
Shqiptari Abdulla Canaj, 24-vjeçar, është raportuar i zhdukur që nga pasditja e së mërkurës në Montorio al Vomano të Italisë.
Sipas mediave italiane, kërkimet për gjetjen e tij janë duke vazhduar, ndërsa në operacion janë përfshirë zjarrfikësit, karabinierët, policia lokale dhe ekipet e Mbrojtjes Civile.
Operacioni po koordinohet nga Prefektura e Teramos, ndërsa administrata komunale ka shprehur mirënjohje për të gjitha ekipet e angazhuara në kërkim.
Në momentin e zhdukjes, Canaj kishte veshur pantallona me ngjyrë ushtarake, një kapelë të kuqe, bluzë të bardhë me kapuç dhe atlete, transmeton Klankosova.tv.
Ndërkohë, Bashkia ka bërë thirrje publike për bashkëpunim, duke kërkuar nga të gjithë ata që mund ta kenë parë 24-vjeçarin ose kanë informacione që mund të ndihmojnë në gjetjen e tij, të kontaktojnë menjëherë numrin emergjent 112.