Policia e Shtetit ka reaguar pas incidentit të regjistruar në selinë e Partisë Demokratike, ku, sipas versionit të uniformave blu, një grup protestuesish të maskuar është futur në ambientet e jashtme të godinës për t’i shpëtuar ndjekjes policore, duke vijuar sulmin ndaj efektivëve.
Në një reagim zyrtar, Policia e Shtetit bën me dije se punonjësit e saj janë sulmuar me molotovë nga persona që i cilëson si të dhunshëm dhe se, në përgjigje të sulmit, kanë përdorur gaz lotsjellës.
Sipas policisë, personat e përfshirë në incident janë futur në ambientet e jashtme të selisë së PD-së teksa po përpiqeshin t’i shpëtonin ndjekjes dhe kapjes nga shërbimet e rendit.
Uniformat blu kanë hedhur poshtë pretendimet e tjera lidhur me ngjarjen, duke i cilësuar ato si të pavërteta dhe dashakeqe.
“Shërbimet e Policisë iu përgjigjën sulmit me molotovë nga ana e protestuesve të dhunshëm me gaz lotsjellës”, thuhet në reagimin e Policisë së Shtetit./Euronewsal
Burimi: Dukagjini
