
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka nisur seanca gjyqësore në rastin e sulmit në kanalin Ibër-Lepenc, ku të akuzuar janë vëllezërit Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq, si dhe Igor Dimoviq, raporton Sinjali.
Procesi lidhet me shpërthimin e 29 nëntorit 2024 në fshatin Varagë të Zubin-Potokut, që dëmtoi kanalin me rëndësi për furnizimin me ujë dhe prodhimin e energjisë elektrike në Kosovë.
Sipas aktakuzës, vëllezërit Viqentijeviq, në bashkëpunim me persona të tjerë ende të paidentifikuar, dyshohet se vendosën dhe aktivizuan rreth 20 kilogramë eksploziv të llojit TNT brenda kanalit. Prokuroria pretendon se shpërthimi shkaktoi ndërprerje të furnizimit me ujë, rrezikoi prodhimin e energjisë elektrike dhe i shkaktoi ndërmarrjes dëme prej 376 mijë e 774 euro e 70 centësh.
Vëllezërit akuzohen për rrezikim të rendit kushtetues përmes dëmtimit të instalimeve dhe pajisjeve publike, lidhur me kryerjen e veprës terroriste, si dhe për armëmbajtje pa leje. Jovan Viqentijeviq akuzohet edhe për spiunazh, ndërsa Igor Dimoviq për armëmbajtje pa leje.
Të tre të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm në shqyrtimin fillestar.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
/GazetaSinjali/
The post LEX | Sulmi në Ibër-Lepenc që tronditi vendin – pritet nisja e seancës ndaj vëllezërve Viqentijeviq dhe Dimoviqit appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali