Duke folur në Samarkand të Uzbekistanit, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e bëri të qartë se biznesi ishte në qendër të vizitës së tij të parë në Azinë Qendrore.
“Ne kemi një delegacion të jashtëzakonshëm, pothuajse 300 amerikanë që janë këtu me ne dhe mundësinë për të nënshkruar marrëveshje me vlerë miliarda dollarë, të cilat do t’i pasurojnë vendet e rajonit, por gjithashtu do t’i sjellin përfitime ekonomike Shteteve të Bashkuara”, tha Rubio më 19 tetor.
Për Daniel Rosenblum, i cili shërbeu si zëvendësndihmës sekretar i Shtetit për Azinë Qendrore nga viti 2014 deri më 2019, para se të bëhej ambasador i SHBA-së në Uzbekistan dhe Kazakistan, përmasat e delegacionit janë “të pazakonta”.
“Nuk mund të kujtoj ndonjë rast të mëparshëm kur vizita e sekretarit të Shtetit në rajon të jetë shoqëruar me një mision biznesi. Në të kaluarën kemi pasur shumë misione biznesi. Por, nuk më kujtohet që kjo të jetë lidhur ndonjëherë në këtë mënyrë me një vizitë të sekretarit të Shtetit. Mendoj se është gjë e mirë dhe mund të çojë në më shumë suksese në drejtim të nënshkrimit të marrëveshjeve dhe investimeve të reja”, tha Rosenblum për Radon Evropa e Lirë (REL).
Megjithatë, ai paralajmëroi se nuk duhet që të pritet një rritje e menjëhershme e investimeve amerikane. Vëmendja, në nivel të lartë, mund të hapë dyer, tha ai, por nuk mund t’i eliminojë pengesat praktike me të cilat përballen kompanitë kur investojnë në rajon.
“Do të vija në pah se realiteti i investimeve në Azinë Qendrore mbetet i njëjtë, pavarësisht nëse sekretari i Shtetit ndodhet atje për kontaktin fillestar apo jo”, tha Rosenblum.
“Disa vende janë pak më mikpritëse se të tjerat. Pastaj janë çështjet që lidhen me distancën, logjistikën, financimin dhe gjetjen e një partneri të mirë. Të gjitha këto mbeten të njëjta, pavarësisht nëse ke 100, 200 apo 20 kompani”.
Rubio ka deklaruar se delegacioni i madh i biznesit synon të sigurojë që kompanitë amerikane të mund të konkurrojnë në tregjet që po hapen për tregtinë amerikane.
“Ka të bëjë me atë që ne të jemi të pranishëm në çdo pjesë të botës që po i hap dyert biznesit dhe tregtisë amerikane. Që të shfaqemi dhe të jemi atje. Dhe, pikërisht për këtë bëhet fjalë”, tha Rubio në Samarkand, duke shtuar se marrëveshje të mëdha do të bëheshin publike më vonë.
Teksa Rosenblum e mirëpriti përqendrimin te lidhjet tregtare, ish-diplomati shprehu skepticizëm për një zgjerim të ndjeshëm të aktivitetit të bizneseve amerikane.
“Do të habitesha nëse do të kishte një shpërthim të papritur, ku papritmas… dhjetë herë më shumë kompani amerikane do të bënin biznes sesa sot. Mendoj se kjo më duket vërtet e tepruar”.
Po të drejtat e njeriut?
Theksi që administrata amerikane e presidentit Donald Trump, po i kushton interesave tregtare përbën një largim nga ekuilibri tradicional i politikës amerikane ndaj Azisë Qendrore, tha Rosenblum.
Administratat e mëparshme e ndërthurën bashkëpunimin ekonomik dhe atë të sigurisë me mbështetjen për demokracinë, të drejtat e njeriut dhe reformat e tregut. Sipas Rosenblum, administrata aktuale e ka hequr kryesisht komponentin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut nga agjenda e saj publike.
“Disa njerëz thonë – përfshirë edhe disa në Azinë Qendrore – se kjo është e mirë për raportet. Është sikur e bën më të lehtë komunikimin dhe të mundëson të shkosh drejtpërdrejt te thelbi i çështjes, qoftë për marrëveshjet e biznesit apo për çështje të tjera. Dhe do të thosha se kjo, sigurisht, i thjeshton marrëdhëniet”, tha Rosenblum. “Nuk jam i sigurt nëse në planin afatgjatë mund të ruhet kjo afërsi, pra afërsia e marrëdhënieve tona me vendet e Azisë Qendrore, pa këtë komponent [të të drejtave të njeriut]”, u shpreh ai.
Në Azinë Qendrore, pushteti mbetet i përqendruar tek elitat qeverisëse dhe familjet e tyre, teksa kalimi i pushtetit nga një brez te tjetri po përcakton të ardhmen politike të disa shteteve. Turkmenia autoritare tashmë ka përjetuar kalimin e pushtetit nga babai tek i biri, ndërsa skenarë të ngjashëm të trashëgimisë së pushtetit janë shfaqur në Taxhikistan dhe Uzbekistan. Kirgizia, që dikur shihej nga Uashingtoni si një ‘përjashtim demokratik’ në Azinë Qendrore, po kufizon gjithnjë e më shumë opozitën politike dhe po shton trysninë ndaj mediave të pavarura.
