
Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e dy zyrtarëve policorë të Stacionit Policor në Gjilan, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas të dhënave fillestare të hetimit, rasti ka ndodhur më 15 tetor 2026, rreth orës 23:00, në qytetin e Gjilanit, transmeton Klankosova.tv.
Aty dyshohet se zyrtarët policorë kanë ndaluar një qytetar dhe e kanë futur atë në veturën zyrtare.
“Gjatë kësaj kohe, ndaj tij pretendohet se është ushtruar abuzim verbal dhe i është cenuar privatësia, përfshirë edhe marrjen e telefonit personal pa urdhër të Prokurorit të Shtetit.” – njofton IPK.
Nga hetimet e para ekzistojnë dyshime se këto veprime të pretenduara mund të kenë lidhje me një ankesë që i njëjti qytetar e kishte parashtruar në korrik të vitit 2026 pikërisht ndaj këtyre zyrtarëve policorë, për dyshime rreth keqtrajtimit dhe tejkalimit të autorizimeve policore.
IPK ka theksuar se mbetet e përkushtuar në ushtrimin e mandatit të saj ligjor për hetimin e çdo dyshimi për veprime të kundërligjshme nga pjesëtarët e Policisë, me qëllim të garantimit të llogaridhënies dhe fuqizimit të integritetit institucional.