Kremlini paralajmëron takim trepalësh Putin-Trump-Xi muajin e ardhshëm

Kremlini paralajmëron takim trepalësh Putin-Trump-Xi muajin e ardhshëm

Written by

in

Kremlini paralajmëron takim trepalësh Putin-Trump-Xi muajin e ardhshëm

Kremlini ka konfirmuar se mundësia e një takimi trepalësh mes presidentit rus Vladimir Putin, atij amerikan Donald Trump dhe liderit kinez Xi Jinping është ngritur gjatë bisedimeve, ndërkohë që Ukraina e ka kundërshtuar ashpër një format të tillë, duke e cilësuar si inkurajim për agresionin rus.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, komentoi të hënën raportimet e prestigjiozes Wall Street Journal, sipas të cilave Putin ka propozuar një takim të përbashkët me Trumpin dhe Xi Jinpingun gjatë samitit të ardhshëm të APEC-ut në Kinë, me fokus dhënien fund të konfliktit në Ukrainë.

Peskov pranoi se ideja ka qarkulluar, por theksoi se ende nuk ka asgjë të vendosur në letër, raporton Reuters, transmeton Klankosova.tv.

“Duke qenë se të tre krerët e shteteve mund të marrin pjesë në samitin në Kinë, çështja e një takimi të tillë hipotetik vërtet është ngritur. Ajo u përmend, por nuk u diskutuan dhe as nuk u paraqitën propozime apo marrëveshje konkrete nga askush, qoftë për vetë takimin, qoftë për agjendën dhe përmbajtjen e mundshme të tij”, theksoi Peskov.

Ideja e një samiti mes tre superfuqive pa praninë e drejtpërdrejtë të palës ukrainase ka ngjallur irritim të menjëhershëm në Kiev. Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, reagoi përmes një deklarate në platformën X, duke paralajmëruar për rreziqet e një formati të tillë.

“Një takim trepalësh mes liderëve të Ukrainës, SHBA-së dhe Rusisë mund të ndihmojë që lufta të përfundojë më shpejt. Por, një takim mes Rusisë, Kinës dhe SHBA-së do të sillte të kundërtën: do ta inkurajonte Putinin të vazhdonte këtë luftë,” nënvizoi diplomati kryesor ukrainas.

Nga ana tjetër, Peskov u shpreh para gazetarëve se Moska vlerëson rolin ndërmjetësues të Shteteve të Bashkuara, duke shtuar se asnjë marrëveshje përfundimtare nuk mund të realizohet pa përfaqësuesit e autoriteteve të Ukrainës.

“Sigurisht, një zgjidhje përfundimtare është e pamundur pa pjesëmarrjen e dikujt nga Kievi që është i gatshëm të marrë përgjegjësi”, deklaroi zëdhënësi rus.

Pavarësisht përpjekjeve diplomatike, qëndrimet mes Moskës dhe Kievit mbeten thellësisht të ndara sa u përket kushteve për armëpushim dhe paqe afatgjatë.