fizik, FIVESTAR po sjell një ofertë të veçantë për këtë periudhë.

    Nga 5 deri më 12 tetor, kap ofertën e FITSTAR MULTICLUB dhe stërvitu në të gjitha lokacionet, me një anëtarësim të vetëm.

    Anëtarësimi 12-mujor për meshkuj kushton 109 euro, ndërsa për femra 99 euro për 12 muaj.

    Për më shumë fleksibilitet, pagesa mund të bëhet edhe në deri në 12 këste, duke e bërë më të lehtë organizimin e pagesës gjatë vitit.

    Oferta sjell zbritje deri në 59% dhe është e vlefshme vetëm deri më 12 tetor. Nëse po mendoni ta nisni apo vazhdoni stërvitjen, kjo është një ofertë që duhet ta shfrytëzoni patjetër brenda afatit.

    Me FITSTAR MULTICLUB, mund të zgjidhni lokacionin që ju përshtatet më së miri dhe ta përshtatni stërvitjen me rutinën tuaj të përditshme.

    Kush e kap, e kap!

  • Antonela nuk i fsheh dot lotët në lamtumirën e Messit nga kombëtarja e Argjentinës

    Antonela nuk i fsheh dot lotët në lamtumirën e Messit nga kombëtarja e Argjentinës

    Antonela Roccuzzo nuk ka mundur t’i përmbajë lotët gjatë lamtumirës së Lionel Messit nga kombëtarja e Argjentinës.

    Bashkëshortja e yllit argjentinas u emocionua teksa dëgjonte fjalimin e tij përshëndetës para mijëra tifozëve.

    Messi e zhvilloi ndeshjen e fundit me fanellën e Argjentinës në një përballje miqësore ndaj Beninit, ku skuadra argjentinase triumfoi me rezultatin 3-0.

    Foto: X

    Edhe në këtë ndeshje, ai u përshëndet me kombëtaren në mënyrën më të mirë të mundshme, duke shënuar një gol dhe duke dhuruar dy asistime.

    Rreth 90 mijë tifozë ishin mbledhur në stadium për t’i dhënë lamtumirën një prej futbollistëve më të mëdhenj në histori, ndonëse vëmendje të veçantë mori edhe familja e Messit, e cila ishte në fushë gjatë ceremonisë.

    Teksa Messi mbajti fjalimin e tij emocional para tifozëve, kamerat fokusuan Antonelën, e cila ishte pranë djemve të tyre.

    Foto: X

    Ajo e ndoqi me krenari çdo moment, duke e duartrokitur vazhdimisht, por nuk mundi t’i ndalte lotët e emocionit.

    Reagimi i saj i sinqertë u shpërnda në rrjetet sociale dhe preku fansat e futbollit në mbarë botën.

    @chismoseando.por 🥹Un video de Antonela Roccuzzo en plena emoción durante la despedida de Messi se volvió viral y los comentarios no tardaron en aparecer. Entre usuarios destacando su “face card” intacta y el puchero de Enzo Fernández, que volvió a quebrarse como todo argentino sensible cuando se trata de Leo, el clip mezcló belleza, emoción y amor por la Scaloneta.😭🙌 #AntonelaRoccuzzo #EnzoFernandez #Messi #SeleccionArgentina #Viral ♬ sonido original – Chismoseando por ahí

    Kjo ditë e veçantë do të mbahet mend jo vetëm për paraqitjen e Messit në fushë, por edhe për momentet emocionuese të familjes së tij, veçanërisht të Antonelës, e cila e ka mbështetur futbollistin argjentinas që nga fillimet e karrierës së tij. /Telegrafi/

  • Lideri i opozitës së Indisë “tërhiqet zvarrë” në autobus ndërsa policia shpërndan protestën – pamjet bëhen virale

    Lideri i opozitës së Indisë “tërhiqet zvarrë” në autobus ndërsa policia shpërndan protestën – pamjet bëhen virale

    Protesta e opozitës në Indi përfundoi me tensione të martën në mbrëmje, pasi policia ndërhyri për të shpërndarë deputetët që kërkonin dorëheqjen e kreut të Komisionit Zgjedhor.

