Qytetarët e Kosovës që synojnë të punojnë në Gjermani mund të përballen me më pak mundësi përmes procedurave të lehtësuara të punësimit, pasi Qeveria gjermane planifikon ta përgjysmojë kuotën vjetore për punëtorët nga Ballkani Perëndimor.
Sipas planit, nga janari i vitit 2027, numri i personave që mund të përfitojnë nga e ashtuquajtura “Rregullorja për Ballkanin Perëndimor” do të ulet nga 50 mijë në 25 mijë në vit për të gjitha vendet e përfshira, mes tyre edhe Kosova.
Kjo rregullore, e cila është në fuqi që nga viti 2016, u mundëson qytetarëve të Kosovës të punësohen në Gjermani përmes procedurave të lehtësuara, përfshirë edhe në profesione që nuk kërkojnë domosdoshmërisht kualifikim formal.
Sipas Agjencisë Federale të Punësimit në Gjermani, në shtator të vitit 2026 rreth 546 mijë shtetas nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën, ishin të punësuar dhe paguanin kontribute të sigurimeve shoqërore. Numri i tyre është rritur për rreth 170 mijë gjatë pesë vjetëve të fundit.
Megjithatë, kuota aktuale prej 50 mijë personash në vit nuk ka qenë e mjaftueshme për të përmbushur të gjitha kërkesat. Ajo është tejkaluar që në vitin 2025 dhe pritet të shterohet sërish para përfundimit të vitit 2026.
Për këtë arsye, Agjencia Federale e Punësimit ka kërkuar që kuota të mbetet në nivelin aktual, duke argumentuar se skema ka ndihmuar në integrimin e punëtorëve nga rajoni në tregun gjerman të punës.
Sipas Vanessa Ahujas, anëtare e Bordit të Agjencisë për Përfitimet dhe Çështjet Ndërkombëtare, 53 për qind e punëtorëve të përfshirë në këtë skemë, rreth 287 mijë persona, janë të punësuar në pozita që kërkojnë aftësi profesionale. Rreth 45 për qind e tyre punojnë në profesione ku Gjermania përballet me mungesë të fuqisë punëtore.
Ahuja ka paralajmëruar se përgjysmimi i kuotës mund t’ua vështirësojë kompanive gjermane rekrutimin e punëtorëve, veçanërisht në sektorët e ndërtimtarisë, transportit, logjistikës, gastronomisë dhe kujdesit shëndetësor.
Nëse plani zbatohet, qytetarët e Kosovës do të kenë më pak mundësi për të përfituar nga kjo skemë, sidomos në rastet kur kuota për muajin përkatës dhe shtetësinë e aplikuesit është shteruar.
Megjithatë, ndryshimi i planifikuar nuk nënkupton ndalimin e punësimit të kosovarëve në Gjermani, pasi mbeten në dispozicion edhe rrugë të tjera ligjore për migrim dhe punësim.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Gjermania planifikon përgjysmimin e kuotës për punëtorët nga Kosova, nga 2027 mundësitë më të kufizuara appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali