Protestat në Shqipëri, Rama: Jam përpjekur të mos bie në kurth, vetëpërmbajtja është thelbësore (VIDEO)

Protestat në Shqipëri, Rama: Jam përpjekur të mos bie në kurth, vetëpërmbajtja është thelbësore (VIDEO)

Written by

in

Protestat në Shqipëri, Rama: Jam përpjekur të mos bie në kurth, vetëpërmbajtja është thelbësore (VIDEO)

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar lidhur me protestën që po zhvillohet në Tiranë, duke thënë se po përpiqet të shmangë atë që e cilësoi si “kurthi i dhunës që kërkon gjak”.

Përmes një deklarimi, Rama tha se ka zgjedhur të mos përfshihet drejtpërdrejt, por të ndjekë me durim zhvillimet dhe përpjekjet për të parandaluar përshkallëzimin e situatës.

“Jam përpjekur të mos përfshihem dhe të ndjek me durim, duke koordinuar një përpjekje për të mos rënë në kurthin e dhunës që kërkon gjak”, deklaroi Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare rikujtoi edhe ngjarjet e 21 janarit, kur gjatë protestave në bulevardin në Tiranë u vranë katër protestues me armë zjarri dhe dhjetëra të tjerë u plagosën.

“E njoh historinë e këtij bulevardi, e njoh mirë. E kam ende të freskët në kujtesë atë që ndodhi më 21 janar, kur pati disa vatra të izoluara zjarri në këtë perimetër, por nuk u prek asnjë institucion dhe nuk u hodhën kokteje molotovi”, tha ai.

Rama shtoi se, sipas tij, gjatë atyre ngjarjeve asnjë pjesëtar i forcave të sigurisë nuk ishte lënduar apo djegur, ndërsa katër protestues humbën jetën nga plumbat dhe dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur, transmeton Klankosova.tv.

Duke iu referuar situatës aktuale, kryeministri dënoi hedhjen e gurëve, shufrave të hekurit dhe vidave në drejtim të policisë, duke i cilësuar këto veprime si kriminale.

Megjithatë, ai theksoi se, pavarësisht veprimeve të tyre, protestuesit mbeten qytetarë të vendit dhe se jeta e tyre duhet të ruhet.

“Përtej faktit se ata që hedhin gurë, shufra hekuri dhe vida për t’u nxjerrë sytë policëve janë kriminelë, unë e kam parasysh se ata janë fëmijë të verbuar të Shqipërisë dhe jeta e tyre vlen më shumë se gjithçka tjetër”, u shpreh Rama.

Në përfundim, kryeministri bëri thirrje për vetëpërmbajtje, duke e cilësuar atë si elementin kryesor për të shmangur pasoja të mëtejshme nga përshkallëzimi i protestës.

“Vetëpërmbajtja është A-ja dhe ZH-ja e kësaj historie”, përfundoi Rama.