Në reagimin e saj, OVL-UÇK thekson se kompetenca për miratimin e ligjeve në Kosovë i takon Kuvendit, ndërsa Dhomat e Specializuara janë themeluar nga ky institucion.
“Të pretendosh se një gjykatë ka të drejtën e zgjedhjes së ligjit që rregullon veprimtarinë e saj, është jo vetëm e çuditshme, por edhe qesharake”, thuhet në reagimin e organizatës.
OVL-UÇK vlerëson se Dhomat e Specializuara nuk mund të pretendojnë pushtet mbi institucionin që i ka themeluar. Ajo gjithashtu kundërshton, siç shprehet, qasjen e Trendafilovës ndaj Kuvendit dhe çështjes së sundimit të ligjit.
“Trendafilova duhet ta dijë se t’i mbash leksione Kuvendit për sundimin e ligjit, përderisa e trajton interpretimin personal si të padiskutueshëm, është arrogancë”, thuhet në reagim.
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së thekson se kritikat ndaj vendimeve gjyqësore janë e drejtë legjitime dhe se do të vazhdojë të shprehë qëndrimet e saj lidhur me proceset që zhvillohen në Dhomat e Specializuara.
“Kritika ndaj vendimeve gjyqësore është e drejtë legjitime dhe nuk do të heqim dorë prej saj. Asnjë vendim gjyqësor nuk mund ta fshijë të vërtetën se Lufta Çlirimtare ishte e drejtë”, thuhet më tej në deklaratë.
Në reagimin e saj, OVL-UÇK rikujton sakrificën e atyre që u ngritën kundër gjenocidit dhe thekson se shtetësia e Kosovës qëndron mbi këtë sakrificë. Sipas organizatës, gjykatat duhet të përqendrohen në mandatin e tyre juridik dhe të mos shndërrohen në institucione që përcaktojnë historinë.
“Gjykatat asnjëherë nuk duhet të shndërrohen në institute historie, por duhet që me dinjitet e profesionalizëm ta kryejnë punën për të cilën janë mandatuar”, thuhet në reagim.
Në përfundim, OVL-UÇK shpreh pakënaqësi me punën e Dhomave të Specializuara, duke pretenduar se në veprimtarinë e tyre kanë munguar dinjiteti dhe profesionalizmi.
Deri në publikimin e këtij lajmi, në materialin e vënë në dispozicion nuk përfshihet një reagim i Trendafilovës ndaj deklaratave të OVL-UÇK-së.
Burimi: RTKLive
