
Sulmuesi i Kosovës, Fisnik Asllani, ka vazhduar me paraqitje të mira në fanellën e Hoffenheimit, duke shënuar golin e tij të parë të sezonit dhe të parin në garat kontinentale. Megjithatë, goli i tij nuk mjaftoi që skuadra gjermane të shmangte humbjen, pasi u mposht 3:2 nga Beshiktashi në kuadër të xhiros së dytë të fazës së ligës në Ligën e Evropës.
Asllani realizoi në minutën e 68-të, kur mori topin pranë zonës kundërshtare, bëri dy lëvizje të mira individuale dhe me një gjuajtje të saktë e dërgoi topin në rrjetë, duke barazuar rezultatin në 1:1.
Megjithatë, dy gola të shpejtë të shënuar më pas nga Oh Hyeon-Gyu i dhanë fitoren skuadrës turke, duke ia shkaktuar Hoffenheimit një tjetër disfatë.
Kjo ishte humbja e radhës për skuadrën gjermane, e cila edhe në fundjavën e kaluar u mposht 3:2, në ndeshjen ndaj Hamburgut, ku Asllani kontribuoi me një asistim.
Sulmuesi kosovar vjen në këtë përballje pas golit të shënuar edhe në ndeshjen e fundit të Kosovës ndaj Austrisë, e cila përfundoi me rezultat 1:1 në Prishtinë.
Pas ndeshjes ndaj Beshiktashit, Asllani ka folur për vështirësitë e skuadrës, duke theksuar se mungesa e përqendrimit në momentet vendimtare po i kushton Hoffenheimit pikë të rëndësishme.
“Është shumë e vështirë për ta pranuar këtë. E kemi menduar ndryshe. Donim t’i merrnim pikët e plota ndaj një kundërshtari të fortë. Jemi mbrojtur mirë herë pas here, por nuk kishim përqendrimin e duhur në momentet vendimtare. Në sezonin e kaluar na kanë ndodhur shumë gjëra, por nuk duhet të dorëzohemi. Duhet të vazhdojmë dhe të kemi vetëbesim. Duhet të mbrohemi mirë si ekip. Kemi periudha shumë të mira në çdo ndeshje, por duhet të jemi në lojë për 90 minuta. Besoj përfundimisht se duhet të shpërblehemi për përpjekjet për ndeshjen ndaj Borussia Monchengladbachut”, theksoi Asllani për faqen zyrtare të klubit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Fisnik Asllani zbulon çfarë po e penalizon Hoffenheimin appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali