23-vjeçari e rrahu në shkollë, babai e gjeti 16-vjeçarin në qytet pa u njoftuar nga shkolla (VIDEO)

23-vjeçari e rrahu në shkollë, babai e gjeti 16-vjeçarin në qytet pa u njoftuar nga shkolla (VIDEO)

Written by

in

23-vjeçari e rrahu në shkollë, babai e gjeti 16-vjeçarin në qytet pa u njoftuar nga shkolla (VIDEO)

Një 16-vjeçar u sulmua fizikisht nga një 23-vjeçar në shkollën “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” në Drenas, më 6 tetor 2025.

Babai i të miturit pretendon se nuk u njoftua për ngjarjen dhe se të birin e gjeti vetëm rreth orës 15:00 në qendër të qytetit, me shenja dhune në trup.

Sipas prindit, djali ishte goditur me kokë dhe grushte, ndërsa nxënësit e tjerë ishin përpjekur ta mbronin.

Ai ka deklaruar gjithashtu se gjatë verës i biri kishte marrë kërcënime përmes Snapchat-it nga personi që dyshohet se e sulmoi më vonë në shkollë. Konflikti dyshohet se lidhej me motive xhelozie për një vajzë të klasës.

Rreth orës 13:40, 16-vjeçari u dërgua nga Policia në QKMF-në e Drenasit për trajtim mjekësor.

Raporti mjekësor i siguruar nga Kiks Kosova përmban të dhëna që dallojnë nga deklarata e drejtorit të shkollës, Naim Dobërdolani, i cili kishte pretenduar se bëhej fjalë vetëm për një shtyrje mes të rinjve.

Lidhur me mosnjoftimin e familjes, drejtori deklaroi se përgjegjësinë për njoftimin e prindërve e kishte marrë Policia.

Megjithatë, Policia Rajonale e Prishtinës nuk dha detaje të tjera për rastin, ndërsa Prokuroria Themelore në Prishtinë nuk iu përgjigj pyetjeve të redaksisë.

Shkolla dhe Drejtoria e Arsimit deklaruan se i mituri ishte përcjellë nga Qendra për Punë Sociale, por ende nuk është sqaruar se kush duhej ta njoftonte familjen.

Pas arrestimit, 23-vjeçari u lirua në procedurë të rregullt. Ndërkohë, babai i 16-vjeçarit kërkon sqarime për mënyrën se si u trajtua rasti dhe pse nuk u njoftua për sulmin ndaj të birit. /Klankosova.tv