20-vjeçari shqiptar vdes tragjikisht në Itali, u godit nga vetura pasi doli për të vendosur trekëndëshin

20-vjeçari shqiptar vdes tragjikisht në Itali, u godit nga vetura pasi doli për të vendosur trekëndëshin

Written by

in

20-vjeçari shqiptar vdes tragjikisht në Itali, u godit nga vetura pasi doli për të vendosur trekëndëshin

Një 20-vjeçar me origjinë shqiptare ka humbur jetën në një aksident të rëndë trafiku në autostradën A1 në Itali.

Viktima është Thomas Qirjaj, i cili u përfshi në aksident në orët e para të së premtes, më 30 tetor, pranë zonës së Melegnanos, në drejtim të San Giuliano Milanese.

Sipas mediave italiane, i riu po udhëtonte së bashku me katër miq me një veturë të tipit Volvo, me targa zvicerane, kur automjeti humbi kontrollin dhe u përplas me ndarësen e korsive të autostradës.

Pas përplasjes, Thomas doli nga vetura për të vendosur trekëndëshin e emergjencës dhe për të paralajmëruar drejtuesit e tjerë për rrezikun. Mirëpo, në ato momente, ai u godit nga një automjet SUV, i drejtuar nga një 25-vjeçar nga Modena.

I riu u dërgua me urgjencë në spitalin Predabissi, në Vizzolo, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra. Katër personat e tjerë që ndodheshin në Volvo nuk pësuan lëndime të rënda.

Thomas kishte lindur në Piacenza dhe jetonte me prindërit në Caorso, në provincën e Piacenzës. Ai vinte nga një familje me origjinë shqiptare dhe në dhjetor do të mbushte 21 vjeç.

Vdekja e tij ka tronditur komunitetin ku jetonte. Kryetarja e bashkisë së Caorso-s, Roberta Battaglia, ka shprehur ngushëllime për familjen, ndërsa klubi i futbollit amator ku Thomas kishte luajtur ka anuluar ndeshjen e planifikuar në shenjë zie.

Ndërkohë, Policia Rrugore italiane dhe Prokuroria e Lodit kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit. Drejtuesit të SUV-it pritet t’i nënshtrohet edhe analizave toksikologjike, në kuadër të procedurave hetimore.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali