Komisioni Evropian dënon dhunën në Shqipëri, bën thirrje për dialog

Komisioni Evropian dënon dhunën në Shqipëri, bën thirrje për dialog

Written by

in

Në qëndrimin e tij zyrtar, Komisioni Evropian u shpreh i prerë kundër përshkallëzimit të tensioneve në rrugë: “Ne dënojmë përdorimin e dhunës në Tiranë dhe në qytete të tjera të Shqipërisë, përfshirë zjarrvëniet, sulmet ndaj institucioneve shtetërore dhe shkatërrimin e pronës publike dhe private. Dhuna nuk ka vend në një shoqëri demokratike dhe reagimi ndaj saj duhet të mbetet brenda kufijve të ligjit dhe të jetë proporcional”.

Gjithashtu, KE-ja këmbënguli në nevojën për zbatimin e shtetit të së drejtës për të gjithë shkelësit e rendit, duke deklaruar se “përgjegjësit duhet të mbahen përgjegjës përmes një procesi të rregullt ligjor”.

Nga ana tjetër, Brukseli rikujtoi rëndësinë e të drejtave civile në kontekstin e integrimit evropian të vendit.

“Liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera thelbësore evropiane, të cilat duhet të respektohen dhe të ushtrohen në mënyrë paqësore”, vëren më tej Komisioni Evropian, ndërsa mirëpret garancitë e dhëna nga autoritetet vendase për mbrojtjen e të drejtës për të protestuar.

Në përmbyllje të deklaratës, KE-ja i bëri thirrje palëve që të gjejnë gjuhën e mirëkuptimit institucional: “Në një vend kandidat që është i përkushtuar shumë ndaj procesit të anëtarësimit në BE dhe që po bën përparim të rëndësishëm në rrugën drejt BE-së, pakënaqësitë duhet të trajtohen përmes dialogut konstruktiv dhe në mënyrë paqësore”.

Burimi: RTKLive