SPB Tetovë: Fillimi i sezonit të ngrohjes rrit rrezikun nga zjarret, qytetarët t’i pastrojnë oxhaqet

SPB Tetovë: Fillimi i sezonit të ngrohjes rrit rrezikun nga zjarret, qytetarët t'i pastrojnë oxhaqet

Written by

in

SPB Tetovë u bënë thirrje qytetarëve që në prag të sezonit të ngrohjes t’i pastrojnë oxhaqet dhe të kenë kujdes me rrymën, për shkak se shkaktimi i zjarreve është vepër penale dhe është e dënueshme me burg.

“Me fillimin e sezonit të ngrohjes, rreziku i zjarreve rritet ndjeshëm, kryesisht si rezultat i pakujdesisë njerëzore, instalimeve elektrike të vjetruara dhe të amortizuara në ndërtesa, sobave me defekte dhe oxhaqeve të papastruara në shtëpi ose ndërtesa banimi.

Sektori i Punëve të Brendshme Tetovë u bën thirrje qytetarëve për kujdes maksimal, konkretisht që të mos i lënë trupat e ngrohjes të ndezur kur nuk janë në shtëpi ose në ambientet e punës për një kohë të gjatë, e sidomos ngrohëset, aparatet e kondicionimit ose sobat me dru. Kjo për shkak se mjafton vetëm një shkëndijë e vogël që të shkaktohet zjarr me pasoja të rënda materiale dhe të tjera.

Kjo vlen veçanërisht për ndërtesat e banimit, ku lokalizimi i zjarreve është shumë më i vështirë për shkak të mungesës së pajisjeve të nevojshme në shumë prej tyre dhe qasjes së vështirësuar në ndërtesa, kryesisht për shkaqe ndërtimore ose të tjera.

Pronarëve dhe banorëve në ndërtesa u rekomandohet që t”i kontrollojnë dhe pastrojnë oxhaqet të paktën dy herë në vit, si dhe të mos i mbingarkojnë instalimet duke ndezur disa pajisje elektrike menjëherë. Kjo pasi, sipas nenit 288 të Kodit Penal, shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm paraqet vepër penale për të cilën parashikohet dënim me burg prej gjashtë muajsh deri në pesë vjet, kurse nëse është kryer nga pakujdesia, dënimi është deri në tre vjet.

Prandaj, u bëjmë thirrje qytetarëve që t’i respektojnë këto udhëzime, me qëllim që të parandalojnë zjarre eventuale dhe me këtë të parandalojnë pasoja më të rënda për jetën dhe pronën e tyre, si dhe për jetën dhe pronën e të tjerëve”, thonë nga SPB Tetovë./Telegrafi/