166 inspektime në treg, IQMT shqipton 24 gjoba dhe mbyll shtatë lokale

166 inspektime në treg, IQMT shqipton 24 gjoba dhe mbyll shtatë lokale

Written by

in

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka realizuar 166 inspektime të rregullta gjatë javës së fundit në tregun e brendshëm dhe në zonat doganore, në kuadër të kontrolleve për zbatimin e legjislacionit dhe mbrojtjen e konsumatorëve.

Sipas njoftimit të IQMT-së, nga numri i përgjithshëm i inspektimeve, 74 lëndë janë përmbyllur, ndërsa 92 të tjera kanë mbetur në procedurë për shkak të kërkesës për dokumentacion shtesë ose eliminimit të parregullsive të evidentuara.

Inspektimet janë zhvilluar në disa fusha të mbikëqyrjes së tregut, ku 81 kontrolle janë realizuar në fushën e konsumit të përgjithshëm, 38 në sigurinë e përgjithshme të produkteve, 28 në mbikëqyrjen e naftës dhe derivateve të saj, 12 në kuadër të Komisionit për Kushtet Minimale-Teknike dhe shtatë në fushën e mbikëqyrjes metrologjike.

Gjatë këtyre kontrolleve, inspektorët kanë shqiptuar gjithsej 24 gjoba për shkelje të ndryshme ligjore. Prej tyre, shtatë janë shqiptuar për mospërputhje të çmimeve, gjashtë për mungesë të faturave të prejardhjes së produkteve, tri për shkelje në shitjet online, tri për mosrespektim të orarit të punës dhe dy për mungesë të çmimoreve.

Po ashtu, siç bëhet e ditur në njoftim, janë mbyllur shtatë lokale për mungesë të dokumentacionit përkatës.

“Në kuadër të mbikëqyrjes së tregtisë online, janë realizuar 22 inspektime”, thuhet në njoftimin e Inspektoratit.

Kontrollet kanë përfshirë edhe verifikimin e peshoreve në furrat e bukës dhe mishtore, si dhe inspektime në sektorin e produkteve elektronike dhe të derivateve të naftës.

Gjatë kësaj periudhe janë realizuar edhe tri sekuestrime të produkteve që nuk posedonin dokumentacionin e prejardhjes, ndërsa disa produkte të tjera janë ndaluar për shitje deri në prezantimin e dokumentacionit përkatës.

Pjesë e aktiviteteve të IQMT-së kanë qenë edhe kontrollet e përbashkëta me institucionet e tjera.

“Gjatë kësaj periudhe, IQMT ka zhvilluar gjithashtu 26 inspektime të përbashkëta me Policinë e Kosovës, ATK-në dhe IQP-në, lidhur me ofruesit e shërbimeve të masazhit dhe lokalet e natës, si dhe katër inspektime të përbashkëta me Inspektoratin Farmaceutik për mbikëqyrjen e çmimeve të barnave”, bëhet e ditur në njoftim.

Ndërkaq, në kuadër të mbrojtjes së konsumatorëve, Inspektorati ka trajtuar edhe ankesat e qytetarëve të pranuara përmes Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorëve.

“Gjatë javës së fundit nga IQMT janë trajtuar me sukses 30 ankesa të konsumatorëve”, thuhet në njoftim.

Në fund, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka ritheksuar përkushtimin për zbatimin e legjislacionit në fuqi, mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së drejtë dhe transparencës në treg. /Telegrafi/