Gjatë panelit për mbrojtjen e pavarësisë së institucioneve supreme të auditimit, Spanca prezantoi përvojën e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës në ushtrimin e mandatit kushtetues, duke theksuar rëndësinë e integritetit profesional, transparencës dhe komunikimit me median, shoqërinë civile dhe qytetarët për forcimin e besimit publik.
Në këtë takim, liderët e institucioneve miratuan Planin e Punës së Rrjetit për periudhën 2027–2028, i cili parasheh aktivitete për rritjen e ndikimit të auditimit, mbrojtjen e pavarësisë institucionale dhe forcimin e kapaciteteve për auditimin e projekteve të investimeve kapitale dhe reformave të lidhura me Bashkimin Evropian.
Auditorja e Përgjithshme shprehu gatishmërinë që Zyra Kombëtare e Auditimit e Kosovës të kontribuojë në aktivitetet që lidhen me auditimin e projekteve të investimeve kapitale dhe shkëmbimin e përvojave në auditimet paralele.
Takimi u organizua në kuadër të Rrjetit të vendeve kandidate dhe kandidate të mundshme për anëtarësim në Bashkimin Evropian, në bashkëpunim me projektin e EUROSAI-t për Asistencë në Zhvillim, me mbështetjen e OECD/SIGMA dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë. Në të morën pjesë edhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, dhe zyrtarja për komunikim me publikun, Shqipe Hetemi.
Burimi: RTKLive
