Sipas njoftimit të Drejtorisë për Media dhe Marrëdhënie me Publikun, në rend dite është miratimi i procesverbaleve të mbledhjeve të mëparshme të Kryesisë, si dhe propozimi i rendit të ditës për seancën e ardhshme plenare.
Ndër çështjet kryesore që pritet të shqyrtohen në seancën plenare është formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK).
Komisioni do të përzgjedhë kandidatët për dy anëtarë nga komuniteti shqiptar, një anëtar nga komuniteti serb dhe një anëtar nga komunitetet joshumicë.
Në rendin e propozuar të ditës për seancën plenare janë përfshirë edhe miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme, deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare.
Po ashtu, deputetët pritet të votojnë propozimin e Grupit Parlamentar të Listës Serbe për emërimin e deputetëve në komisionet parlamentare.
Kryesia do të shqyrtojë gjithashtu propozimet dhe kërkesat e paraqitura për trajtim në këtë mbledhje.
Burimi: RTKLive