    Lideri i opozitës, Rahul Gandhi, u detyrua të hipte në një autobus policie, ndërsa pamjet ku ai tenton të dalë nga dritarja u bënë virale në rrjetet sociale.

    Opozita akuzon Komisionin Zgjedhor se, përmes rishikimit të listave të votuesve, po favorizon partinë qeverisëse BJP, pretendime që janë mohuar nga komisioni dhe BJP.

    Rreth 237 deputetë nga disa parti opozitare morën pjesë në marshimin drejt selisë së Komisionit Zgjedhor, ndërsa disa prej tyre u ndaluan nga policia.

    Përfaqësuesit e opozitës më pas zhvilluan një protestë ulur pranë selisë së Komisionit Zgjedhor, duke kërkuar përgjigje për ndryshimet në listat zgjedhore.

    Në qendër të debatit është rishikimi i listave zgjedhore, gjatë të cilit më shumë se 130 milionë emra janë hequr deri tani nga listat paraprake në mbarë vendin. /Telegrafi/

  • Inteligjenca Artificiale parashikon se ku do të përfundonin yjet e Man Cityt nëse bien nga Liga Premier

    Inteligjenca Artificiale parashikon se ku do të përfundonin yjet e Man Cityt nëse bien nga Liga Premier

    Situata kontroverse në të cilën ndodhet Manchester City dhe beteja ligjore në të cilën është zhytur, ngjallin thashetheme në Angli rreth të ardhmes së yjeve të “Qytetarëve”.

    Një komision i pavarur e shpalli Cityn fajtor për 114 nga 115 akuzat që lidhen me shkelje të rënda të rregulloreve financiare të Ligës Premier gjatë nëntë sezoneve.

    Manchester City vazhdon të mohojë akuzat dhe të mbajë pafajësinë e tij, prandaj ata paraqitën një apel.

    Nëse kjo ankesë dështon, City rrezikon të ndëshkohet me rënie nga kategoria, gjë që mund të nënkuptojë humbjen e të gjithë yjeve të saj.

    Gazeta The Sun ka përdorur inteligjencën artificiale (IA) për të parashikuar destinacionet e mundshme të yjeve të Manchester Cityt, dhe Real Madridi do të ishte përfituesi kryesor i këtij eksodi masiv.

    Sipas Inteligjencës Artificiale, Real Madridi mund të nënshkruajë deri në tetë lojtarë të Cityt, përfshirë edhe lojtarin shumë të kërkuar Erling Haaland.

    Lojtarët e Cityt që mund të shoqërojnë Haalandin te Real Madrid do të ishin edhe Enzo Fernandez, Ayyoub Bouaddi, Phil Foden, Abdukodir Khusanov, Vitor Reis, Josko Gvardiol dhe Mateo Kovacic (i cili ishte tashmë lojtar i Real Madridit nga viti 2015 deri në vitin 2019).

    Manchester United dhe Liverpool do të ishin përfituesit e tjerë të mëdhenj të një eksodi masiv hipotetik nga City.

    Përfituesi tjetër i madh do të ishte Manchester United, i cili mund të transferojë Gianluigi Donnarumma, Elliot Anderson, Matheus Nunes, Nico O’Reilly dhe Rico Leëis nga fqinjët e tyre te City.

    Inteligjenca Artificiale vendos Antoine Semenyo, Marc Guehi, Rayan Ait-Nouri dhe Ruben Dias në Liverpool, teksa Arsenali i Mikel Artetës do të kishte arsye për të aspiruar të nënshkruante me Jeremy Dokun.

    Chelsea mund të rinovojë kontratën me portierin Marcus Bettinelli, dhe Everton mund të rikthejë ish-yllin e tyre Iliman Ndiaye.

    Rayan Cherki mund të kthehet në Francë për të luajtur për PSG-në, ndërsa Geronimo Rulli mund të kthehet te Real Sociedadi. /Telegrafi/

  • PLD: Qeveria më në fund pranoi se miliona euro janë nxjerrë pa mëshirë nga Buxheti për vite me radhë dhe janë hedhur për shpenzime fiktive

    PLD: Qeveria më në fund pranoi se miliona euro janë nxjerrë pa mëshirë nga Buxheti për vite me radhë dhe janë hedhur për shpenzime fiktive

    Partia Liberale Demokratike (PLD) mirëpret, siç thonë ata, pranimin përfundimtar nga Qeveria se miliona euro janë nxjerrë pa mëshirë nga buxheti i shtetit për vite me radhë dhe janë hedhur për shpenzime fiktive.

