Diamanti i rrallë rozë “Grand Condé” do të ekspozohet sërish në Francë për herë të parë që nga viti 1926, kur u vodh gjatë një grabitjeje në kështjellën Château de Chantilly.
Guri i çmuar prej nëntë karatësh, në formë dardhe, do të prezantohet në Muzeun Condé, brenda kështjellës, deri më 3 janar. Ai është një nga xhevahiret e rralla mbretërore që i mbijetuan Revolucionit Francez.
Historia e vjedhjes dhe e gjetjes së tij mbetet ndër episodet më të pazakonta të lidhura me këtë diamant. Në tetor të vitit 1926, hajdutët hynë natën në kështjellë, morën gurin dhe e fshehën brenda një molle të zgavruar.
Disa javë më vonë, një shërbëtore në hotelin ku qëndronin hajdutët kafshoi mollën dhe zbuloi diamantin. Sipas drejtorit të muzeut, Mathieu Deldicque, ndonëse rrëfimi tingëllon i pabesueshëm, ngjarja është dokumentuar gjerësisht nga gazetat e kohës.
Ekspozimi i diamantit vjen në një periudhë shqetësimesh për sigurinë e trashëgimisë kulturore, pas një sërë grabitjesh në institucione evropiane, përfshirë vjedhjen e bizhuterive në Muzeun e Luvrit.
Deldicque nuk bëri të ditur për CNN vlerën për të cilën është siguruar diamanti. Megjithatë, ai theksoi se guri u është nënshtruar studimeve të hollësishme shkencore, të cilat kanë përcaktuar karakteristikat që mundësojnë identifikimin e tij unik.
Krahas diamantit, vizitorët do të mund të shohin rezultatet e këtyre analizave dhe materiale arkivore të papublikuara më parë, që zbardhin historinë e xhevahirit dhe grabitjen e tij të bujshme.
Burimi: Dukagjini
