
Një 14-vjeçare nga komuna e Gjilanit ka kërkuar ndihmë mjekësore dhe të policisë, pasi ka raportuar se është rrahur nga prindërit e saj.
Sipas burimeve të gazetares së Klan Kosovës, Altiana Zogaj, ngjarja dyshohet se ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes, pasi e mitura ka raportuar në organet e rendit se ishte kërcënuar dhe rrahur nga prindërit.
E mitura ndihmën urgjente e ka kërkuar përmes e-mailit të Policisë së Kosovës, e cila sipas burimeve, ka raportuar se ishte goditur me rrip nga të dy prindërit.
Gjithashtu, 14-vjeçarja përmes fotografive ka treguar shenjat në trup, e cila më pas edhe është shoqëruar nga policia për në Emergjencë për trajtim mjekësor.
Kurse, të dy prindërit janë shoqëruar në stacionin policor.
“Pas trajtimit mjekësor, e mitura është shoqëruar në stacionin policor dhe i është dorëzuar Njësisë për Dhunë në Familje, e cila po e trajton rastin.”, ka thënë burimi. /Klankosova.tv