    “Ajo për të cilën kemi paralajmëruar me zë të lartë gjatë gjithë kësaj kohe më në fund është konfirmuar si një e vërtetë e hidhur: kishim të drejtë atëherë, kemi të drejtë edhe tani! Njoftimi se janë zbuluar mbi 4.500 përfitues të rremë të ndihmës sociale, përfshirë të ndjerë, të dëbuar nga shtëpitë dhe persona fiktivë, duke shkaktuar dëme prej 25 milionë eurosh në vit është vetëm një pikë në oqeanin e shpërdorimit të buxhetit që po zbraz xhepat e qytetarëve të vendit.

    Imagjinoni këtë matematikë shkatërruese: nëse vetëm në një vend, në pagesat sociale, kursehen deri në 25 milionë euro çdo vit, sa dhjetëra, apo edhe mbi njëqind milionë euro para publike shpërdorohen çdo vit për pozicione fiktive, zyrtarë të panevojshëm dhe lukse partiake? Sa milionë euro kushtojnë pozicione-mirazh si ai i Fetait në Bruksel? Sa na kushton ushtria e zëvendësministrave dhe zëvendësdrejtorëve të panevojshëm që shërbejnë si kukulla pa zë, por kanë paga të larta, zyra luksoze dhe automjete zyrtare? Sa milionë shkojnë në punë fiktive në administratën publike ku njerëzit paguhen për të pirë kafe, në vend që puna të thjeshtohet dhe dixhitalizohet”, pyesin nga PLD.

    Mesazhi nga partia, siç shtojnë ata në deklaratë, për Qeverinë është i qartë: përqendrohuni tek vendi ku ju vetë po mbështesni dhe mbroni grabitjen, kjo do të jetë reformë e vërtetë. Sipas PLD-së, nuk është reformë të përqendrohesh dhe të ndalesh vetëm tek ndihma sociale./Telegrafi/

  • Doku.Tech sjell në Kosovë Ilir Selën, themelues dhe CEO i Slice

    Doku.Tech sjell në Kosovë Ilir Selën, themelues dhe CEO i Slice

    Nga piceritë familjare në New York te ndërtimi i një prej kompanive më të suksesshme të teknologjisë në industrinë e picave në SHBA – Ilir Sela, Founder & CEO i Slice, do të jetë keynote speaker në DOKU.TECH 2026, që mbahet më 5 dhe 6 nëntor në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.

    Kjo do të jetë hera e parë që Sela vjen në Kosovë, në skenën e DOKU.TECH, ku do të ndajë historinë e tij sipërmarrëse, rrugëtimin drejt krijimit të Slice dhe vizionin e tij për mënyrën se si teknologjia mund të fuqizojë bizneset lokale dhe t’i ndihmojë ato të konkurrojnë në një ekonomi gjithnjë e më digjitale.

    I lindur në një familje shqiptare nga Maqedonia e Veriut dhe i rritur në Staten Island, New York, Sela u njoh me botën e biznesit që në moshë të re, duke ndihmuar në piceritë e familjes së tij. Duke parë nga afër sfidat me të cilat përballeshin piceritë e pavarura përballë zinxhirëve të mëdhenj, ai vendosi ta përdorte teknologjinë për t’u dhënë bizneseve lokale mjetet e nevojshme për t’u rritur dhe konkurruar.

    Nga kjo ide lindi Slice, platforma teknologjike që sot lidh mijëra piceri të pavarura në të gjithë Shtetet e Bashkuara me klientët e tyre dhe u ofron pronarëve të bizneseve teknologji, mjete dhe shërbime për të zhvilluar bizneset e tyre.

    Sot, rrjeti i Slice përfshin mbi 15,000 piceri të pavarura në të 50 shtetet e SHBA-së, ndërsa platforma ka ndihmuar pronarët e picerive lokale të gjenerojnë mbi 2 miliardë dollarë të ardhura.

    Në DOKU.TECH 2026, Sela do të sjellë në skenë jo vetëm historinë e ndërtimit dhe rritjes së Slice, por edhe perspektivën e një sipërmarrësi shqiptar nga diaspora që ka transformuar një problem të njohur të bizneseve familjare në një kompani teknologjike me ndikim në nivel kombëtar në SHBA.

    Pjesëmarrja e tij vjen në kuadër të temës së këtij viti, “The Future is Calling”, përmes së cilës DOKU.TECH 2026 sjell në Prishtinë njerëz dhe ide që po formësojnë mënyrën se si teknologjia, inteligjenca artificiale, inovacioni dhe sipërmarrja po ndryshojnë të ardhmen.

    Ilir Sela është vetëm një nga emrat që do të ngjiten në skenën e DOKU.TECH 2026, ndërsa folës dhe pjesë të tjera të programit do të prezantohen në ditët në vijim.

    Regjistrohu TANI dhe bëhu pjesë e DOKU.TECH 2026: 5 dhe 6 Nëntor, në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë!

  • A duhet ta mbështillni pasaportën me letër alumini? Ja çfarë thotë autoriteti zviceran

    A duhet ta mbështillni pasaportën me letër alumini? Ja çfarë thotë autoriteti zviceran

    Udhëtarët i mbështjellin pasaportat me letër alumini për t’i mbrojtur nga hajdutët e të dhënave. Por a është vërtet i nevojshëm ky truk? Autoriteti zviceran për Doganat dhe Sigurinë Kufitare sqaron se sa i madh është në të vërtetë rreziku.

    Kushdo që ndjek forumet e udhëtimit apo grupet në rrjetet sociale mund të hasë këshillën për ta mbështjellë pasaportën me letër alumini. Sipas këtij truku, kjo do të parandalonte kriminelët që të lexonin fshehurazi të dhënat personale gjatë udhëtimit.

    Arsyeja lidhet me vetë pasaportat moderne, të cilat përmbajnë një çip të vogël radioje, të njohur si RFID. Ky çip përmban informacione biometrike, si fotografia e pasaportës, si dhe të dhëna të tjera personale, raporton 20minuten.

    Për të parandaluar qasjen e paautorizuar në këto të dhëna, disa udhëtarë përdorin fletë alumini si një lloj mburoje. Por sipas Zyrës Federale për Doganat dhe Sigurinë Kufitare (BAZG), kjo masë nuk është e nevojshme për pasaportat moderne.

    Leximi i pasaportës është praktikisht i pamundur pa u vënë re

    Simon Erny, përgjegjës për marrëdhëniet me median në BAZG, shpjegon se në parim një pasaportë elektronike mund të lexohet përmes ndërfaqes pa kontakt, duke përdorur një lexues të përshtatshëm.

    Megjithatë, lexuesi duhet të jetë shumë afër dokumentit të udhëtimit. Përveç kësaj, pasaportat moderne kanë disa mekanizma sigurie që mbrojnë të dhënat e ruajtura në çip nga qasja e paautorizuar.

    Një lexues duhet të ketë informacion specifik nga faqja e të dhënave të pasaportës për të qenë në gjendje të lexojë çipin, transmeton Telegrafi.

    “Leximi i thjeshtë dhe pa u vënë re i një pasaporte elektronike moderne gjatë udhëtimit të përditshëm është praktikisht i pamundur”, shpjegon Erny.

    Edhe të dhënat veçanërisht të ndjeshme, si gjurmët e gishtërinjve, nuk janë lehtësisht të arritshme për shkak të mekanizmave shtesë të sigurisë.

    Letra e aluminit mund të jetë më shumë bezdi sesa mbrojtje

    Edhe pse letra e aluminit nuk e dëmton drejtpërdrejt çipin e pasaportës, ajo nuk është veçanërisht praktike.

    Në pikat e kontrollit të sigurisë ose në kufi, pasaporta duhet të nxirret çdo herë nga mbështjellësi. Kjo kërkon kohë dhe mund ta sforcojë dokumentin.

