Ambasada e ShBA-së për protestën në Shqipëri: Dhuna dhe shkatërrimi i pronës nuk janë angazhim qytetar

Ambasada e ShBA-së për protestën në Shqipëri: Dhuna dhe shkatërrimi i pronës nuk janë angazhim qytetar

Written by

in

Ambasada e ShBA-së për protestën në Shqipëri: Dhuna dhe shkatërrimi i pronës nuk janë angazhim qytetar

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka reaguar pas përshkallëzimit të dhunës gjatë protestave në Shqipëri, duke nënvizuar qartë se aktet e dhunshme, përleshjet dhe dëmtimi i pronës publike e private nuk përfaqësojnë angazhim qytetar.

Përmes një komunikate zyrtare, përfaqësia diplomatike amerikane u ka bërë thirrje qytetarëve që të drejtën e tyre për tubim ta ushtrojnë ekskluzivisht në rrugë paqësore, teksa ka apeluar për maturi nga të gjithë akterët, transmeton Klankosova.tv.

“Dhuna, trazirat, lëndimi fizik i të tjerëve dhe shkatërrimi i pronës nuk janë angazhim qytetar. U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që zgjedhin të demonstrojnë ta ushtrojnë të drejtën e tyre për protestë në mënyrë paqësore, pa akte të dhunshme. U bëjmë thirrje të gjitha palëve për vetëpërmbajtje dhe qetësi”, theksohet në qëndrimin e ambasadës.

Ky reagim i diplomacisë amerikane vjen pas ditëve të shoqëruara me tensione të forta në Tiranë, ku hedhja e molotovëve, gurëve dhe përplasjet me forcat e rendit lanë të lënduar disa efektivë policie dhe protestues, si dhe shkaktuan dëme të konsiderueshme materiale në disa godina shtetërore e automjete.