
Në moshën kur shumë të rinj ende përpiqen ta kuptojnë botën përreth tyre, gazetari Milot Hasimja hyri në Kosovë me trupat britanike të KFOR-it, në qershor të vitit 1999.
Ishte vetëm 17 vjeç, por muaji i parë pas luftës do ta përballte me pamje të rënda, të cilat, siç ka rrëfyer, do t’i mbeteshin gjatë në kujtesë.
Shtëpi të djegura, njerëz të vrarë dhe gjurmët e një lufte që kishte lënë pas dhimbje e shkatërrim.
Këto ishin disa nga përjetimet që ai kujton nga ditët e para të qëndrimit në Kosovë.
Në një intervistë për emisionin “Weekend”, me gazetaren Gentiana Gashi, Hasimja, i njohur si Pila, ka rrëfyer përvojat e tij nga ajo periudhë, kur Kosova po përpiqej të merrte veten pas luftës.
Ai ka treguar se për rreth një muaj qëndroi në shkollën “Adem Kllavica” në Lipjan, ku kushtet ishin të vështira dhe mungonin edhe gjërat elementare.
Por qëndrimi në atë shkollë i solli edhe një përvojë të pazakontë, një ndërhyrje mjekësore në një klasë të improvizuar si sallë operacioni.
“…E improvizuan një sallë të operacionit në njërën prej klasave të shkollës. Kishin kuti shumë të mëdha me drita dhe pajisje mjekësore. Aty ma hoqën një benkë (nishan) të madhe që e kisha, ndërsa unë mbaja antiplumbin gjatë gjithë kohës”, ka rrëfyer Pila.
Pas kësaj periudhe, ai punoi si zjarrfikës dhe përkthyes, duke marrë pjesë në shumë intervenime në Prishtinë dhe rrethinë.
Më vonë, Pila iu përkushtua gazetarisë, duke qenë pjesë e emisionit “Ora 7” në Klan Kosova për rreth 14-15 vjet.
Sot, ai vazhdon rrugëtimin në të njëjtin televizion me emisionin “Krejt Kapak”, ku sjell dokumentarë dhe rrëfime që vënë në pah histori të ndryshme njerëzore.
Ndiqeni rrëfimin e plotë të tij në videon e mëposhtme: