
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të hënën, më 19 tetor, pritet të vazhdojë gjykimi ndaj tre të akuzuarve në rastin e sulmit me eksploziv në kanalin e Ibër-Lepencit, në fshatin Varagë të Zubin-Potokut.
Para trupit gjykues pritet të dalin vëllezërit Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq, si dhe Igor Dimoviq, të cilët përballen me akuza të ngritura nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.
Në seancën e radhës pritet të dëgjohen tre dëshmitarë të propozuar nga mbrojtja, pas miratimit të kërkesës për dëgjimin e tyre.
Rasti lidhet me shpërthimin e 29 nëntorit 2024, kur u dëmtua rëndë kanali i Ibër-Lepencit, duke shkaktuar ndërprerje të furnizimit me ujë të pijshëm dhe duke rrezikuar prodhimin e energjisë elektrike në Kosovë.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, vëllezërit Viqentijeviq, në bashkëkryerje me persona të tjerë ende të paidentifikuar, dyshohet se vendosën rreth 20 kilogramë eksploziv të llojit TNT në brendësi të kanalit.
Prokuroria pretendon se eksplozivi ishte vendosur në një çantë të lidhur me litar në një shtyllë betoni dhe më pas ishte aktivizuar, duke shkaktuar dëmtime të konsiderueshme në këtë infrastrukturë kritike.
Sipas aktakuzës, dëmi material i shkaktuar ndërmarrjes Ibër-Lepenc vlerësohet në 376 mijë e 774 euro e 70 centë.
Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq akuzohen për rrezikim të rendit kushtetues përmes shkatërrimit apo dëmtimit të instalimeve publike, në lidhje me kryerjen e veprës terroriste, si dhe për armëmbajtje pa leje.
Jovan Viqentijeviq përballet edhe me akuzën për spiunazh, ndërsa Igor Dimoviq akuzohet për armëmbajtje pa leje.
Të tre të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë mbi ta.
Vëllezërit Viqentijeviq ndodhen në paraburgim, ndërsa Dimoviq mbrohet në liri.
Gjykimi pritet të vazhdojë me administrimin e provave dhe dëgjimin e dëshmitarëve.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
/GazetaSinjali/
The post LEX | 20 kilogramë eksploziv dhe mbi 376 mijë euro dëme – nesër vazhdon gjykimi i të akuzuarve për sulmin në Ibër-Lepenc appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali