Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se Grupi Punues për hartimin e strategjisë shtetërore lidhur me procedurat e apelit në Dhomat e Specializuara në Hagë duhet të koordinohet me ekipet mbrojtëse të ish-krerëve të UÇK-së dhe të angazhojë ekspertë sipas nevojës.
Në konferencë për media, Haxhiu theksoi se vendimi për formimin e grupit punues ua mundëson anëtarëve të kërkojnë ndihmën e ekspertëve për hartimin e strategjisë.
Ajo tha se, meqë shumica e anëtarëve janë përfaqësues politikë dhe institucionalë, përfshirja e ekspertëve dhe koordinimi me ekipet mbrojtëse janë të rëndësishme për të siguruar që veprimet të kenë ndikim konkret në procesin gjyqësor.
“Unë mendoj që çfarëdo veprimi i yni duhet të jetë i koordinuar me ekipet mbrojtëse”, deklaroi Haxhiu.
Ajo rikujtoi diskutimet për ligjin e miratuar nga Kuvendi, i cili pritet të dekretohet nga presidentja Justina Shiroka-Pula, duke theksuar se veprimet institucionale duhet të ndikojnë drejtpërdrejt në mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
“Unë mendoj që çfarëdo veprim i yni duhet të jetë i koordinuar me ekipet mbrojtëse, për shkak se ju e dini që ne kemi pasur diskutimet të gjata sa i përket ligjit që është miratuar në Kuvendin e Republikës Kosovës dhe që pritet të dekretohet nga Presidenca Justina Shiroka – Pula, edhe në atë kohë e kam thënë, është shumë e rëndësishme që të ndërmarrim veprime që ndikojnë drejt për drejt në këtë proces, në kuptim natyrisht të mbrojtjes që ne duhet t’ia ofrojmë personave që janë në Hagë, përkatësisht Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit dhe jo të bëjmë veprime të cilat vetëm dukemi që bëjmë diçka”, ka deklaruar ajo.
Haxhiu theksoi se prioritet duhet të jetë puna për hartimin e strategjisë, në bashkëpunim me ekspertët dhe ekipet mbrojtëse, duke shtuar se urgjencat që janë përpara kërkojnë veprim me prioritet.
Ajo shprehu bindjen se grupi punues, i cili ka mandat të përcaktuar me vendim, do ta përfundojë punën në shërbim të drejtësisë.
Burimi: Dukagjini