Rosenblum tha se beson që demokracia dhe të drejtat e njeriut do të rikthehen përfundimisht në politikën amerikane, duke përmendur legjislacionin, kërkesat për raportim dhe traditën diplomatike.
“Besoj se [të drejtat e njeriut do të rikthehen], sepse ato janë të përcaktuara me ligj, për sa u përket kërkesave që kemi për raportet vjetore mbi të drejtat e njeriut dhe sanksioneve të ndryshme që lidhen me to. Ato janë pjesë e normave që kemi zbatuar si vend në raportet tona me botën. Janë po ashtu pjesë e traditës sonë. Besoj se janë pjesë e ADN-së sonë. Janë pjesë e ADN-së amerikane”, tha ai.
Rosenblum hodhi poshtë idenë se promovimi i demokracisë dhe mbrojtja e interesave tregtare të SHBA-së përjashtojnë njëra-tjetrën.
“Mendoj se është e mundur të promovohen dhe të zgjerohen interesat e SHBA-së në fushën e sigurisë, në marrëdhëniet e biznesit dhe ato ekonomike, duke folur njëkohësisht edhe për demokracinë dhe të drejtat e njeriut. Nuk është çështje zgjedhjeje mes njërës dhe tjetrës dhe as lojë me shumën zero”, tha ai.
Ai shtoi se institucionet më të forta mund t’u sjellin përfitime edhe kompanive amerikane, duke krijuar kushte më të parashikueshme për investime.
Kufijtë e ndikimit amerikan në Azinë Qendrore
Rubio tha se Uashingtoni nuk po u kërkon vendeve të Azisë Qendrore që të “ndalojnë së foluri me dikë tjetër apo të ndalojnë së bashkëpunuari me vende të tjera”, duke pranuar lidhjet e tyre të thella ekonomike me fqinjët e fuqishëm, veçanërisht me Kinën.
Rusia që një kohë të gjatë ka ruajtur lidhje të rëndësishme ekonomike, të sigurisë dhe energjetike në të gjithë rajonin. Lufta e saj në Ukrainë ka krijuar mundësi të reja për Uashingtonin, por Rosenblum paralajmëroi kundër supozimit se Shtetet e Bashkuara mund ta zëvendësojnë Moskën si fuqia e jashtme dominuese në rajon.
“Mendoj se mund të luajmë një rol në këtë, qoftë në fushën e sigurisë, në atë ekonomike apo në bashkëpunimin ndërkombëtar. SHBA-ja ka shumë për të ofruar. Prandaj, mund të jemi një aktor i rëndësishëm, sigurisht edhe më i rëndësishëm sesa jemi sot. Sipas mendimit tim, nuk do të jemi kurrë aktori kryesor në Azinë Qendrore”, tha Rosenblum.
Në vend që të synojë dominimin, Uashingtoni duhet të përqendrohet në fushat ku ka përparësi dhe ku qeveritë e Azisë Qendrore dëshirojnë përfshirjen amerikane, tha ai.
Rosenblum përmendi teknologjinë e avancuar, inteligjencën artificiale dhe arsimin në gjuhën angleze si fusha në të cilat bashkëpunimi me SHBA-në mund ta ndihmojë rajonin t’i diversifikojë partneritetet e tij.
Ai po ashtu hodhi poshtë idenë se prania në rritje ekonomike dhe e sigurisë e Kinës nënkupton se rajoni tashmë i ka humbur Pekinit.
“Nuk mendoj se kjo është një lojë e humbur, nëse mund të quhet lojë”, tha ai.
Teksa Uashingtoni përdor formatin C5+1 – formatin kryesor diplomatik të SHBA-së për bashkëpunim me Kazakistanin, Kirgizinë, Taxhikistanin, Turkmeninë dhe Uzbekistanin – për të zgjeruar angazhimin e tij, qeveritë e Azisë Qendrore po përpiqen të menaxhojnë një numër gjithnjë e më të madh formatesh diplomatike me fuqitë e jashtme.
“Ka më shumë formate C5-plus sesa muaj në vit”, tha Rosenblum. “Pra, edhe nëse do të përpiqeshe të organizoje nga një të tillë çdo muaj, nuk do të mund t’i përfshije të gjitha brenda një viti”.
Rosenblum, që prej kohësh mbështet integrimin rajonal, tha se sheh një kohezion në rritje mes vetë pesë vendeve të Azisë Qendrore.
“Besoj se formati C5 më vete, pa ‘plus’ apo ‘minus’, siç e kam quajtur më parë, po zhvillohet, po rritet dhe gradualisht po bëhet më koheziv”, tha ai.
The post Ish-diplomati amerikan: SHBA-ja nuk do të jetë kurrë lojtarja kryesore në Azinë Qendrore appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali