Haxhiu ka thënë se Idriz Rrecaj ishte një nga anëtarët e “Grupit të Intelektualëve”, të cilët u shënjestruan nga forcat serbe.
“Idriz Rrecaj ishte një nga anëtarët e ‘Grupit të Intelektualëve’, atdhetarë që e donin vendin dhe fjala e të cilëve peshonte në rrethin e tyre. Pikërisht për këtë forcat serbe i shënjestruan, për t’i zhdukur e për t’ua shuar çdo gjurmë. Por kujtimi për ta nuk u shua. Eshtrat e Idrizit u gjetën, dhe sot ai kthehet në tokën për të cilën dha jetën”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo ka theksuar se sakrifica e Idriz Rrecajt dhe e veprimtarëve të “Grupit të Intelektualëve” për një Kosovë të lirë nuk do të harrohet kurrë.
“Gjetja dhe rivarrimi i tij janë një hap drejt drejtësisë dhe një ngushëllim për familjen që e priti gjithë këto vite. Megjithatë, plaga mbetet e hapur për sa kohë ka ende familje që presin të mësojnë fatin e më të dashurve të tyre”, ka deklaruar ajo.
Haxhiu ka theksuar se kërkimi për të zhdukurit me dhunë do të vazhdojë derisa të mësohet e vërteta për secilin prej tyre.
“Lavdi jetës dhe veprës së heroit Idriz Rrecaj! Qoftë i përjetshëm kujtimi për të”, ka përfunduar Haxhiu.
Burimi: RTKLive
