Shtetet e Bashkuara kanë rifilluar shkëmbimin e inteligjencës me Ukrainën, për ta ndihmuar atë të mbrohet nga sulmet me raketa ruse, pas një ndërprerjeje të shkurtër, ka bërë të ditur presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy.
Siç raporton Reuters, Ukraina është mbështetur në inteligjencën amerikane për të zbuluar raketat balistike me shpejtësi të lartë, të cilat Rusia i ka përdorur në valë sulmesh ndaj qyteteve ukrainase.
Në një intervistë për emisionin “Meet the Press” të NBC-së, Zelenskyy tha se shkëmbimi i informacionit të inteligjencës ishte ndërprerë përkohësisht, por më pas ishte zhbllokuar.
“Jemi shumë mirënjohës për këtë. Tani funksionon”, tha Zelenskyy.
Më herët gjatë javës, presidenti amerikan, Donald Trump, kishte deklaruar se Uashingtoni po vazhdonte të ndante informacione të inteligjencës me Ukrainën, pavarësisht deklaratave të zyrtarëve ukrainas se disa sulme ruse kishin ndodhur pa paralajmërim.
Burimi: Dukagjini
