Ndërtim pa leje, rrezik sigurie e dyshime për manipulim me prova: Kallëzim penal ndaj drejtuesve të Hotel Sonoma

Ndërtim pa leje, rrezik sigurie e dyshime për manipulim me prova: Kallëzim penal ndaj drejtuesve të Hotel Sonoma

Written by

in

Ndërtim pa leje, rrezik sigurie e dyshime për manipulim me prova: Kallëzim penal ndaj drejtuesve të Hotel Sonoma

Mbrojtësi i Endrit Nikës, i cili ishte dënuar për vrasjen e të dashurës argjentinase, Maria Clara Urdangaray, ka dorëzuar kallëzim penal ndaj drejtuesve të Hotel Sonoma në Fushë Kosovë, ku ndodhi rasti më 1 gusht 2023. Avokati Tomë Gashi kërkon nga Prokuroria Themelore në Prishtinë hetimin e Brahim dhe Mirlind Zeqirit për katër vepra penale.

Në kallëzimi të cilin e ka siguruar gazetarja e Klan Kosova, Blerta Ahmeti, pretendohet se hoteli ishte ndërtuar pa leje, se dritarja nga e cila ra për vdekje Maria Clara Urdangaray nuk ishte montuar sipas standardeve të sigurisë dhe se pas ngjarjes kishte pasur ndërhyrje në vendin e ngjarjes.

Avokati Gashi, në emër të klientit të tij Endrit Nika, më 9 qershor 2026 ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë kundër pronarit dhe drejtorit të Hotel Sonoma, Brahim Zeqiri, dhe menaxherit të hotelit, Mirlind Zeqiri.

Në kallëzimin penal, drejtuar kryeprokurorit të atëhershëm të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, avokati kërkon hetimin e dy të dyshuarve për veprat penale të ndërtimit pa leje, shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm, deklarimeve të rreme dhe manipulimit me prova.

Pretendimet e avokatit lidhen me vdekjen e shtetases argjentinase Maria Clara Urdangaray, e cila më 1 gusht 2023 ra nga dritarja e dhomës 403, në katin e gjashtë të Hotel Sonoma, në Fushë Kosovë.

Kallëzimi penal mbështetet, sipas Gashit, në dokumentacionin e siguruar nga Komuna e Fushë Kosovës, në ekspertizat teknike të administruara në procedurën gjyqësore dhe në procesverbalin e dëshmisë së menaxherit të hotelit, raporton gazetarja Blerta Ahmeti.

Pretendimet për ndërtim pa leje dhe legalizimin e hotelit

Në pjesën e parë të kallëzimit, avokati pretendon se objekti ku funksionon Hotel Sonoma është ndërtuar dhe është vënë në shfrytëzim pa lejen e nevojshme të ndërtimit.

Sipas dokumentacionit komunal, të cilit i referohet Gashi, kërkesat për legalizimin e objektit ishin refuzuar vazhdimisht, ndërsa ndaj tij ishin shqiptuar masa dhe gjoba për shkak të ndërtimit pa leje.

Në dokument thuhet se objekti është legalizuar më 28 tetor 2024, më shumë se një vit pas vdekjes së Maria Clara Urdangaray. Sipas avokatit, legalizimi është bërë në kategorinë “Banim”, e jo si objekt hotelierik, ndonëse ndërtesa ishte shfrytëzuar për akomodimin e mysafirëve.

Gashi pretendon se kjo rrethanë ngre dyshime edhe për ushtrimin e veprimtarisë hotelierike në kundërshtim me destinimin dhe kushtet për të cilat objekti ishte legalizuar.

Për këtë pjesë, avokati kërkon që të hetohet përgjegjësia e pronarit dhe menaxherit të hotelit për ndërtimin, vënien në funksion dhe shfrytëzimin e objektit.

Ekspertizat: Dritarja paraqiste rrezik të lartë

Një pjesë e rëndësishme e kallëzimit penal lidhet me gjendjen teknike të dritares së dhomës 403, nga e cila ra për vdekje Maria Clara Urdangaray.

Sipas dokumentit, në procedurën penale me numër PKR.nr.31/25, të zhvilluar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, janë administruar ekspertiza të ekspertëve të inxhinierisë mekanike Naser Lajqi, Ilir Doçi dhe Azem Kyçyqky, e të cilën expertizë për herë të parë në publik e kishte prezentuar emisionit MAT në Klan Kosova, në edicionin kushtuar rastit të Maria Clara Urdangaray të publikuar m 27 gusht të vitit 2025.

Avokati u referohet gjetjeve të tyre në superekspertizën e datës 6 shkurt 2025, në të cilën, sipas kallëzimit, është konstatuar se siguria e dritares ishte e ulët për shkak të sistemit të montimit dhe mekanizmave të përdorur.

Sipas këtyre gjetjeve, mekanizmat dhe “çernierat e instaluara” nuk ofronin siguri të mjaftueshme ndaj forcave vertikale, ndërsa sistemi nuk kishte mekanizëm sigurues që do ta pengonte zhvendosjen e dritares.

Në kallëzim përmendet edhe ekspertiza e ekspertit të mekanikës, Ermal Maqedonci, të datës 13 maj 2026.

Sipas përshkrimit të avokatit, eksperti ka konstatuar se dritarja nuk ishte montuar në përputhje me udhëzimet teknike të prodhuesit. Në vendin e montimit kishte copëza betoni që, sipas tij, e ulnin më tej sigurinë e dritares, ndërsa grepi mbajtës nuk ishte vendosur plotësisht dhe në mënyrë të rregullt.

Bazuar në këto gjetje, Gashi pretendon se dritarja paraqiste rrezik jashtëzakonisht të lartë për personat që qëndronin në afërsi të saj.

Avokati argumenton se mangësitë teknike dhe mungesa e masave të nevojshme të sigurisë duhet të hetohen në kuadër të veprës penale të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm, duke marrë parasysh edhe pasojën fatale të ngjarjes.

Hotel Sonoma ndryshon dritaren pas vdekjes së Maria Clara Urdangaray

Në kallëzim ceket se pas ngjarjes së 1 gushtit 2023, kur Clara ra me gjithë kornizën e dritares nga kati i gjashtë i këtij hoteli, gjatë zhvillimit të procedurës hetimore, është ndryshuar dritarja e dhomës 403.

Hulumtimi i emisionit MAT, “Misteri i dhomës 403: Çka i ndodhi Maria Clarës?”, kishte vënë në pah se ekzaminimet në vendin e ngjarjes për expertizën dhe superexpertizën e expërtëve nga lëmi i makinerisë/Inxhinierisë mekanike, Azem Kycyku, Naser Lajci dhe Ilir Doci, ishin bërë më 8, 15 dhe 17 janar të vitit 2025 – apo 17 muaj pas rastit.

Dhe expertët në raportin e tyre kishin konstatuar se “kjo super ekspertizë është bërë në dhomën 303, një kat më poshtë sesa vendi ku ka ndodhur ngjarja, pasi që në dhomën 403 menaxhmenti i hotelit ka vendosur dritare të re, me 3 shtresa, një më shumë sesa ishte paraprakisht dhe e kanë përforcuar më shumë sesa ishte e përforcuar paraprakisht”.

Avokati pretendon se këto ndryshime janë bërë pa lejen e organeve kompetente dhe se mund të kenë ndryshuar gjendjen fillestare të një elementi me rëndësi për hetimin e rrethanave të vdekjes.

Për këtë arsye, ai kërkon që Prokuroria të shqyrtojë nëse veprimet e pretenduara përbëjnë vepër penale dhe nëse kanë ndikuar në mundësinë e vlerësimit të saktë të gjendjes së dritares në kohën e ngjarjes.

Menaxheri i hotelit dyshohet për deklarim të rremë

Sipas dokumentit, gjatë dëshmisë së tij në seancën e 10 korrikut 2025, pronari i hotel Sonoma Mirlind Zeqiri ishte pyetur nga mbrojtja nëse hoteli kishte procedura të dokumentuara për mirëmbajtjen dhe inspektimin e rregullt të xhamave.

Përgjigjja e tij, siç citohet në kallëzim, ishte: “Nuk kam njohuri nëse ekzistojnë procedura të dokumentuara për xhamat, por kur është ndërtuar hoteli është bërë pranimi nga institucionet përkatëse dhe është xham statik që nuk hapet.”

Gashi pretendon se pjesa e deklaratës për pranimin e objektit nga institucionet kompetente bie ndesh me dokumentacionin komunal, sipas të cilit objekti nuk kishte pasur leje ndërtimi në kohën e ndërtimit dhe ishte legalizuar më vonë në kategorinë “Banim”.

Në bazë të kësaj mospërputhjeje të pretenduar, avokati kërkon hetimin e Mirlind Zeqirit për veprën penale të deklarimit të rremë.

Kërkohet ekspertizë për incizimet e kamerave të sigurisë

Në pjesën e katërt të kallëzimit, avokati ngre dyshime për mungesën e një pjese të incizimeve të kamerave të sigurisë së hotelit.

Sipas tij, bëhet fjalë për incizimet që lidhen me periudhën menjëherë pas ngjarjes fatale dhe pas daljes së Endrit Nikës nga dhoma 403.

Gashi vlerëson se kjo periudhë është e rëndësishme për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit, përfshirë veprimet e personave përgjegjës dhe gjendjen e vendit të ngjarjes.

Për këtë arsye, ai i kërkon Prokurorisë që incizimet e siguruara nga hoteli të dërgohen në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë, për ekspertizë lidhur me mundësinë e konsumimit të veprës penale të manipulimit me prova.

Kërkohet nisja e hetimeve ndaj pronarit dhe menaxherit

Në përfundim të dokumentit, avokati Tomë Gashi kërkon nga Prokuroria Themelore në Prishtinë që të nxjerrë aktvendim për fillimin e hetimeve ndaj Brahim dhe Mirlind Zeqirit dhe, pas përfundimit të tyre, të ngrejë aktakuzë nëse provat e mbështesin një veprim të tillë.

Ai pretendon se përgjegjësit e hotelit kanë kontribuar në krijimin dhe vazhdimin e një gjendjeje të rrezikshme për mysafirët, ndërsa vdekja e Maria Clara Urdangaray, sipas tij, duhet të hetohet edhe në raport me kushtet teknike të objektit dhe funksionimin e tij.

Kallëzimi penal përfshin katër vepra të pretenduara: ndërtimin pa leje, shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm, deklarimet e rreme dhe manipulimin me prova.

Deri në një vendim të organeve kompetente, pretendimet ndaj Brahim dhe Mirlind Zeqirit mbeten të pakonfirmuara nga një vendim gjyqësor. Paraqitja e kallëzimit penal nuk nënkupton se të dyshuarit janë shpallur fajtorë.

Për këtë rast, Klan Kosova ka provuar të kontaktoj me Brahim Zeqiri, pronar i hotelit Sonoma, por në linjën telefonike të hotelit, nga recepcioni, i është thënë mediumit se “Brahimi nuk pranon të flas me medie”.

Klani, ka kontaktuar më pas edhe Mirlind Zeqirin, menaxher në po këtë hotel. Përmes telefonit ai ka deklaruar se nuk është në dijeni për kallëzimin që avokati Tomë Gashi e ka iniciuar ndaj tij dhe pronarit të hotel Sonoma.

“Nuk kam pranu kurrgjë, nuk jam në dijeni”, ka deklaruar Zeqiri përmes telefonit.

Më tej, lidhur me akuzat e ngritura nga avokati Gashi, Zeqiri ka deklaruar se “Unë jam menaxher nuk është se merrna fort me këtë pjesën e ndërtimit nuk muj me të thënë kurrgjë. Nuk muj me të dhënë asnjë lloj përgjigje që lidhet me ndërtim”, ka përfunduar Mirlindi duke mbyllur telefonin më pas.

Historia e gjykimit të rastit

Më 1 gusht 2023, Policia e Kosovës kishte paraqitur kallëzim penal ndaj Nikës për veprën penale të vrasjes. Më pas, Prokuroria kishte zhvilluar hetime dhe kishte ngritur aktakuzë ndaj tij për veprën “Vrasje e rëndë”, më 11 shkurt të vtit 2025.

19 shkurt 2026, Endrit Nika u dënua me 18 vjet burgim për vrasjen e argjentinases maria Clara Urdangaray.

Më 15 maj 2026 avokati Tomë Gahsi kishte paraqitur ankesë kundër këtij aktgjykimi, në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Gjykata e shkallës së dytë, më 7 gusht të vitit 2026 mori vendim që të anuojë vendimin e shkallës së parë dhe rasti të kthehet në rigjykim.

Më 1 shtator të këtij viti, ka filluar procesi i rigjykimit ndaj Endrit Nikës, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, për vrasjen e maria Clara Urdangaray.

Autor: Blerta Ahmeti