“Nëse ndahesh nga burri, s’ke vend në shtëpi” – babai dyshohet se kërcënoi psikologjikisht vajzën e mitur në Gjakovë, ajo përfundon në strehimore

Written by

in

Një rast shqetësues i dhunës në familje është raportuar në Gjakovë, ku një vajzë e mitur ka kërkuar ndihmën e Policisë pas presionit të vazhdueshëm psikologjik që dyshohet se i është ushtruar nga babai i saj.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se ngjarja është raportuar më 16 tetor, rreth orës 20:00, në rrugën “Martirët Qerkezi”, ndërsa viktima është një vajzë, rreth 18-vjeçar.

Sipas informatave që ka siguruar Sinjali, e mitura kishte bashkëjetuar për rreth dy muaj me partnerin e saj, por vendimi i mundshëm për t’u ndarë prej tij dyshohet se kishte shkaktuar reagimin e ashpër të babait.

Ky i fundit dyshohet se e kishte telefonuar vazhdimisht vajzën, duke i bërë presion psikologjik dhe duke i thënë se nëse ndahej nga partneri, nuk do të kishte më vend në shtëpinë familjare.

Përballë kësaj situate, vajza ka kërkuar ndihmën e Policisë, ndërsa pas trajtimit të rastit është vendosur në strehimore.

Ndërkohë, babai i saj, i dyshuar për dhunë psikologjike, nuk është lokalizuar nga Policia.

Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar që të kontaktohet sërish pas lokalizimit dhe procedimit të të dyshuarit.

Rasti është iniciuar si “Dhunë në familje” dhe mbetet nën hetime.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post “Nëse ndahesh nga burri, s’ke vend në shtëpi” – babai dyshohet se kërcënoi psikologjikisht vajzën e mitur në Gjakovë, ajo përfundon në strehimore appeared first on Sinjali.

Burimi: Sinjali