
Planin për dasmë dhe përgatitjet i pati gati deri në ditët e fundit para saj.
Si mysafir special në dasmë, 29-vjeçari kishte angazhuar këngëtarin Muharrem Ahmeti, mirëpo ai e prishi marrëveshjen vetëm tri ditë para dasmës.
Angazhimin e Muharremit në dasmë, A.N. e bëri për hir të dëshirës së nuses, pasi ishte ëndërr e saj.
Biseda kishte filluar në Instagram dhe kishte vazhduar në WhatsApp, pasi Muharrem Ahmeti po ia kërkonte të gjithë pagesën para dasmës.
Biseda vazhdoi dhe mezi u morën vesh që datën t’ia rezervonte vetëm me një kapar prej 1 800 eurosh.
Madje, edhe kontratën e shkruar, Muharrem Ahmeti e kishte zëvendësuar me “fjalë e besë burrash”.
Dyshimet se ai mund t’i mashtronte i kishin lindur 29-vjeçarit qysh në fillim, por nuk donte që t’ia prishte qejfin gruas.
Pagesa u bë dhe pas saj gjithçka filloi të merrte drejtim tjetër.
Që pas pranimit të fletëpagesës, Muharrem Ahmeti kishte filluar të mos i kthente mesazhet dhe as të mos e hapte telefonin.
Pas shumë përpjekjesh, këngëtari e hapi telefonin dhe vetëm tri ditë para dasmës anuloi pjesëmarrjen e tij në aheng.
Me të marrë atë informatë, i zhgënjyer, A.N. u mundua të aranzhonte një këngëtar tjetër, mirëpo koha e shkurtër ia pamundësoi këtë.
Kësisoj, ata u detyruan që ta ndryshonin komplet planin e dasmës, për të cilin ishin munduar për muaj të tërë.
E gjithë kjo, 29-vjeçari thotë se i theu emocionalisht, sepse ajo supozohej të ishte dita më e bukur për ta.
Dasma përfundoi dhe, disa ditë pas saj, 29-vjeçari filloi bisedën me Muharremin për kthimin e kaparit prej 1 800 eurosh, mirëpo krejt çfarë merrte ishin data të ndryshme për premtimet e tij.
Madje, në disa momente, Muharrem Ahmeti i ishte drejtuar me fjalë të rënda 29-vjeçarit.
Gati dy muaj pas dasmës, Ahmeti tashmë ishte i pakontaktueshëm.
I zhgënjyer nga e gjithë kjo, A.N. për Kiks Kosovën tha se po ndihet i mashtruar.
Para kamerës së Kiksit, 29-vjeçari thotë se dyshon që një metodë të tillë mashtrimi ky këngëtar po e përdor me shumë persona të tjerë.
Kiks Kosova ka komunikuar me Muharrem Ahmetin dhe i ka dhënë hapësirë për sqarim përmes telefonit.
Ahmeti ka thënë se pagesën nuk e ka kryer për shkak se ka qenë në depresion, si pasojë e humbjes së një të afërmi.
Ai i tha Kiksit se pagesën do ta kryente të nesërmen, mirëpo pati një kusht.
Në komunikim me gazetaren, ai tha se, nëse e kryente pagesën, emisioni nuk mund të transmetohej, duke kërcënuar me fjalët se, përndryshe, “do të keni punë me mua”.
Kiks Kosova e ka transmetuar emisionin dhe, deri në momentin e transmetimit, Muharrem Ahmeti nuk e kishte kryer pagesën e shumës ndaj A.N.
Ndiqeni emisionin e plotë: