Ka diçka thellësisht të rrezikshme kur njerëz që pretendojnë se përfaqësojnë shtetin, ose që sillen sikur janë mbi të, vendosin ta zëvendësojnë ligjin me kërcënime, fyerje e logjikë hakmarrjeje. Në vend që të debatojnë, argumentojnë apo t’u përgjigjen gazetarëve me fakte, ata zgjedhin linçimin publik, etiketimin dhe presionin. Kur fjalët nuk u pëlqejnë, kërkojnë ta ndëshkojnë atë që i thotë. Kur kritika i shqetëson, përpiqen ta shndërrojnë gazetarin në armik. Kjo nuk është vetëm sjellje arrogante. Është mentalitet që e rrezikon lirinë dhe demokracinë.
Rastet e fundit ndaj Fidan Jupollit dhe Lirim Mehmetajt janë një kambanë alarmi për krejt shoqërinë. Jupolli është përballur me fyerje, etiketime dhe kërcënime pas deklarimeve të tij publike lidhur me zhvillimet politike dhe protestat për ish-krerët e UÇK’së. Ndërkaq, rasti i Mehmetajt, i cili raportoi kërcënime pas një shkrimi kritik, mori përmasa edhe më shqetësuese kur ish-deputeti Gani Geci shkoi në televizionin ku gjendej gazetari. Këto nuk janë çështje që mund të trajtohen si përplasje të zakonshme mes individësh. Kur një gazetar kërcënohet për punën e tij, preket edhe e drejta e publikut për t’u informuar.
Është e parëndësishme nëse dikush pajtohet apo jo me qëndrimet e gazetarëve. Është e parëndësishme nëse një gazetar është i ashpër, ironik, provokues apo edhe i padrejtë në ndonjë vlerësim të tij. Pyetja themelore është: a duam të jetojmë në një shoqëri ku për fjalën publike përgjigjemi me argumente dhe ligj, apo në një shoqëri ku secili që ndihet i fyer mendon se mund t’i qërojë hesapet sipas dëshirës?
Gazetarët nuk janë të paprekshëm. Ata nuk janë mbi ligjin, nuk janë të pagabueshëm dhe nuk kanë imunitet nga kritikat. Përkundrazi, puna e tyre duhet të jetë objekt i vlerësimit kritik të publikut. Por ekziston një dallim i madh ndërmjet kritikës dhe kërcënimit, kundërshtimit dhe frikësimit, kërkesës për përgjegjësi dhe përpjekjes për t’ia mbyllur gojën tjetrit.
Nëse një gazetar shkel kodin etik, përhap informata të pasakta apo cenon të drejtat e dikujt, ekzistojnë mekanizma përkatës për adresim – varësisht nga natyra e shkeljes. Ekzistojnë e drejta për përgjigje, korrigjimi, ankesa dhe procedurat ligjore. Kushdo që mendon se është dëmtuar nga puna e një gazetari mund t’i përdorë këto rrugë. Kjo është mënyra se si funksionon një shtet që pretendon të jetë demokratik.
Por çfarë ndodh kur këto rrugë anashkalohen dhe dikush mendon se një postim, një koment apo një emision mund të zgjidhet me kërcënime? Atëherë nuk kemi të bëjmë më me një mosmarrëveshje të zakonshme, por me përpjekjen për ta imponuar vullnetin nëpërmjet frikës. Kjo është pikërisht ajo që një shtet ligjor nuk duhet ta tolerojë.
* * *
Edhe më shqetësuese bëhet situata kur sulmet ndaj gazetarëve ushqehen ose legjitimohen nga eksponentë të pushtetit. Një politikan që përdor pozitën e tij në përpjekje për t’i delegjitimuar mediat, për t’i etiketuar gazetarët si armiq apo për t’i paraqitur si pjesë të ndonjë agjende të errët, nuk bën thjesht politikë të keqe. Ai kontribuon në krijimin e një klime, në të cilën përkrahësit e tij mund ta konsiderojnë të pranueshëm kërcënimin ndaj atyre që mendojnë ndryshe.
Pushteti duhet ta kuptojë një gjë elementare: mediat nuk janë departamente të tij, gazetarët nuk janë zëdhënës dhe redaksitë nuk janë zyra për marrëdhënie me publikun të partive politike. Puna e gazetarëve nuk është t’i bëjnë pushtetarët të ndihen mirë, as t’ua ruajnë imazhin, e aq më pak t’i mbrojnë nga pyetjet e pakëndshme. Puna e tyre është të informojnë, të pyesin, të hulumtojnë dhe të kritikojnë kur e konsiderojnë të nevojshme.
Natyrisht, gazetaria duhet të jetë profesionale dhe e përgjegjshme. Por përgjegjësia profesionale nuk mund të shndërrohet në pretekst për nënshtrim politik. Nuk mund të kërkohet që gazetarët të jenë të lirë vetëm kur lavdërojnë, por të shpallen armiq kur kritikojnë. Liria e shprehjes nuk është privilegj që pushteti ua jep mediave sipas disponimit ditor. Është e drejtë themelore, e garantuar me Kushtetutë, dhe nuk negociohet sipas interesave të askujt.
As Kanuni, as logjika e bajraktarëve dhe as mendësia e atyre që besojnë se një telefonatë, një kërcënim apo një paraqitje te dera e televizionit mjafton për ta zgjidhur një konflikt, nuk mund të zënë vendin e ligjit. Kosova nuk ka nevojë për njerëz që sillen sikur drejtësinë mund ta marrin në duart e veta, por ka nevojë për institucione që veprojnë pa selektivitet, pa frikë dhe pa dallime politike.
Andaj, rastet e kërcënimeve ndaj gazetarëve nuk duhet të mbeten vetëm çështje solidariteti brenda komunitetit të tyre, por ato duhet të jenë provë për institucionet: a janë në gjendje ta mbrojnë një qytetar nga kërcënimi, edhe kur ai qytetar është kritik ndaj pushtetit apo ndaj njerëzve me ndikim? Policia dhe prokuroria duhet t’i trajtojnë rastet me seriozitet, ndërsa drejtësia duhet të veprojë mbi bazën e provave dhe ligjit.
Gjithë kjo ka të bëjë me atë se çfarë shoqërie duam të ndërtojmë: një shoqëri ku fjala kundërshtohet me fjalë, apo një shoqëri ku fjala ndëshkohet me frikë? Një shtet ku ligji vlen për të gjithë, apo një të atillë ku secili që ka pushtet, lidhje ose përkrahës mendon se mund ta bëjë ligjin vetë?
Gazetarët duhet të lihen të lirë ta bëjnë punën e tyre. Kushdo që ka vërejtje, le t’i kundërshtojë me argumente dhe le t’iu drejtohet mekanizmave përkatës. Por, askush nuk ka të drejtë ta kërcënojë një gazetar vetëm pse nuk i pëlqen ajo që thotë apo shkruan. Sepse, kur pushteti dhe të fortët vendosin t’i heshtin gazetarët, ata nuk po mbrojnë dinjitetin e tyre, por po e cenojnë lirinë e të gjithëve. Një demokraci që lejon të qërohen hesapet me Kanun, në vend të ligjit, e ka nisur rrugën e rrezikshme drejt mohimit të vetvetes.
Burimi: Dukagjini
