Çmimi iu nda nga juria e përbërë nga regjisori çek Petr Zelenka, Jon Einarsson Gustafsson dhe producentja polake Natalia Grzegorzek. Festivali po mbahet nga 9 deri më 18 tetor, ndërsa filmi pati premierën botërore më 13 tetor.
Juria e vlerësoi filmin për realizimin artistik dhe mënyrën e trajtimit të një bote që po zhduket. Në vlerësimin e saj, ajo theksoi se rrallë ndodh që një film debutues të jetë kaq i plotë në të gjitha aspektet, duke e cilësuar si një vepër që të kujton tragjedinë greke dhe që ka potencialin të bëhet klasik.
Filmi rrëfen historinë e një vajze të re, Agias, e cila rebelohet kundër një kulture të dominuar nga burrat dhe traditave patriarkale, ku nderi i familjes vlerësohet më shumë se jeta. Ajo dëshiron të jetë vetvetja dhe të marrë vendime për jetën e saj, në një periudhë kur vendi postkomunist po largohet nga regjimi totalitar dhe po hapet ndaj botës.
“Agia” sjell një bashkëpunim artistik mes Kosovës dhe Shqipërisë. Në kastin e filmit luajnë Kosovare Krasniqi, Lurni Krasniqi, Afrim Muçaj, Luan Jahja, Lulzim Zeqja dhe Luiza Xhuvan.
Producentë të filmit janë Dritan Huqi dhe Florenc Papas, ndërsa bashkëproducentë janë Ivan Durovic, Elly Senger Weiss dhe Besnik Krapi.
Vlerësimi në Varshavë shënon një moment të rëndësishëm për filmin dhe ekipin e tij, duke e vendosur “Agia”-n në vëmendjen e publikut dhe profesionistëve të kinemasë ndërkombëtare.
Burimi: RTKLive
