
Një 31-vjeçar shqiptar është dënuar me 54 muaj burg nga Gjykata Penale në Narbonë të Francës, pasi u kap me 6.6 kilogramë kokainë të fshehura në sistemin e kondicionimit të furgonit me të cilin po udhëtonte nga Spanja.
Sipas L’Independant, shqiptari ishte kthyer nga Barcelona dhe po udhëtonte me një furgon të regjistruar në Shqipëri, kur u ndalua nga autoritetet doganore më 31 gusht, në autostradën A9, në afërsi të Narbonës, transmeton Klankosova.tv.
Gjatë kontrollit, zyrtarët zbuluan sasinë e kokainës të fshehur në ndarjen e dedikuar për motorin e sistemit të kondicionimit. Vlera e drogës në tregun e paligjshëm është vlerësuar në rreth 264 mijë euro.
Para gjykatës, 31-vjeçari pretendoi se nuk kishte dijeni për praninë e drogës në automjet. Megjithatë, gjykata nuk i pranoi pretendimet e tij dhe e dënoi me 54 muaj burg.
Përveç dënimit me burg, atij iu shqiptua edhe një gjobë prej 264 mijë eurosh, e barabartë me vlerën e vlerësuar të kokainës së sekuestruar.