OVL e UÇK-së kritikon Trendafilovën: Është arrogancë t’i mbash leksione Kuvendit për sundimin e ligjit

OVL e UÇK-së kritikon Trendafilovën: Është arrogancë t’i mbash leksione Kuvendit për sundimin e ligjit

Written by

in

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka reaguar ndaj deklarimeve të kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Ekaterina Trendafilova, duke kritikuar qasjen e saj ndaj ligjeve dhe institucioneve të Kosovës.

Në reagimin e publikuar, OVL-UÇK ka kundërshtuar pretendimet e paraqitura në komunikatën e Trendafilovës lidhur me ligjin që rregullon veprimtarinë e kësaj gjykate.

Sipas organizatës, ligjet në Kosovë miratohen nga Kuvendi, ndërsa Dhomat e Specializuara janë krijuar po nga ky institucion.

“Të pretendosh se një gjykatë ka të drejtën e zgjedhjes së ligjit që rregullon veprimtarinë e saj, është jo vetëm e çuditshme, por edhe qesharake. Këto pretendime i lexuam në komunikatën e znj. Trendafilova.

Zonja në fjalë, duhet të dijë se në Kosovë, ligjet i miraton Kuvendi. Vet Dhomat e Specializuara ekzistojnë sepse u krijuan nga Kuvendi, andaj ato nuk kanë pushtet mbi institucionin që i themeloi.

Trendafilova duhet ta dijë se t’i mbash leksione Kuvendit për sundimin e ligjit, përderisa e trajton interpretimin personal si të padiskutueshëm, është arrogancë. Kritika ndaj vendimeve gjyqësore është e drejtë legjitime dhe nuk do të heqim dorë prej saj. Asnjë vendim gjyqësor nuk mund ta fshijë të vërtetën se Lufta Çlirimtare ishte e drejtë.

Lirinë e Kosovës e fituan ata që u ngritën kundër gjenocidit, dhe shtetësia e Kosovës qëndron mbi sakrificën e tyre. Andaj, gjykatat asnjëherë nuk duhet të shndërrohen në institute historie, por duhet që me dinjitet e profesionalizëm ta kryejnë punën për të cilën janë mandatuar. Fatkeqësisht, në rastin e Dhomave të Specializuara kanë munguar që të dyja, edhe dinjiteti, edhe profesionalizmi”, thuhet në reagim.

Burimi: Dukagjini