
Një 22-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti me motoçikletë me katër rrota (ATV), që ka ndodhur të premten pasdite në fshatin Gjonaj të Prizrenit.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, rasti është raportuar rreth orës 15:00, kur i riu, derisa ishte duke drejtuar mjetin, dyshohet se ka humbur kontrollin dhe ka rënë nga një lartësi.
Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë gjetur 22-vjeçarin të shtrirë në rrëzë të malit, ndërsa pranë tij është gjetur edhe motoçikleta e dëmtuar.
Ekipi i Emergjencës, pas ekzaminimit mjekësor, ka konstatuar vdekjen e viktimës, i identifikuar me inicialet A.H, njofton Klankosova.tv.
Lidhur me rastin janë angazhuar hetuesit policorë, Sektori Rajonal i Hetimeve dhe ekipi i Forenzikës.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, ndërsa rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”.
Policia ka bërë të ditur se, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, po vazhdon veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.