Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, dhe zyrtarë të lartë ushtarakë, policorë dhe ata të burgjeve janë vënë nën hetim në Itali për shkak të trajtimit të aktivistëve që kishin synuar të lundronin drejt Gazës, thanë të premten prokurorët italianë.
Kjo lëvizje zgjeron një hetim që më parë ishte i përqendruar te ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, i cili ka qëndrime të së djathtës ekstreme, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Rasti ka të bëjë me dyshimet për torturim, rrëmbim, lëndim personal, plaçkitje dhe dëm, kur forcat izraelite penguan një flotë të vogël barkash që ishin nisur drejt Gazës vitin e kaluar dhe këtë vit, tha në një deklaratë zyra e prokurorëve në Romë.
Hetuesit e hapën hetimin pas ankesave nga 50 shtetas italianë që ishin ndaluar nga autoritetet izraelite pas dy misioneve të flotës “Global Sumud Flotilla” nga shtatori deri në tetorin e vitit të kaluar si dhe nga prilli deri në majin e vitit 2026.
Ministri Katz nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment. Ben-Gviri në qershor e kishte minimizuar lajmin se ishte nën hetim, duke thënë se “do të vazhdoj të qëndroj krenar krahas luftëtarëve tanë”.
Prokurorët italianë thanë se aktivistët e ndaluar pas misionit të parë kishin raportuar për rrahje, lëndime, kërcënime me vdekje, fyerje dhe akuza për terrorizëm.
Aktivistët e përfshirë në misionin e dytë raportuan për trajtim edhe më të ashpër, përfshirë rrahjet në errësirë, përdorimin e elektroshokave dhe plumbave të gomës, thuhet më tej në deklaratë.
Hetuesit kanë identifikuar individë të ndryshëm që i formojnë zinxhirët ushtarakë e policorë të komandës të përfshirë në operacione, thanë prokurorët italianë.
Përpos ministrave Katz e Ben-Gvir, prokurorët përmendën si të dyshuar 12 zyrtarë të lartë ushtarakë, policorë dhe të burgjeve, përfshirë komandantin e ushtrisë izraelite, Eyal Zamir.
As Zamiri nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Italia nis hetim ndaj ministrit të Mbrojtjes dhe komandantit të ushtrisë izraelite për trajtimin e aktivistëve të flotiljes për Gazën appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali