
Policia e Kosovës (PK) ka njoftuar se pas pranimit të informacioneve, ka trajtuar rastin e tre zyrtarëve policorë të Stacionit Policor Jugu në Prishtinë, të cilët dyshohen se më 15 tetor 2026 janë përfshirë në një rast penal të ngacmimit dhe kontrollit të kundërligjshëm.
Sipas njoftimit zyrtar, PK-ja ka njoftuar menjëherë sipas detyrës zyrtare Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK), duke u koordinuar për sigurimin dhe dokumentimin e të gjitha provave relevante, transmeton Klankosova.tv.
Po ashtu, pala ankuese është udhëzuar që të paraqitet në IPK për të dhënë deklaratën e saj para njësisë së hetimeve.
Kujtojmë që Inspektoriati i Policiës së Kosovës, sot gjatë ditës ka lëshuar komunikatë për media në lidhje me dy rastet, ndërsa gazetarja e Klan Kosovës, Altiana Zogaj, përmes burimeve të saja ka kuptuar se rasti është raportuar te autoritetet nga një e afërme e vajzës, viktimë e këtij rasti, pasi, gjithnjë sipas burimeve, të tre policët e dyshuar i kishin kërkuar asaj marrëdhënie seksuale në grup.
Pas shqyrtimit të informacioneve dhe provave të siguruara, IPK-ja ka rekomanduar suspendimin e tre zyrtarëve policorë, rekomandim i cili është zbatuar menjëherë nga menaxhmenti i Policisë së Kosovës.
Kurse në njoftimin e Policisë së Kosovës theksohet gjithashtu se bashkëpunimi i ngushtë me IPK-në ka çuar në suspendim edhe për dy zyrtarë të tjerë policorë në Stacionin Policor në Gjilan.
Policia e Kosovës ka riafirmuar përkushtimin e saj për transparencë, llogaridhënie të plotë dhe bashkëpunim të ngushtë me IPK-në, duke garantuar se çdo sjellje joprofesionale e zyrtarëve do të trajtohet me seriozitetin më të lartë ligjor.