33 persona janë arrestuar dhe 41 të tjerë janë proceduar penalisht pas protestës së zhvilluar të hënën në Tiranë, ka njoftuar Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë.
Sipas Policisë, në mesin e të arrestuarve janë edhe gjashtë të mitur, të moshave 15 dhe 17 vjeç.
Të arrestuarit dyshohet se gjatë tubimit kanë hedhur gurë dhe sende të tjera të forta në drejtim të efektivëve dhe automjeteve të Policisë. Po ashtu, ata dyshohet se kanë dëmtuar koshat e mbeturinave dhe tabelat e sinjalistikës rrugore, duke përdorur sende të forta dhe zjarr.
Si pasojë e incidenteve gjatë protestës, shtatë punonjës policie kanë pësuar lëndime, thuhet në njoftimin e Policisë.
Ndërkohë, sipas të dhënave të publikuara nga ky institucion, gjatë shtatë ditëve të protestave janë arrestuar gjithsej 271 persona.
Nga ta, 51 persona rezultojnë me precedentë penalë për vepra të ndryshme, përfshirë vrasje, plagosje, armëmbajtje pa leje, prodhim dhe shitje të narkotikëve, prostitucion, vjedhje, mashtrim dhe falsifikim dokumentesh.
Në listën e veprave të përmendura nga Policia përfshihen edhe kanosja për dhënien e pasurisë, mbajtja pa leje e armëve të ftohta, pjesëmarrja në grumbullime të paligjshme, si dhe veprat penale kundër punonjësve të Policisë dhe shkeljet në fushën e mjedisit e të qarkullimit rrugor.
Burimi: Dukagjini