    Gjithashtu, gjatë udhëtimit, letra e aluminit mund të përkulet ose të fërkohet me pasaportën në bagazh, duke dëmtuar zonat e ndjeshme të saj.

    Në rast se çipi dëmtohet, pasaporta mund të mos pranohet më, gjë që në skenarin më të keq mund të shkaktojë probleme gjatë hyrjes në një shtet tjetër.

    Mbështjellësit RFID si alternativë

    Për personat që duan të jenë absolutisht të sigurt, Simon Erny rekomandon përdorimin e një mbështjellësi të posaçëm bllokues RFID.

    “Kjo mund të parandalojë komunikimin radio me çipin dhe është shumë më praktike sesa fleta e aluminit kur jeni jashtë”, thotë ai.

    BAZG këshillon gjithashtu që të mos publikohen fotografi të pasaportës në internet. Sipas autoritetit zviceran, informacioni që shihet në një fotografi mund të lehtësojë leximin e paautorizuar të çipit./Telegrafi/

  • Real Madridi hap derën për shitjen e Tchouamenit

    Real Madridi hap derën për shitjen e Tchouamenit

    E ardhmja e Aurelien Tchouamenit te Real Madridi nuk është e garantuar. Drejtuesit e klubit spanjoll nuk e përjashtojnë mundësinë e shitjes së mesfushorit francez, nëse në të ardhmen mbërrin një ofertë që konsiderohet e kënaqshme.

    Tchouameni, 26-vjeçar, ka kontratë me “Los Blancos” deri në qershor të vitit 2028, por kjo nuk do të thotë se qëndrimi i tij në “Santiago Bernabeu” është i sigurt.

    Sipas gazetarit Jorge Picon, i cili ndjek nga afër zhvillimet te Real Madridi, klubi do ta shqyrtonte seriozisht shitjen e francezit në rast të një oferte të mirë.

    Madje, sipas burimeve të Picon, Real Madridi do të ishte më i prirur të shiste Tchouamenin sesa bashkëkombësin e tij, Eduardo Camavingan.

    “Më insistojnë se nëse vjen një ofertë e mirë, ai do të shitet. Personi që ma ka thënë këtë beson se Reali do ta shiste Tchouamenin para Camavingas. Në një takim vitin e kaluar, kur Madridi mendonte se Rodri do të vinte, u tha se duhej t’i gjendej një zgjidhje Tchouamenit”, ka deklaruar gazetari.

    Picon ka hedhur gjithashtu dyshime mbi raportimet e fundit që flasin për një rinovim të mundshëm të kontratës së mesfushorit francez.

    “Çështja e rinovimit nuk më bind shumë. Mendoj se rinovimi ka një pjesë që lidhet me një angazhim apo me diçka tjetër që nuk është vetëm aspekti sportiv. Kjo është ndjesia që kam”, ka thënë ai.

    Për momentin, Tchouameni vazhdon të ketë besimin e plotë të trajnerit Jose Mourinho.

    Pasi francezi ka rikuperuar formën e tij fizike, portugezi nuk ka hezituar ta vendosë në qendër të mesfushës, së bashku me uruguaianin Fede Valverde.

    Megjithatë, nëse Real Madridi vendos ta shesë Tchouamenin, klubi pritet të kërkojë menjëherë një zëvendësues të nivelit të lartë për të mbuluar largimin e tij. E ardhmja e francezit mbetet kështu një çështje për t’u ndjekur nga afër. /Telegrafi/

  • Kush do ta hetojë rastin e Adi Hilës?

    Kush do ta hetojë rastin e Adi Hilës?

    Kush do ta hetojë rastin e Adi Hilës?

    Është hedhur shorti në Prokurorinë e Tiranës për dosjen e video skandalit të kompozitorit Adi Hila.

    Sipas informacioneve të Top Channel, çështja do të hetohet nga prokurori Julian Xhengo, transmeton klankosova.tv.

    Sipas Hoxhës, në kuadër të kësaj çështjeje janë depozituar dy kallëzime në polici. Hila ka bërë kallëzim me pretendimin se është hakuar, ndërsa kallëzim ka bërë edhe këngëtarja Eli Fara, me pretendimin për shkelje të privatësisë.

    Mbi bazën e këtyre dy kallëzimeve, çështja lidhet me disa vepra penale, konkretisht hyrjen e paautorizuar kompjuterike, sipas kallëzimit të Hilës, si dhe përgjimin e paligjshëm të të dhënave kompjuterike dhe keqpërdorimin e pajisjeve kompjuterike, sipas kallëzimit të Eli Farës.

    Ditën e djeshme vetë aktorja Monika Lubonja ka bërë me dije se ka ngritur kallëzim penal ndaj Adi Hilës.

    Por, sipas informacioneve të bëra publike nga Top Channel, Prokuroria ka shtuar në hetim edhe një vepër tjetër penale, atë të veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

    Kjo lidhet me një veprim të kryer gjatë hetimeve paraprake. Sipas informacionit, policia ka tentuar të këqyrë hard-diskun, por pasi e ka sekuestruar, ka konstatuar se prova ishte e dëmtuar.

    Për këtë rrethanë, Hila ka deklaruar se e kishte shkatërruar vetë hard-diskun. Sipas tij, arsyeja ishte se nuk ishte i sigurt se nga vinte ndërhyrja dhe kishte frikë se mund të ndërhynin sërish dhe të merrnin të dhëna në distancë.

    Tashmë, pas hedhjes së shortit, hetimi i çështjes do të ndiqet nga prokurori Julian Xhengo në Prokurorinë e Tiranës.

  • Themelohen dy mekanizma brenda Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, i mbikëqyrjes së punës dhe integritetit

    Themelohen dy mekanizma brenda Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, i mbikëqyrjes së punës dhe integritetit

    Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi ka marrë vendim për themelimin e dy mekanizmave brenda Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit: Mekanizmi Mbikëqyrës i Punës së Prokurorit të Shtetit dhe Mekanizmi i Mbrojtjes së Integritetit të Prokurorit të Shtetit.

    Kështu bëhet e ditur në njoftimin e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.

    “Mekanizmi Mbikëqyrës i Punës së Prokurorit të Shtetit ka për detyrë të analizojë cilësinë e akteve akuzuese të hedhura me vendim gjyqësor të formës së prerë dhe të akteve akuzuese, të cilat kanë përfunduar me aktgjykime liruese apo refuzuese të formës së prerë në rastet me prioritet, veçanërisht të korrupsionit të nivelit të lartë, si dhe të analizojë aktvendimet gjyqësore të formës së prerë lidhur me kërkesat e prokurorive për çështje procedurale, duke respektuar pavarësinë institucionale dhe funksionale të Prokurorit të Shtetit.

    Prokurorët e angazhuar në këtë mekanizëm, me rastin e analizimit dhe sipas të gjeturave të tyre të rasteve që kanë epilog të formës së prerë, japin rekomandime profesionale për rastet e trajtuara dhe ia përcjellin Kryeprokurorit të Shtetit, i cili ndërmerr veprime me qëllim të vlerësimit të ligjshmërisë dhe unifikimit të praktikave institucionale, të cilat synojnë ngritjen e cilësisë së punës dhe evitimin e lëshimeve eventuale profesionale nga prokurorët e shtetit në të ardhmen”, thuhet në njoftim.

    Ndërsa, tutje thuhet se Mekanizmi i Mbrojtjes së Integritetit të Prokurorit të Shtetit ofron mbrojtje institucionale dhe profesionale për prokurorët e shtetit, kurdo që ndaj tyre shfaqen tendenca për ndikime të brendshme apo të jashtme të paligjshme; kur cenohet integriteti dhe pavarësia profesionale; kur zhvillohen sulme, linçime apo fushata denigruese lidhur me veprimet dhe vendimet e marra gjatë ushtrimit të funksionit dhe detyrave të tyre zyrtare.

    “Krijimi i këtyre dy mekanizmave ka qenë një nga prioritetet kryesore të Kryeprokurorit të Shtetit të paraqitura në konceptdokumentin e tij.

    Gjithashtu, Kryeprokurori i Shtetit ka caktuar prokurorin e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Veton Shabani, Koordinator Nacional për Zgjedhje, ndërsa prokurorin e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Ersan Qavolli, Koordinator Nacional për rastet e Dhunës në Familje”. /Telegrafi/