Kaos në Francë: 550 mijë protestues në rrugë, një i vdekur, 855 të ndaluar dhe zjarr në bashkinë e Limoges

Kaos në Francë: 550 mijë protestues në rrugë, një i vdekur, 855 të ndaluar dhe zjarr në bashkinë e Limoges

Written by

in

Një protestues ka humbur jetën gjatë protestave në Paris, pasi është ndier keq në bulevardin Magenta, në zonën ku po kalonte procesioni. Lajmi është bërë i ditur nga policia franceze.

Sipas Prefekturës së Policisë së Parisit, vdekja ka ardhur si pasojë e arrestit kardiorespirator. Ndërkohë, autoritetet kanë njoftuar se gjatë protestave në kryeqytetin francez janë ndaluar 855 persona, një numër rekord.

Gjatë përplasjeve, 13 policë dhe xhandarë, si dhe dy zjarrfikës, kanë mbetur të plagosur, thuhet në njoftimin zyrtar.

Situata ka qenë e tensionuar edhe në qytetin e Limoges, ku një zjarr në ndërtesën e bashkisë është vënë nën kontroll. Prefekti Maurice Barat e dënoi incidentin, duke kritikuar personat që shkaktuan zjarrin dhe dëmtuan rëndë ndërtesën komunale, e cila daton nga shekulli XIX.

Sipas prokurorisë së qytetit, 17 persona janë arrestuar gjatë demonstratës në Limoges, mes tyre edhe shtatë të mitur. Për ngjarjen është hapur një hetim për shkatërrim të pronës me mjete të rrezikshme, në kuadër të një grupi të organizuar.

Prokuroria ka bërë të ditur gjithashtu se gjatë protestës janë sulmuar edhe qytetarë të tjerë. Autoritetet kanë paralajmëruar se evidentimi i viktimave do të bëhet sa më shpejt të jetë e mundur.

Dhuna shpërtheu të shtunën në disa qytete të Francës, gjatë valës së fundit të protestave kundër kushteve të këqija në shkolla dhe rritjes së kostos së jetesës.

Qeveria franceze ka shprehur shqetësimin për përshkallëzimin e dhunës, ndërsa vlerësohet se rreth 550 mijë persona kanë marrë pjesë në demonstrata në qytete të ndryshme të vendit.

Burimi: Dukagjini