
Rrjetet sociale kanë revolucionarizuar mënyrën se si komunikojmë, por përdorimi i vazhdueshëm i tyre ngre shqetësime për ndikimin në përqendrimin dhe aftësinë për të menduar në mënyrë kritike.
Në një kohë kur informacioni shpërndahet me shpejtësi dhe përdoruesit përballen çdo ditë me një numër të madh mesazhesh, lajmesh dhe njoftimesh, mbingarkesa informative mund të ndikojë në mënyrën se si njerëzit përpunojnë dhe vlerësojnë atë që lexojnë, shkruan eo, transmeton Klankosova.tv.
Sipas neuroshkencëtarit Lamberto Maffei, rrjetet sociale mund të funksionojnë si një lloj “proteze” për trurin, duke ndikuar në mënyrën se si individët formojnë mendimet dhe gjykimet e tyre. Ekspozimi i vazhdueshëm ndaj mesazheve të përsëritura dhe informacioneve të ngjashme nga platforma të ndryshme mund të nxisë konsumimin pasiv të përmbajtjes, në vend të analizës së saj.
Një tjetër shqetësim lidhet me rrezikun që përdoruesit të ndikohen më shumë nga mesazhet që përsëriten shpesh ose që përcillen me tone të forta, pa i shqyrtuar në mënyrë të pavarur faktet dhe burimet.
Përhapja e telefonave inteligjentë dhe varësia gjithnjë e më e madhe nga komunikimi digjital e kanë bërë të vështirë shkëputjen nga rrjedha e pandërprerë e informacionit. Në këto kushte, zhvillimi i mendimit kritik dhe aftësia për të dalluar informacionin e besueshëm nga ai i pasaktë bëhen gjithnjë e më të rëndësishme.
Maffei thekson rëndësinë e edukimit të brezave të rinj me ndjenjën e përgjegjësisë, duke nxitur leximin, mendimin e pavarur dhe interesin për shkencën.