Inspektorati Qendror i Punës ka ndaluar përkohësisht punimet në tri objekte ndërtimi në Gjakovë dhe Vushtrri, pas konstatimit të parregullsive në zbatimin e masave për siguri dhe shëndet në punë.
Sipas njoftimit të Inspektoratit, parregullsitë janë evidentuar gjatë inspektimeve në terren, në dy objekte ndërtimi në komunën e Gjakovës dhe në një objekt në komunën e Vushtrrisë.
Për shkak të rrezikut për sigurinë dhe shëndetin e punëtorëve, është vendosur ndalimi i përkohshëm i punimeve në të tria objektet, deri në përmbushjen e kërkesave dhe zbatimin e masave të nevojshme të sigurisë.
Inspektorati Qendror i Punës u ka bërë thirrje punëdhënësve që të respektojnë legjislacionin në fuqi për sigurinë dhe shëndetin në punë, si dhe të marrin të gjitha masat e nevojshme për parandalimin e aksidenteve në vendin e punës. /Telegrafi/