Kriza ushqimore në Oleshky, Papa Leo kërkon bashkëpunim mes Ukrainës dhe Rusisë

Kriza ushqimore në Oleshky, Papa Leo kërkon bashkëpunim mes Ukrainës dhe Rusisë

Written by

in

Kriza ushqimore në Oleshky, Papa Leo kërkon bashkëpunim mes Ukrainës dhe Rusisë

Papa Leo ka zhvilluar të hënën një telefonatë me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, gjatë së cilës ka kërkuar bashkëpunimin e Ukrainës dhe Rusisë për të mundësuar dërgimin e ushqimit dhe ndihmave humanitare në qytetin e bllokuar të Oleshky.

Qyteti ukrainas, i pushtuar nga forcat ruse që nga shkurti i vitit 2022, po përballet me një krizë gjithnjë e më të rëndë ushqimore, ndërsa banorët kanë raportuar mungesë të furnizimeve bazë.

Sipas një deklarate të Vatikanit, Papa ka shprehur shpresën se bashkëpunimi ndërmjet dy palëve do të mundësojë shpërndarjen e ushqimit dhe ndihmave mjekësore, si dhe evakuimin vullnetar dhe të sigurt të civilëve.

“Leo shprehu shpresën se bashkëpunimi midis të dyja palëve do të lejojë shpërndarjen e ushqimit dhe ndihmës mjekësore, si dhe evakuimin vullnetar dhe të sigurt të popullsisë civile”, thuhet në deklaratën e Vatikanit.

Zelenskyy nuk kishte dhënë menjëherë një deklaratë lidhur me bisedën.

Të premten, Papa kishte zhvilluar një telefonatë edhe me presidentin rus, Vladimir Putin, të cilit i kishte kërkuar të organizonte një armëpushim për të lehtësuar dërgimin e ndihmave në Oleshky.

Kremlini kishte bërë të ditur më pas se Putini ishte pajtuar të bashkëpunonte me Papën për organizimin e furnizimeve për qytetin, por nuk kishte përmendur ndonjë marrëveshje për armëpushim.

Papa Leo është takuar disa herë me presidentin ukrainas. Takimi i tyre i fundit ishte zhvilluar në dhjetor, në rezidencën papnore në Castel Gandolfo të Italisë. Pas takimit, Papa u kishte bërë thirrje udhëheqësve evropianë që të ndiqnin një qasje të përbashkët në negociatat për paqe ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës.

Ndërkohë, Rusia ka ndërmarrë një nga sulmet më të gjera ajrore të muajve të fundit kundër Ukrainës, duke lëshuar gjatë natës 16 raketa balistike drejt Kievit dhe rajonit përreth, si dhe më shumë se 200 dronë në pjesë të ndryshme të vendit.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Kriza ushqimore në Oleshky, Papa Leo kërkon bashkëpunim mes Ukrainës dhe Rusisë appeared first on Sinjali.

Burimi: Sinjali