13 vjeçari shqiptar arrestohet në Greqi për rrahjen brutale të një 17 vjeçari në Athinë

13 vjeçari shqiptar arrestohet në Greqi për rrahjen brutale të një 17 vjeçari në Athinë

Written by

in

Një 13 vjeçar shqiptar është arrestuar në Greqi, së bashku me tre të mitur të tjerë, nën dyshimin për përfshirje në rrahjen brutale të një 17 vjeçari në lagjen Gudi të Athinës.

Sipas mediave greke, të arrestuarit janë dy shtetas nga Filipinet, të moshës 13 dhe 17 vjeç, një 14 vjeçar nga Gjeorgjia dhe një 13-vjeçar shqiptar. Për rastin janë arrestuar edhe prindërit e katër të miturve, nën dyshimin për neglizhencë në mbikëqyrjen e fëmijëve.

Ngjarja ka ndodhur pasditen e së shtunës, më 21 nëntor, në sheshin Agios Thomas, ku 17 vjeçari ndodhej së bashku me të dashurën dhe disa shokë.

Një grup prej pesë deri në gjashtë të rinjsh iu afrua dhe fillimisht nisi t’i provokonte verbalisht. Situata më pas eskaloi në dhunë fizike, shkruan mediumi grek Newsit.gr

Sipas hetimeve paraprake, viktima dhe të dyshuarit njiheshin mes vete dhe dyshohet se kishin pasur mosmarrëveshje personale.

17 vjeçari ndërhyri për të mbrojtur të dashurën e tij, por grupi u vërsul ndaj tij, duke e goditur me grushte dhe shqelma në pjesë të ndryshme të trupit.

Si pasojë e sulmit, i riu pësoi thyerje të hundës dhe lëndime të rënda në njërin sy, ndërsa për pak sa nuk e humbi shikimin, transmeton Telegrafi.

Sulmuesit dyshohet se tentuan edhe ta shtynin në rrugë, ku në atë moment po qarkullonin automjete, si dhe t’ia merrnin paratë.

Një mjek që ndodhej në afërsi ndërhyri për t’i dhënë ndihmën e parë, ndërsa i riu u transportua me ambulancë në spital.

Katër të miturit përballen me akuza për formim grupi kriminal, lëndim të rëndë trupor dhe tentativë vjedhjeje.

Policia greke është duke kërkuar edhe persona të tjerë që dyshohet se kanë marrë pjesë në sulm./Telegrafi/